Kongresisti republikan amerikan Joe Wilson dhe senatori Roger Wicker i kanë kërkuar Partisë Popullore Evropiane (EPP) që të ndërpresë çdo lidhje me Partinë Progresiste Serbe të presidentit Alekswndwr Vuçiç.
Në një letër drejtuar presidentit të EPP-së, Manfred Weber, dy ligjvënësit amerikanë kërkojnë që SNS-së t’i hiqet statusi i anëtarit asociativ dhe që EPP të distancohet plotësisht nga partia në pushtet në Serbi.
Wilson dhe Wicker e akuzojnë SNS-në për praktika autoritare, korrupsion dhe manipulim të procesit zgjedhor, ndërsa shprehen se partia nuk është e angazhuar ndaj vlerave demokratike dhe perëndimore.
Në letrën e tyre, ligjvënësit amerikanë i referohen edhe zgjedhjeve parlamentare të Serbisë të vitit 2023, të cilat sipas vlerësimeve të OSBE/ODIHR u zhvilluan në një mjedis ku pati avantazh të konsiderueshëm për partinë në pushtet dhe probleme që prekën procesin zgjedhor.
Sipas Wilson dhe Wicker, pushteti në Serbi ka përdorur burimet shtetërore dhe mediat publike në favor të tij, ndërsa rekomandimet e OSBE-së për përmirësimin e procesit zgjedhor nuk janë zbatuar në mënyrë të mjaftueshme.
Dy ligjvënësit shprehin shqetësim edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të planifikuara për 25 tetor 2026, duke pretenduar se të njëjtat praktika mund të përsëriten.
Në dokument përmenden gjithashtu marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, situata e mediave dhe akuzat për korrupsion. Wilson dhe Wicker argumentojnë se SNS nuk duhet të përdorë lidhjen me EPP-në si një mënyrë për të fituar legjitimitet politik në arenën europiane.
Në fund të letrës, dy ligjvënësit amerikanë i kërkojnë Weberit që EPP të heqë statusin e SNS-së dhe të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me partinë e Vuçiçit.






















