Vetëm atletet femra biologjike do të lejohen të marrin pjesë në garat e kategorisë femërore në Lojërat Olimpike, sipas rregullave të reja të shpallura të enjten nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC).
Sipas politikës së re, gjinia e sportisteve do të përcaktohet përmes një testi gjenetik që kryhet vetëm një herë gjatë karrierës së tyre. Vendimi praktikisht ndalon atletët transgjinorë të garojnë në kategorinë femërore në Olimpiadë. Më parë, pjesëmarrja e tyre mund të miratohej nga federatat përkatëse sportive.
Pas një periudhe konsultimesh që zgjati 18 muaj, IOC prezantoi këtë politikë të re që do të zbatohet për Lojërat Olimpike, Lojërat Olimpike për të Rinj dhe garat kualifikuese. Organizata pret që rregullat të adoptohen nga federatat ndërkombëtare dhe të shndërrohen në standard global për sportet elitare për femra.
Nga Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit në vitin 2028 e në vazhdim, çdo sportiste që dëshiron të garojë në kategorinë femërore do të duhet të kryejë testin e gjenit SRY për të përcaktuar kualifikimin. Sipas IOC, prania e këtij gjeni është një tregues i fortë se një individ ka kaluar zhvillim biologjik mashkullor.
Testi mund të kryhet përmes një kampioni pështyme, tamponi të faqes ose analize gjaku dhe do të bëhet vetëm një herë gjatë karrierës sportive të atletit.
Presidentja e re e IOC, Kirsty Coventry, tha se vendimi bazohet në prova shkencore dhe synon të garantojë drejtësi dhe siguri në sport. Sipas saj, diferencat biologjike mund të ndikojnë në rezultatet sportive dhe pjesëmarrja e meshkujve biologjikë në kategorinë femërore mund të krijojë avantazhe të padrejta, madje në disa sporte edhe rrezik për sportistet.
Rregullat e reja nuk do të kenë efekt prapaveprues dhe nuk do të prekin sportet amatore apo ato të nivelit bazë.
IOC parashikon edhe disa përjashtime të rralla, si në rastet e sindromës së pandjeshmërisë së plotë ndaj androgjenëve (CAIS) ose çrregullimeve të tjera të zhvillimit seksual, kur atletët nuk përfitojnë nga efektet e testosteronit. Atletët që rezultojnë pozitivë për gjenin SRY mund të garojnë në kategori të tjera, si ajo mashkullore ose kategoritë e përziera.
Vendimi vjen pas polemikave të shumta në vitet e fundit për çështjen e gjinisë në sport, përfshirë debatet e forta gjatë Lojërave Olimpike të Parisit 2024.
Vetëm disa atletë transgjinorë kanë marrë pjesë deri tani në Olimpiadë. Një prej rasteve më të njohura ishte ai i peshëngritëses Laurel Hubbard, e cila garoi në një kategori të ndryshme nga ajo e lindjes në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2021.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër që ndalon pjesëmarrjen e atletëve transgjinorë në kategorinë femërore në sportet e financuara nga shteti dhe ka deklaruar se nuk do t’i lejojë ata të konkurrojnë në Olimpiadën e Los Anxhelosit në vitin 2028.






















