Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se qeveria e saj nuk do të ndërmarrë nismë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën 16 vjeç, duke vënë në dyshim efektivitetin e masave të tilla.
Në përfundim të samitit të G7, Meloni tha se nuk është kundër një ndalimi të tillë, por nuk beson se ai mund të zgjidhë problemin, pasi kufizimet mund të anashkalohen lehtësisht. Sipas saj, një ndalim i përgjithshëm rrezikon gjithashtu të transferojë një pjesë të përgjegjësisë te familjet.
Ajo theksoi se qeveritë duhet të ushtrojnë më shumë presion mbi platformat dixhitale që të marrin përgjegjësitë e tyre për mbrojtjen e të miturve. Për këtë arsye, qeveria italiane nuk do të paraqesë një dekret apo projektligj të posaçëm, duke ia lënë diskutimin Parlamentit.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të vendosë një ndalim të rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç, ndërsa Franca do të zbatojë një masë të ngjashme për personat nën 15 vjeç. Liderët e G7, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, miratuan një deklaratë për mbrojtjen e fëmijëve në internet, pa përmendur ndonjë ndalim të aksesit në rrjetet sociale.






















