Editorial 12 Shtator 2024, 19:14 Nga VNA

Qëndresa ndaj kapjes së drejtësisë: Si distancimi i ekspertëve zbuloi qëllimin e Komisionit Xhafaj-Rama

Ndaje në Whatsapp
Qëndresa ndaj kapjes së drejtësisë: Si distancimi i

Nga Desada Metaj

Edi Rama, në të gjitha daljet e tij publike të kohëve të fundit, nuk lë rast pa mbështetur fort komisionin parlamentar të drejtuar nga Fatmir Xhafaj. I konsideruar nga kryeministri si komisioni "antikorrupsion" dhe nga disa vëzhgues si "anti-SPAK", ky komision ka punuar në heshtje gjatë muajit gusht, pikërisht në ditët kur në zyrat e Kuvendit gjenden vetëm rojet e godinës.

Edhe reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për angazhimin në komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit, kryeministri e “paketoi” si mbështetje për iniciativën e tij. Megjithatë, SHBA si mbështetësit e reformës në drejtësi qartazi theksuan se “presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë.”

Politikisht, deri më sot, komisioni Xhafaj nuk është gjithëpërfshirës. Asnjë deputet i opozitës, pavarësisht thirrjeve të Elisa Spiropalit edhe në konferencën e fundit të kryetarëve, nuk ka pranuar të jetë pjesë e tij. Një pjesë e mirë e deputetëve të PD, nën ndikimin e kryetarit Berisha dhe për shkak të problemeve të tij me Prokurorinë e Posaçme, nuk duan SPAK-un të fortë dhe në pozitat aktuale. Por në të njëjtën kohë, me gjithë tundimin, kaq pranë zgjedhjeve ata hezitojnë të përfshihen në një tjetër bashkëpunim me Ramën, duke u distancuar nga "njolla" e amnistisë dhe listave të mbyllura. Në këto kushte, me gjasë Berisha do të propozojë ngritjen e një komisioni paralel me atë të Xhafajt, çka do shtojë amullinë dhe presionin ndaj institucioneve të drejtësisë.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e institucioneve shtetërore që duhet të dërgojnë përfaqësues të tyre në këtë komision kanë dorëzuar listat e ekspertëve. Këta ekspertë, teorikisht, do të jenë ndihmës të Fatmir Xhafajt për të evidentuar momentet dhe pikat ku çalon puna e institucioneve të drejtësisë (lexo SPAK).

Në listën e publikuar, me një vëzhgim sipërfaqësor bie në sy përfaqësuesi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bledar Mustafaraj, eksperti që KLSH ka zgjedhur të dërgojë në komisionin Xhafaj. Mustafaraj është një ish-prokuror i larguar gjatë procesit të vetingut. Se si mundet një ish-prokuror të analizojë dhe të marrë pjesë në një proces për riformimin e drejtësisë që e ka përjashtuar nga radhët e saj, kjo mbetet ende e paqartë. Po ashtu, në listën e ekspertëve nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, spikat emri i ish-hetueses Violanda Theodhorit, e cila njëkohësisht është dhe kandidate e përzgjedhur nga shoqëria civile për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit. Zonja Theodhori, në fakt, një ish-prokurore e regjimit komunist dhe pranë moshës së pensionit, të “habit” me aftësinë për të kaluar të gjitha pengesat ligjore dhe për t'u emëruar si kandidate e KLGJ dhe tashmë si eksperte pranë komisionit Xhafaj.

Nëse lista e ekspertëve mund të jetë e diskutueshme, nuk ka më asnjë diskutim për faktin se SPAK nuk do të dërgojë asnjë ekspert në këtë komision. Pas një mbledhjeje të prokurorëve, SPAK ka vendosur që nuk ka arsye për të dërguar ekspertë, pasi të gjitha problemet ligjore në lidhje me rritjen e efikasitetit të SPAK janë bërë publike në raportin vjetor.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, Gjykata e Lartë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme gjithashtu deri më sot nuk kanë dërguar ende ekspertët e kërkuar nga Fatmir Xhafaj për t'u atashuar si ekspertë pranë komisionit të reformës mbi reformën në drejtësi.

Nëse ekspertët e SPAK, KLGJ, PP dhe ILD do të merrnin pjesë, Xhafaj dhe Rama do të kamuflonin qëllimet e tyre diabolike për të goditur drejtësinë, duke e prezantuar atë si një “pjesëmarrje konsultative të vetë ekspertëve të tyre”. Për këtë arsye, qëndrimi i Altin Dumanit në komisionin e ligjeve se “nuk ka nevojë për ndryshime të ligjeve të drejtësisë”, përveç asaj që është shkruar në raportin vjetor, përfaqëson distancën më të mirë higjienike që drejtësia e re duhet të mbajë nga politika.

Kjo mospjesëmarrje qartazi ka lënë pezull mbledhjet e këtij komisioni, që megjithë hovin e madh të gushtit, shtatori e ka gjetur në procesin e “lypjes” të ekspertëve të munguar apo të deputetëve nga opozita parlamentare. Qartazi, kushti i ndërkombëtarëve për “gjithëpërfshirje” është bërë një pengesë e pakapërcyeshme në nismën e Edi Ramës për të vendosur nën kontroll edhe ato pak institucione, drejtuesit e të cilëve nuk vendosen në zyrat e kryeministrisë.

Rikthimi dhe promovimi i Fatmir Xhafajt si kryetar i një komisioni me shumë emërtime, por me një qëllim — kontrollin e shtuar mbi drejtësinë — është një plan i ri, por me qëllime të vjetra. Edhe zgjatja e mandatit komisionit Xhafaj dhe synimet për kapjen e çdo segmenti të drejtësisë nuk janë fenomene të reja në politikën shqiptare. Megjithatë, vendosmëria e atyre që e incuan, bekuan dhe vazhdojnë të mbështesin rezultatet e reformës, kryesisht të SPAK mbetet garancia e vetme që çfarë është arritur (edhe pse jo sa pritej) nuk do t'i jepet më koncesion mazhorancës.

 

Video

Si një orangutan bashkoi një pyll të ndarë ?? Kur një rrugë ndau pyllin në Sumatra, orangutanët mbetën të izoluar në dy grupe, duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e tyre. Për t’i lidhur sërish, Sumatran Orangutan Society dhe Tangguh Hutan Khatulistiwa ndërtuan një urë mes pemëve. Por për dy vite askush nuk e përdori… derisa një orangutan i vetëm guxoi të kalojë. Ky hap i vogël mund të bëjë një ndryshim të madh për mbijetesën e gjithë komunitetit, siç thekson edhe Helen Buckland.

Pas alarmit për një bombë në qendrën tregtare “Toptani” në Tiranë, ka reaguar Policia e kryeqytetit. Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat e Antiterrorit, të cilat kanë kryer kontroll të plotë të ambienteve. Pas verifikimeve, autoritetet bëjnë me dije se nuk është konstatuar asnjë send i dyshimtë apo i paligjshëm, duke qetësuar kështu situatën për qytetarët dhe vizitorët e qendrës tregtare.

Banorët e Rrjollit kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik të lidhur me biznesmenin Bashkim Ulaj, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si zaptim të tokave të tyre. Disa prej tyre kanë tentuar të depërtojnë në zonën e kantierit përmes rrugëve alternative, por janë ndaluar nga forcat e rendit. Të revoltuar, banorët akuzojnë policinë se po mbron interesat e ndërtuesve dhe jo të qytetarëve. Në protestë ka pasur prezencë të shtuar të policisë, ndërsa tensionet kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës. Banorët kanë vijuar me thirrjet dhe akuzat ndaj autoriteteve, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga toka e tyre. “Ne nuk ikim nga toka jonë”, u shprehën protestuesit, teksa i bënë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që t’u bashkohen në mbështetje të kauzës së tyre.

Tensione dhe përplasje janë shënuar pak minuta para nisjes së përballjes së kryeqytetit Tirana-Partizani. Ndeshja e sotme zhvillohet në Air Albania.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme