Politika 8 Korrik 2025, 17:12 Nga VNA

“Shenjë e keqe për demokracinë”: Kuvendi neglizhon raportimin e institucioneve

Ndaje në Whatsapp
“Shenjë e keqe për demokracinë”: Kuvendi neglizhon

Procesi monitorues i Kuvendit për punën e 26 institucioneve të pavarura - kushtetuese dhe të krijuara me ligj - ka dështuar të kryhet në kohë duke sjellë, sipas ekspertëve, pasoja në funksionalitetin e tyre dhe për vetë demokracinë.

Kuvendi i Shqipërisë mbylli të enjten punimet e legjislaturës së 10-të parlamentare duke votuar një dyzinë me ligje të propozuara nga qeveria, por duke lënë mënjanë raportimin e institucioneve të pavarura – kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj – një proces mbikëqyrës parlamentar që duhej të kryhej brenda muajit qershor, sipas detyrimit ligjor në Rregulloren e Kuvendit.

Dhjetëra institucione të pavarura që raportojnë në Kuvend për punën e një viti më parë – bazuar në rekomandimet e lënë nga Kuvendi dhe rekomandimeve që burojnë nga procesi i integrimit europian – nuk arritën ta kryenin këtë detyrë funksionale për shkak të neglizhencës së Kuvendit.

Procesi parashikonte raportimin mbi punën dhe gjendjen e sektorëve për vitit 2024 në komisionet përgjegjëse dhe më pas në seancë plenare të krerëve institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Para deputetëve duhej të raportonin drejtuesi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Prokurori i Përgjithshëm, Inspektoriati i Drejtësisë, si dhe institucione të tjera të rëndësishme si Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Banka e Shqipërisë.

Raportimi në Kuvend i këtyre institucioneve konsiderohet si një proces thelbësor demokratik dhe transparent, ku publiku ka mundësinë të njihet me gjendjen e gjyqësorit, për ecurinë e luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për problematikat e ekonomisë, etj..

Por, edhe pse institucionet i dorëzuan raportet sipas afateve ligjore dhe këto dokumente u bënë pjesë e një konsultimi publik, madje dhe u përfshinë formalisht në kalendarin e punës së Kuvendit për periudhën 19 qershor -8 korrik, Kuvendi nuk e realizoi këtë proces, duke e lënë në dorë të legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, që nis punën në shtator.

Edhe pse vonesa në dukje iu faturua një pushimi të gjatë, më shumë se dy mujor, të aktivitetit parlamentar me justifikimin e angazhimit të deputetëve në fushatën zgjedhore, nuk pati ndonjë angazhim konkret të Kuvendit për të gjetur një mekanizëm për realizimin e raportimeve.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për të komentuar pasojat që sjell mosrealizimi i procesit për rolin mbikqyrës të Kuvendit dhe për vetë funksionalitetin e institucioneve të pavarura, por gjatë seancës së fundit parlamentare ajo hoqi përgjegjësinë nga vetja dhe sugjeroi se procesi mund të kryhet dhe tej afateve ligjore.

“Nuk është në tagrin e Kryetares së Parlamentit të përcaktojë kalendarin e komisioneve parlamentare , unë besoj se parlamenti i ri do të ketë legjitimitetin për t’i thirrur edhe për t’i dëgjuar dhe hartuar rezolutat”, tha Spiropali duke iu përgjigjur shqetësimit të deputetit demokrat Bujar Leskaj për këtë çështje.

Procedura ligjore parashikon që pas seancave dëgjimore publike me krerët e institucioneve Kuvendi miraton rezoluta periodike me vlerësime dhe rekomandime dhe i vetmi mekanizëm mbikëqyrje për zbatimin e tyre është raportimi pasardhës vjetor.

Proces formal dhe në dëm të demokracisë

Organizatat e të drejtave të njeriut që monitorojnë punën e Kuvendit e shohin këtë neglizhencë të Kuvendit për të ushtruar në kohë rolin e vet kontrollues si një rrezik për demokracinë e funksionalitetin e institucioneve të pavarura dhe kthimin e këtij procesi në një formalitet.

“Nuk qëndron alibia e drejtueses së Kuvendit së janë përgjegjës komisionet, për aq kohë sa kryesia e Kuvendit është e detyruar të menaxhojë kalendarin dhe axhendën dhe të detyrojë komisionet të fusin në axhendë çështje me interes dhe të mbrojë parlamentarizmin”, i tha BIRN-it, Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.

Duke e cilësuar situatën e krijuar si “paradoksale dhe shenjë e keqe për demokracinë dhe parlamentarizmin”,  Krasniqi e lidh këtë sjellje të Kuvendit me kontekstin e rezultateve zgjedhore të majit dhe fitoren e thellë të Partisë Socialiste në pushtet.

“Mazhoranca ka fituar një shumicë dërrmuese të mandateve dhe deri diku është dobësuar i gjithë koncepti i institucioneve të pavarura dhe rëndësia e tyre dhe raporti i tyre me parlamentit dhe vetë funksioni mbikëqyrës i parlamentit”, thekson ai.

Sipas Krasniqit ky është gjithashtu “një mesazh negativ” se si do të jetë legjislatura e ardhshme, -“një mazhorancë solide që e bën të panevojshme rolin e opozitës dhe automatikisht dërgon mesazhin që institucionet e pavarura nuk do të jenë më të pavarura, por do të jenë të cënueshme”.

Edhe Erida Skëndaj, drejtoreshë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, e quan dështim të Kuvendit që të kryejë në kohën e duhur funksionin e tij mbikëqyrës ndaj institucioneve të pavarura.

“Shoqëruar me faktin e dështimit prej kohësh të zgjedhjes së titullarëve të institucioneve të pavarura si Avokati i Popullit apo Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kjo dobësoi klimën e llogaridhënies së organit që mban pushtetin ligjbërës që duhet të ishte modeli kryesor për institucionet dhe zgjedhësit, i respektimit të parimeve të shtetit ligjor”, i tha ajo BIRN-it.

KSHH dhe organizatat e tjera u përfshinë me komentet dhe sugjerimet e tyre në procesin e konsultimit publik që ishte i hapur në platformën e Kuvendit deri më datë 23 qershor, por siç thotë Skëndaj, duket se procesi i konsultimit është përdorur si mjet formal për të justifikuar  shtyrjen pa afat të raportimit të institucioneve.

“Kuvendi nuk i’u përgjigj me të njëjtën korrektesë e përgjegjshmëri institucionale, aktorëve që konsultuan dhe dhanë mendime për raportet e këtyre institucioneve”, tha më tej Skëndaj duke iu referuar konsultimit.

Edhe pse në dukje krijohet ideja se procesi u shty për arsye të kohës së shkurtër që ishte në dispozicion që nga momenti i konsultimit publik deri në datën 3 korrik kur Kuvendi mbylli punimet,  Lorin Kadiu, kryeredaktor i “Citizens Channel”, po ashtu një organizatë që monitoron transparencën e Kuvendit, e quan këtë shtyrje të “qëllimshme”.

“Kuvendi, pas vrullit për t’u angazhuar në fushatë elektorale zgjodhi të hyjë në një periudhë të gjatë pushimesh, duke lënë pas dore një nga funksionet e tij thelbësore: monitorimin e institucioneve të pavarura”- i tha ai BIRN-it, duke shtuar se “kjo vonesë nuk është thjesht teknike, është një pengesë reale për vetë institucionet, për transparencën dhe për procesin e llogaridhënies që duhej të ndihmonte përmirësimin konkret të punës së tyre”.

Të treja organizatat shohin me shqetësim se kjo shtyrje do të sjellë për pasojë kthimin e këtij procesi të rëndësishëm në një akt formal në të ardhmen.

“Krijohet një situatë formale dhe paradoksale”, thotë Afrim Krasniqi, sipas të cilit në një parlament ku do të jenë 70 për qind deputetë te rinj do të kërkohet llogari për detyra të lëna nga parlamenti i mëparshëm në 2024 dhe do të lënë detyra për vitin 2025 kur viti do të jenë në përfundim.

Edhe për Kadiun moskryerja në kohë e procesit e kthen atë në formalitet dhe ka pasoja në proceset e tjera demokratike që duhet të ushtrojë Kuvendi.

“Meqënëse shqyrtimi i këtyre raporteve është një proces që kërkon kohë dhe debat gjykoj se kjo shtyrje e zbeh ndikimin e rekomandimeve dhe e kthen këtë ushtrim në një formalitet pa peshë”- thotë ai.

Nga ana tjetër, sipas tij, kjo do të ketë pasoja edhe në procesin e transparencës pasi momentet kur institucionet vendosen përballë njëri-tjetrit në funksion monitorues krijojnë mundësitë e pakta për transparencë për publikun./BIRN/

 

Video

Më shumë se 50,000 njerëz dolën në rrugët e qytetit lindor të Valencias të shtunën, për të shënuar përvjetorin e parë të përmbytjeve shkatërruese të vitit të kaluar dhe për të protestuar kundër mënyrës se si autoritetet menaxhuan katastrofën. Demonstruesit, shumë prej të cilëve mbanin fotografi të viktimave, i bënë thirrje udhëheqësit rajonal Carlos Mazón që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për reagim të ngadaltë dhe neglizhencë ndaj një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse që ka goditur Evropën në dekadat e fundit.

Që prej mbrëmjes së kaluar, verilindja e vendit është përfshirë nga reshje të dendura dhe të pandërprera shiu, të cilat kanë shkaktuar vështirësi të shumta në qarkullimin rrugor dhe në disa raste edhe dëmtime infrastrukturore. Situata më problematike është regjistruar në qarkun e Kukësit, ku prania e ujit dhe rrëshqitjet e dherave kanë krijuar pengesa serioze në disa akse kryesore. Në rrugën hyrëse të qytetit të Kukësit, skarpata e rrugës është shembur duke rrëzuar një masiv të madh dherash dhe inertesh, me vëllim dhjetëra metërkubësh, çka solli bllokimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve. Fenomeni i rrëshqitjes së dherave dhe rënies së gurëve është vërejtur edhe në disa akse të tjera rrugore të qarkut. Probleme janë raportuar në rrugët që lidhin Kukësin me Shishtavecin, Kukësin me Peshkopinë, Kukësin me Fushë-Arrëzin, si dhe në aksin që lidh Bajram Currin me Luginën e Valbonës dhe Lekbibajn. Në këto segmente, reshjet e shumta kanë bërë që uji dhe inertet të mbulonin pjesërisht rrugët, duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe vonesa në qarkullim. Ndërkohë, në zonën e Shtiqenit, pranë aeroportit të Kukësit, është raportuar përmbytja e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke bujqësore. Në disa fshatra të qarkut janë shënuar gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike si pasojë e motit të keq dhe e dëmtimeve të përkohshme në rrjetin e shpërndarjes. Reshjet vijojnë me intensitet të lartë edhe gjatë ditës së sotme, duke krijuar vështirësi shtesë në qarkullim, veçanërisht në “Rrugën e Kombit”, ku prania e ujit në disa segmente e bën lëvizjen më të rrezikshme.

? Jasir Asani po shkëlqen në Iran! Sulmuesi i Kombëtares shqiptare gjeti sërish rrugën e rrjetës me Esteghlal, duke shënuar në ndeshjen e tretë radhazi. ⚽ Gol nga pika e bardhë dhe festë në stilin e tij: shqiponja ? dhe “Siuuu” si Cristiano Ronaldo!

Përmbytje në Vaun e Dejës, 15 banesa nën ujë pas reshjeve të dendura Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin këtë të diel kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit. Një nga më të prekurat është Bashkia Vau i Dejës, ku për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve janë regjistruar përmbytje në disa lagje.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme