
Në një fjalim që zgjati rreth një orë, kryeministri Edi Rama u përpoq të bënte “zbulimin” e madh politik të momentit se pse qytetarët protestojnë prej 20 ditësh radhazi poshtë zyrës së tij. Dhe sipas tij, fajtori nuk ishte varfëria, korrupsioni apo mungesa e shpresës, por… algoritmi.
Përballë deputetëve të tij, të cilët zakonisht i mbledh vetëm kur duhet të justifikojë ndonjë “mëkat” të qeverisë, Rama këtë herë veshi petkun e ekspertit të IT-së, sociologut digjital dhe analistit të rrjeteve sociale. Sipas tij, shumica e protestuesve nuk dalin në shesh për revoltë qytetare, por për klikime, “like” dhe followers-a.
Rama tha se poshtë zyrës së tij është krijuar një skenë ku njerëzit përfshihen në protesta për vëmendje virtuale, duke e lidhur këtë me atë që ai e quajti “proletariati i algoritmit”.
Sipas tij, algoritmi u ka dhënë njerëzve diçka që dikur fitohej vetëm pas shumë vitesh pune, dukjen dhe vendosjen në qendër të vëmendjes publike. Në këtë logjikë, nuk ka rëndësi nëse ajo që shpërndahet është e drejtë apo jo; mjafton të jetë e fortë, skandaloze dhe të prodhojë reagim, sepse algoritmi, ashtu si droga, kërkon gjithmonë një dozë më të madhe.
Një analizë filozofiko-digjitale që, sipas tij, shpjegon protestat. Vetëm se problemi është se realiteti jashtë sallës së PS-së nuk funksionon me filtrat e propagandës.
Sepse protestat nuk kanë lindur nga algoritmi. Protestat kanë lindur nga sistemi që vetë Rama ndërtoi për më shumë se një dekadë. Nga mungesa e shpresës. Nga largimet masive të të rinjve. Nga kostot e jetës që janë bërë të papërballueshme. Nga korrupsioni qeveritar që është kthyer në normalitet administrativ. Nga një keqqeverisje që tek të rinjtë ka vrarë bindjen se mund të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre.
Por, në një pikë, shqetësimi i kryeministrit për “algoritmin” është plotësisht i kuptueshëm. Sepse nëse në Shqipëri është instaluar kultura e dukjes, e propagandës vizuale dhe e transformimit artificial të realitetit, këtë nuk e shpiku TikTok-u. E ndërtoi vetë Edi Rama.
Në këtë rast thuhet se karma bën të vetën.
Për vite me radhë, Rama ka qeverisur përmes Facebook-ut të tij, videove të kuruara, sloganit, montazhit propagandistik dhe kontrollit të narrativës publike. Ai ka qenë përdoruesi dhe përfituesi më i madh i algoritmit në Shqipëri. Një algoritëm që ka shitur vazhdimisht një Shqipëri të bukur në ekran, me investime, ngjyra dhe fasada që “lulëzojnë”, ndërsa realiteti jashtë kamerës ka qenë emigracion, papunësi, varfëri dhe zhgënjim.
Madje, është pikërisht kryeministri që e ktheu kulturën e algoritmit në standard politik për vartësit e tij. Sot, ish-bashkëpunëtorë të Ramës e kanë pranuar publikisht se puna e ministrit nuk matej me rezultatet për qytetarët, por me numrin e pëlqimeve në Facebook dhe performancën mediatike. Në një qeveri ku propaganda kishte më shumë rëndësi se politika publike, “engagement”-i shpesh vlente më shumë se përgjegjësia.
Por tani problemi është se algoritmi nuk po punon më vetëm për propagandën.
Sot ai po transmeton revoltën reale të qytetarëve. Nuk nxjerr më “lindjen e diellit në perëndim”, siç ka bërë propaganda për vite, por nxjerr hallet, zemërimin dhe frustrimin e përditshëm të njerëzve. Dhe pikërisht këtu nis shqetësimi i Ramës, jo sepse algoritmi gënjen, por sepse këtë herë nuk kontrollohet vetëm prej tij.
Kryeministri që ndërtoi për 13 vite modelin e politikanit-influencer, sot po ankohet nga pasojat e kulturës që vetë promovoi. Dhe ndoshta sulmet e tij ndaj influencer-ave kanë një pjesë të së vërtetës, por për qytetarin e zakonshëm kjo ka pak rëndësi. Sepse algoritmi i disa të rinjve në TikTok nuk i rrit çmimet, nuk i zbraz qytetet dhe nuk i detyron njerëzit të largohen nga vendi.
Ndërsa algoritmi i pushtetit, ai i propagandës së ndërtuar nga Rama ndër vite, ka prodhuar pasoja shumë më të mëdha për vendin dhe shoqërinë. Prandaj, në këtë rast, ndoshta vlen të thuhet, “rroftë algoritmi që, për herë të parë pas shumë vitesh, nuk po punon vetëm për propagandën”.






















