Politika 7 July 2025, 19:29 Nga VNA

Rama në mandatin e katërt me uniformën e kryepolicit, bën autokritikë për hapësirat publike: Bllofi në Theth, ndërtim me “ligjin e të fortëve”

Ndaje në Whatsapp
Rama në mandatin e katërt me uniformën e kryepolicit, bën

Kryeministri Edi Rama, pak muaj pasi siguroi mandatin e katërt, ka vendosur të “veshë” uniformën e kryepolicit dhe ka dalë në terren për të ndëshkuar çdo biznes që ka zaptuar hapësira publike për qëllime private.

Madje, pathosi në thirrjet publike dhe urdhrat për lirimin sa më të shpejtë të këtyre hapësirave duket sikur vjen nga një kryeministër që sapo ka marrë mandatin e parë, dhe jo nga kreu i një qeverie që ndodhet në mandatin e tij të katërt. Ky “aksion në emër të interesit publik”, përtej spektaklit, është dëshmi e dështimit të institucioneve nën drejtimin e tij për të parandaluar zaptimet.

Një prej tyre është edhe rasti në Theth, ku një biznesmen ka ndërtuar një “fshat turistik” në fushën ikonike të zonës, duke shëmtuar peizazhin natyror piktoresk.

Disa ditë më parë, VNA publikoi një denoncim të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Imeldi Sokoli. Ai shprehu shqetësimin nëse Bashkia kishte dhënë leje ndërtimi për këtë projekt dhe, nëse jo, përse nuk kishte ndërhyrë IMT apo IKMT.

“Jam kurioz të di si është dhënë leja e ndërtimit në këtë rast nga Drejtoria e Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit e Bashkisë Shkodër?! Nëse ka një leje ndërtimi, duhet të hetohen personat që e kanë dhënë në një zonë të mbrojtur, si natyrore ashtu edhe historike. Nëse nuk ka leje ndërtimi, IMT dhe IKMT duhet të ndërhyjnë për të rikthyer hapësirën në gjendjen e mëparshme”, deklaroi Sokoli.

Ky denoncim ra në vesh të shurdhët. Asnjë institucion nuk reagoi deri në nisjen e aksionit “Tokë e Xanun”, kur më në fund reagoi Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë Shkodër.

Por në vend që të kërkojnë ndjesë publike për dështimin institucional për të ndalur ndërtimin pa leje, Rama dhe Beci u përpoqën të gjenin fajtorë, këtë herë, në zyrën e Prokurorisë së Shkodrës. Sipas Ramës, edhe pse policia kishte bërë kallëzim penal, prokurorja nuk kishte hetuar çështjen.

Menjëherë reagoi Prokuroria e Shkodrës, e cila përgënjeshtroi deklaratën e Kryeministrit, duke sqaruar se rasti ishte hetuar dhe se nuk ishte konstatuar vepër penale, por vetëm një shkelje administrative. Sipas saj, në këtë rast duhej të kishin vepruar organet që menaxhojnë territorin, si Bashkia apo IKMT.

Pra, përgjegjësia bie qartazi mbi Bashkinë Shkodër apo IKMT-në, të cilat, edhe pasi konstatuan ndërtimin pa leje në një zonë turistike të mbrojtur, nuk vepruan si zakonisht, duke çuar skavatorë apo policinë, por bënë një kallëzim në prokurori. Edhe pasi prokuroria e la të qartë se përgjegjësia ishte e tyre, institucionet sërish nuk ndërmorën asnjë veprim.

Për të sqaruar se kush lejoi “xanien e tokës”, po drejtojmë disa pyetje publike:

Pse IMT në Bashkinë e drejtuar nga Benet Beci, pasi konstatoi ndërtimin pa leje, nuk kërkoi ndihmën e policisë për të ndaluar ndërtimin, edhe pasi prokuroria konfirmoi se ishte në kompetencën e saj?

Si ka lidhur kontratën OSHEE dhe ujësjellësi me një ndërtim pa leje?

Këtyre pyetjeve duhet t’u japin përgjigje Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë. Sepse gjatë 12 viteve të fundit, termi “tokë e xanun” është kthyer në ligj për të fortët që ndërtojnë ku të duan pa u penguar nga askush. Ndërkohë, qytetarit të zakonshëm, sapo vendos tullën e parë, i shkon skavatori në 5 të mëngjesit, bashkë me një duzinë policësh, për ta tërhequr zvarrë nga banesa.

Faktet tregojnë se me këtë “ligj të të fortëve” është ndërtuar edhe në Theth, nga një individ i shpallur në kërkim nga SPAK.

 

Video

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv me ullishte në fshatin Grizë, pranë Borizanës, duke shkaktuar edhe djegien e një banese. Flakët janë përhapur me shpejtësi që prej mesditës, ndërsa në vendngjarje janë angazhuar tre mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Pamje të regjistruara nga një kamerë në makinë tregojnë momentin kur një efektiv policie ndjek një të dyshuar në një parking shumëkatësh të një qendre tregtare. Sipas policisë, drejtuesi i një automjeti tip Mercedes braktisi makinën dhe u largua në këmbë, pasi efektivët e kishin konstatuar duke drejtuar me shpejtësi të lartë dhe në mënyrë të rrezikshme. Pas largimit të tij, një pasagjere femër dyshohet se mori drejtimin e automjetit dhe vijoi lëvizjen, derisa policia e ndaloi makinën duke përdorur një pajisje për shfryrjen e gomave.

Një video virale nga jugut i Japonisë tregon stafin mjekësor i Spitalit të Kumamotos duke mbrojtur me trup pacientin dhe pajisjet gjatë tërmetit të fuqishëm. Pavarësisht lëkundjeve të forta, ekipi ruajti qetësinë dhe arriti ta përfundojë me sukses ndërhyrjen kirurgjikale. Spitali konfirmoi se pacienti është jashtë rrezikut për jetën. Reagimi profesional i mjekëve ka marrë vlerësime të shumta në rrjetet sociale për përkushtimin e treguar në kushte emergjence.

Një fluturim rutinë i kompanisë Jet2 drejt Mbretërisë së Bashkuar u kthye në kaos pasi dy pasagjerë u përleshën me grushte në korridorin e avionit. Stafi i kabinës, me ndihmën e disa udhëtarëve, ndërhyri menjëherë dhe arriti t'i ndante personat. Për shkak të rrezikut për sigurinë, piloti kreu një ulje të paplanifikuar në aeroportin më të afërt, ku policia arrestoi menjëherë dy agresorët. Kompania ajrore ka paralajmëruar se do të marrë masa të ashpra ndaj tyre, përfshirë ndalimin e përhershëm për të udhëtuar me këtë linjë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme