Editorial 3 Tetor 2024, 17:25 Nga VNA

Si po tenton kryetarja e Kuvendit të zgjasë në mënyrë të paligjshme mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

Ndaje në Whatsapp
Si po tenton kryetarja e Kuvendit të zgjasë në mënyrë

Nga Desada Metaj

Edhe pse po kalon pa ndonjë zhurmë në politikë dhe media (përveç reagimit të deputetes Jorida Tabaku) përpjekja e kryetares së Kuvendit për të manipuluar Kushtetutën dhe për të vendosur Gjykatën Kushtetuese nën diktatin e orekseve politike të segmenteve të mazhorancës është një fakt i pamohueshëm. VNA raportoi dy ditë më parë për shpalljen e vendit vakant për një anëtar të gjykatës pas dorëheqjes së Elsa Toskës. Ndonëse mandati i zonjës Toska përfundonte në vitin 2025, në shkresën e Kuvendit shpallja e vendit vakant parashikon që mandatit të kandidatit të përzgjedhur t’i mbarojë në vitin 2028.

Burime të VNA bëjnë me dije se zyra juridike e Kuvendit të Shqipërisë ia ka dorëzuar kryetares shkresën, bazuar në atë që parashikon qartë Kushtetuta, pra për përfundimin e mandatit në vitin 2025. Ka qenë vetë zonja Spiropali, e cila në shkelje të hapur me ligjet shqiptare ka ndryshuar afatin për përfundimin e mandatit të anëtarit që zëvendëson Elsa Toskën, nga 2025 në 2028. Deri në publikimin e këtij shkrimi, në faqen e Kuvendit vijon të mbetet i publikuar varianti i ndryshuar nga Elisa Spiropali. Dhe, në fakt, nuk duket të jetë pakujdesi, por një plan i mirëmenduar për të vënë nën kontrollin e Spiropalit edhe Gjykatën Kushtetuese.

Burime të VNA bëjnë me dije se konsiderimi i mandatit të znj. Toska si i plotë, pra 9-vjeçar, mund të marrë shumë shpejt votat e Kuvendit menjëherë pas zëvendësimit të saj. Ndërsa kjo duket së afërmi në horizont, problemi qëndron tek precedenti që sjell ky ndryshim pasi ai do të bëhet i aplikueshëm edhe për mandatet e dy anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, ashtu si znj. Toska, kanë mandate që iu përfundojnë në 2025. Bëhet fjalë për kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçe, dhe anëtaren Sonila Bejtja. Pra, nëse Kuvendi vendos që mandati i znj. Toska do të zgjatet deri në 2028, automatikisht edhe për mandatet e dy anëtareve të tjera do të zbatohet e njëjta procedurë, për shkak të barazisë në trajtim të situatave të ngjashme.

Rregullat e përfundimit të mandatit për secilin nga anëtarët e Gjykatës janë përcaktuar në Kushtetutë (neni 179) dhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese (neni 86). Kjo pjesë e Kushtetutës iu nënshtrua analizës nga Komisioni i Venecias, i cili mbështeti zgjidhjen që Gjykata të përbëhej nga 9 anëtarë, me 3 emërime nga Kuvendi, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Gjithashtu, Komisioni i Venecias mbështeti rregullin e Kushtetutës, që riperteritja në Gjykatë të bëhej “çdo 3 vjet, me 3 anëtarë”. Kjo do të siguronte një riperteritje graduale të Gjykatës, duke shmangur rrezikun që një forcë politike, që ka në dorë Kuvendin dhe Presidentin, të zëvendësonte deri në 6 anëtarë. Për këtë arsye, Komisioni i Venecias përcaktoi edhe zgjatjen e mandateve të emërimeve të para në Gjykatën Kushtetuese të reformuar. Sipas Komisionit të Venecias, 3 mandate përfundojnë në 2025, 3 mandate përfundojnë në 2028, dhe kështu me radhë çdo 3-vjeçar. Kushtetuta dhe ligji i Gjykatës parashikojnë që në 2025 duhet të përfundojnë mandatet e Toskes, Zaces dhe Bejtjas.

Nëse tolerohet skema e Spiropalit, ku mandati i Toskës zgjatet deri në 2028 dhe, për këtë precedent, edhe dy mandatet e tjera që përfundojnë në 2025, atëherë do të ndodhë që në 2028 do të jenë plot 6 mandate që përfundojnë brenda një viti. Kjo do të shkelte rregullin kushtetues të riperteritjes graduale (çdo 3 vjet - vetëm 3 zëvendësime), e cila është garancia që një mazhorancë të mos mund të “kapë” me një të rënë të lapsit (të Spiropalit) 6 mandate në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo lëvizje e mirëmenduar e kryetares së Kuvendit duket se i vjen për shtat dhe kryetares aktuale të Gjykatës Kushtetuese. Përndryshe, vështirë të gjesh arsye pse Elisa Spiropali shkel Kushtetutën për të favorizuar një kandidaturë që pritet të zyrtarizohet dhe dy të tjera që presin të përfitojnë nga e njëjta procedurë.

Që PS prej kohësh përpiqet të shtrijë tentakulat e saj tek ato pak segmente të drejtësisë që kanë mbetur jashtë tutelës së saj është tashmë një fakt i njohur. Ajo që ende mbetet e panjohur është deri ku shkon guximi i drejtuesve të Kuvendit dhe Kushtetutës për të plotësuar orekset politike? Pse hesht pjesa më e madhe e politikës dhe opozita për këtë shkelje? Fakt mbetet që Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë së shpejti çështje me rëndësi të veçanta si ajo për ish kryeministrin Sali Berisha dhe atë të komunikimeve në Sky ECC dhe EncroChat që çoi në arrestimin e shumë zyrtarëve të lartë. Do të jetë kjo Gjykatë që do përcaktojë nëse këto komunikime do të mund të shërbejnë si prova ose jo në hetimet e SPAK ndaj individëve apo grupeve kriminale që kanë përdorur këtë platformë komunikimi. Askush nuk e di se ç’qëndrim ka Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Sikundër ende nuk dihen arsyet e vërteta që e kanë shtyrë Kryetaren e Kuvendit të shkelë Kushtetutën. Që dhe e katandisur në duart e mazhorancës si letër bakalli, së paku meriton respekt nga dy zonjat që fati më shumë se meritat i caktoi të jenë rojtare të Kushtetutës së Shqipërise.

Video

Si një orangutan bashkoi një pyll të ndarë ?? Kur një rrugë ndau pyllin në Sumatra, orangutanët mbetën të izoluar në dy grupe, duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e tyre. Për t’i lidhur sërish, Sumatran Orangutan Society dhe Tangguh Hutan Khatulistiwa ndërtuan një urë mes pemëve. Por për dy vite askush nuk e përdori… derisa një orangutan i vetëm guxoi të kalojë. Ky hap i vogël mund të bëjë një ndryshim të madh për mbijetesën e gjithë komunitetit, siç thekson edhe Helen Buckland.

Pas alarmit për një bombë në qendrën tregtare “Toptani” në Tiranë, ka reaguar Policia e kryeqytetit. Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontroll të plotë të ambienteve. Pas verifikimeve, autoritetet bëjnë me dije se nuk është konstatuar asnjë send i dyshimtë apo i paligjshëm, duke qetësuar kështu situatën për qytetarët dhe vizitorët e qendrës tregtare.

Banorët e Rrjollit kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik të lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si zaptim të tokave të tyre. Disa prej tyre kanë tentuar të depërtojnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit. Të revoltuar, banorët akuzojnë policinë se po mbron interesat e ndërtuesve dhe jo të qytetarëve. Në protestë ka pasur prezencë të shtuar të policisë, ndërsa tensionet kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës. Banorët kanë vijuar me thirrjet dhe akuzat ndaj autoriteteve, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga toka e tyre. “Ne nuk ikim nga toka jonë”, u shprehën protestuesit, teksa i bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’u bashkohen në mbështetje të kauzës së tyre.

Tensione dhe përplasje janë shënuar pak minuta para nisjes së përballjes së kryeqytetit Tirana-Partizani. Ndeshja e sotme zhvillohet në Air Albania.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme