Politika 4 July 2025, 20:10 Nga VNA

Ndërhyrja e Ramës në Bashkinë e Vlorës zhbën ‘ndarjen ligjore të pushteteve’

Ndaje në Whatsapp
Ndërhyrja e Ramës në Bashkinë e Vlorës zhbën

Kritikat e shoqëruara me një valë dorëheqjesh pas një takimi me dyer të mbyllura të kryeministrit Edi Rama në Bashkinë e Vlorës ngrenë shqetësime për cënimin e autonomisë vendore dhe parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Një takim me dyer të mbyllura, i mbajtur të enjten në bashkinë e Vlorës nga kryeministri Edi Rama, u pasua me një furtunë dorëheqjesh nga drejtuesit e kësaj bashkie, sipas raportimeve mediatike.

Në takim ishin të pranishëm kryebashkiaku socialist, Ermal Dredha, ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe deputetë socialistë në këtë qark. Rama paralajmëroi se takime të ngjashme do të pasonin në Durrës, Fier, Elbasan dhe Shkodër për të diskutuar problematikat me shërbimet që u takojnë bashkive, si zënia e hapësirave publike nga lokalet apo parkimet.

“…është bërë e papranueshme dhe e padurueshme për shumë njerëz, për shumë lagje në qytetet e mëdha ushtrimi i forcës, ushtrimi i vullnetit abuziv, edhe patjetër, edhe sy mbyllja e strukturave përkatëse, siç për shembull, është krejtësisht evidente dhe e  pajustifikueshme në Vlorë,” tha më pas Rama në një lidhje live me ndjekësit në rrjetet sociale.

Përfshirja e kryeministrit Edi Rama në punët e pushtetit lokal vjen pas një fitoreje të thellë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, ndërkohë që kontrollon 54 nga 61 bashkitë e vendit.

Për ekspertët e pushtetit vendor, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Ramës në çështjet e pushtetit vendor përbën një cënim të rëndë të parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve.

Neni 13 i Kushtetutës përcakton se “Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore” dhe këto parime shtjellohen e mbrohen dhe në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.

Agron Haxhimali, drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare i tha BIRN se sjellja e Ramës i shkel kryekëput këto dispozita ligjore dhe i kthen bashkitë në ‘zyra partish’.

“Ndërhyrja e Kryeministrit Rama në shkarkimet në Bashkinë Vlorë përbën një cënim të qartë të autonomisë vendore dhe ndarjes së pushteteve,” tha Haxhimali.

Sipas tij, edhe pse shqetësimet lidhur me performancën qëndrojnë, mënyra e ndërveprimit për çështje administrative është e gabuar. “Bashkitë nuk janë zyra partish, as të partisë në pushtet, as të atyre në opozitë,” theksoi ai.

Haxhimali sqaron se bazuar në ligjin për vetëqeverisjen vendore, emërimet dhe shkarkimet në administratën e bashkisë janë kompetencë ekskluzive e kryetarit të bashkisë dhe se kjo ndërhyrje rrezikon sipas tij ta kthejë pushtetin vendor në një zgjatim politik të qeverisë qendrore.

Edhe Dhurata Çupi, ish- deputete e Partisë Demokratike që bashkëdrejtoi një komision parlamentar të posaçëm për reformën vendore, e sheh me shqetësim ndërhyrjen e kryeministrit në punët e bashkive.

“Shkarkimi i drejtorëve të bashkive  apo emërimi i  zëvendëskryetarëve të bashkive me urdhër të Kryeministrit, rasti i bashkive Vlorë dhe Tiranë, është një shkelje flagrante e parimeve të decentralizimit dhe autonomisë vendore, të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji shqiptar,” tha Çupi për BIRN.

Ajo e akuzon Ramën se në mënyrë të qëllimshme po kërkon të vendosë kontroll total mbi institucionet vendore, kontroll, që sipas saj, “i kthen bashkitë në varësi të Kryeministrit, në vend që të jenë në funksionin për të cilin janë votuar, atë të shërbimit ndaj qytetarëve”.

“Rama nuk po lufton as korrupsionin, as paaftësinë, por po zhbën totalisht ndarjet e pushteteve dhe sjellja e tij tregon interesin për kontroll edhe mbi vendimarrjet e bashkive,” shtoi ajo.

Sipas Çupit, ndërhyrjet politike nga qeveria qendrore në strukturat drejtuese të bashkive janë të ndaluar në mënyrë të qartë në nenet kushtetuese dhe në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”./BIRN/

 

Video

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv me ullishte në fshatin Grizë, pranë Borizanës, duke shkaktuar edhe djegien e një banese. Flakët janë përhapur me shpejtësi që prej mesditës, ndërsa në vendngjarje janë angazhuar tre mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Pamje të regjistruara nga një kamerë në makinë tregojnë momentin kur një efektiv policie ndjek një të dyshuar në një parking shumëkatësh të një qendre tregtare. Sipas policisë, drejtuesi i një automjeti tip Mercedes braktisi makinën dhe u largua në këmbë, pasi efektivët e kishin konstatuar duke drejtuar me shpejtësi të lartë dhe në mënyrë të rrezikshme. Pas largimit të tij, një pasagjere femër dyshohet se mori drejtimin e automjetit dhe vijoi lëvizjen, derisa policia e ndaloi makinën duke përdorur një pajisje për shfryrjen e gomave.

Një i ri me origjinë afrikane ka humbur jetën në Ceuta, pasi tentoi të hynte ilegalisht në enklavën spanjolle nga Maroku duke përdorur parashutë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes, kur i riu ra në det. Ekipet e shpëtimit e nxorën nga uji dhe tentuan ta rikthenin në jetë, por pa sukses. Sipas autoriteteve spanjolle, kjo metodë është përdorur nga disa migrantë që prej tetorit 2025, ndërsa dhjetëra persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin drejt Ceutës.

Administrata amerikane ka publikuar grupin e pestë të dosjeve të deklasifikuara mbi fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), duke përfshirë raporte, fotografi dhe video nga raste të pazakonta të raportuara ndër vite. Mes dëshmive të publikuara janë raportime për objekte të mëdha trekëndore që lëviznin pa zhurmë, sfera metalike dhe fenomene të vëzhguara nga pilotë ushtarakë e dëshmitarë civilë. Një prej rasteve më kurioze lidhet me një pilot që pretendon se në vitin 2002 pa mbi bazën ajrore Bagram në Afganistan një objekt trekëndor rreth 152 metra të gjerë, i cili lëvizte në heshtje dhe dukej se mbulonte yjet gjatë kalimit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme