
Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS për të mbajtur një nga fjalimet më të gjata dhe më të ashpra kundër protestave për Zvërnecin, duke i paraqitur ato si pjesë të një “cikloni dixhital” global të ushqyer nga algoritmet, urrejtja online dhe kundërshtarët e Donald Trump.
Sipas Ramës, Shqipëria është kthyer prej 20 ditësh në “syrin e një cikloni dixhital”, ndërsa Zvërneci është shndërruar në “kërthizën e botës”, ku sipas tij janë bashkuar aktivistë, patriotë dixhitalë, media ndërkombëtare, parti politike, biznesmenë, aktorë shtetërorë armiqësorë dhe opozita shqiptare.
Kryeministri tha se protestat nuk zhvillohen më në shesh, por në algoritëm, duke argumentuar se sheshi shërben thjesht si “studio televizive” për të prodhuar materiale që ushqejnë rrjetet sociale.
Ai sulmoi blogerët dhe influencerët që kanë mbështetur protestat, duke i cilësuar “parelinj me shalë e kremra” që dalin në tubime vetëm sepse është trendi dhe sepse kanë frikë të mbeten jashtë valës së vëmendjes.
Rama foli për lindjen e një klase të re që e quajti “proletariati i algoritmit”, një kategori njerëzish që sipas tij nuk bashkohen nga puna dhe prodhimi, por nga dëshira për t’u dukur dhe për të fituar vëmendje në ekran. Sipas tij, kjo është hera e parë që demokracia përballet me individë që nuk kanë ndërtuar asgjë në jetë, por që besojnë se mund të qeverisin më mirë se kushdo.
Duke iu referuar protestës për Zvërnecin, Rama tha se ajo nuk u ndërkombëtarizua për shkak të Nartës apo flamingove, por për shkak të emrit të Jared Kushner dhe “hijes së vjehrrit të tij”, Donald Trump.
“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urrejnë për vdekje të gjitha armatat online”, deklaroi ai.
Kryeministri komentoi edhe akuzat që qarkullojnë në rrjet për dosjen “Aruba”, duke thënë se nuk ka qenë kurrë në Aruba dhe se në epokën e algoritmeve përsëritja e vazhdueshme e një pretendimi mjafton që ai të perceptohet si i vërtetë.
“Fjala ‘drogagji’ është një refren që më ndjek si e vërtetë”, tha Rama, duke shtuar se në të njëjtën mënyrë janë kthyer në “të vërteta” edhe akuza të tjera ndaj tij.
Në fjalën e tij nuk munguan as ironitë ndaj sloganit të protestuesve “Edi Rama ka mbaru”.
“Ikën mbrëmja, vjen mëngjesi dhe unë këtu jam”, tha kryeministri.
Rama lëshoi shigjeta edhe ndaj ish-deputetes socialiste Marjana Koçeku, pa e përmendur me emër, kur deklaroi se “ata që e kalëruan këtë parti sa mundën, kur ranë nga kali filluan ta gjuajnë me këpucët e blera mbi kalë”.
Në thelb, mesazhi i kryeministrit ishte se protesta për Zvërnecin nuk është më një debat për mjedisin apo zhvillimin, por një produkt i epokës së algoritmeve, ku sipas tij konflikti, zemërimi dhe virali kanë zëvendësuar faktin dhe arsyen.






















