
Para se të shpërthente debati për projektin e Kushnerit në Zvërnec, paralajmërimet për flamingot dhe biodiversitetin e Nartës kalonin pothuajse pa u vënë re. Prej vitesh, organizata mjedisore shqiptare dhe ndërkombëtare, ekspertë të Konventës së Bernës dhe ornitologë paralajmëronin se ndërtimi i aeroportit të Vlorës në zemër të një prej habitateve më të rëndësishme për shpendët migratorë në Adriatik do të sillte pasoja jo vetëm për natyrën, por do të ngrinte edhe çështje të sigurisë së aviacionit.
Pak kush i dëgjonte. Më pak akoma fliste politika. Në qendër të debatit ishte zhvillimi ekonomik dhe nevoja për një aeroport të ri. Ndërkohë, raportet shkencore flisnin për një realitet tjetër: flamingot, pelikanët dhe dhjetëra specie të tjera shpendësh ndajnë të njëjtën hapësirë me korridorin e uljes dhe ngritjes së avionëve.
Paradoksi është se sot, kur debati publik është zhvendosur drejt Zvërnecit, po harrohet se alarmi i parë nuk lidhej me resortet, por me aeroportin. Dhe sipas këtyre raporteve, sfida nuk nis me projektin e ardhshëm të Kushnerit, por me avionin e parë që do të ngrihet nga pista e Vlorës.
Vetë raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të aeroportit e identifikonte si një nga pyetjet kryesore të studimit: “Sa i lartë do të jetë incidenca e përplasjeve të shpendëve, sidomos atyre të mëdhenj dhe të mesëm, me avionët gjatë ngritjes dhe uljes?”. Po ky raport citon studime sipas të cilave rreth 90% e incidenteve me shpendë ndodhin në lartësi më të ulëta se 1000 metra, ndërsa shumica dërrmuese e tyre në intervalin 100-300 metra, pikërisht gjatë fazave kritike të ngritjes dhe uljes.
Në vitin 2023, misioni i përbashkët i Konventës së Bernës, AEWA dhe CMS identifikoi në zonën e Nartës rreth 40 specie shpendësh, përfshirë edhe flamingon e madh, ndërsa raporti i tyre nënvizoi nevojën për vlerësim të kujdesshëm të rrezikut të përplasjeve me shpendët.
Edhe Instituti Ornitologjik Zviceran paralajmëroi se ekziston një konflikt i natyrshëm mes ruajtjes së habitateve të shpendëve dhe kërkesave të sigurisë së aviacionit. Sipas ekspertëve zviceranë, masat më efektive për të ulur rrezikun e përplasjeve janë pikërisht ato që reduktojnë praninë e shpendëve, çka bie në kundërshtim me objektivat e ruajtjes së biodiversitetit në Vjosë-Nartë.
Ironia është se për vite me radhë flamingot u konsideruan si një çështje e specialistëve dhe ambientalistëve. Vetëm kur në Zvërnec u shfaqën emra të mëdhenj investitorësh dhe protestat e qytetarëve e kthyen lagunën në një kauzë kombëtare, Shqipëria zbuloi se në Nartë ekzistonin flamingot.
Por raportet ishin aty shumë më herët. Dhe ato nuk flisnin vetëm për një specie të bukur që zbukuron kartolinat turistike. Ato ngrinin pyetje serioze mbi bashkëjetesën mes një aeroporti ndërkombëtar dhe një prej zonave më të rëndësishme të shpendëve migratorë në Adriatik.
Sot flamingot janë kthyer në simbol protestash, rezolutash dhe debatesh ndërkombëtare. Por shumë përpara se emri i Zvërnecit të dilte në titujt e mediave, raportet shkencore paralajmëronin për Nartën dhe aeroportin e Vlorës. Atëherë nuk pati protesta dhe pak kush u interesua. Ironia është se ndërsa debati publik është përqendruar te një projekt që ende nuk ka nisur, pyetjet që ekspertët ngrinin prej vitesh për aeroportin do të marrin përgjigje shumë më shpejt. Ndoshta që me avionin e parë që do të ngrihet nga Vlora.






















