Politika 27 September 2026, 15:58 Nga VNA

Rama i kërkon SPAK-ut të mbrojë imazhin e SHISH, por kush duhej ta mbronte institucionin nga Vlora Hyseni?

Ndaje në Whatsapp
Rama i kërkon SPAK-ut të mbrojë imazhin e SHISH, por kush duhej

Kryeministri Edi Rama, menjëherë pas kthimit nga Nju Jorku, ngriti këtë të diel një shqetësim të fortë për mënyrën se si hetimi ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ka ekspozuar një prej institucioneve më të ndjeshme të shtetit.

Sipas Ramës, gjatë marrjes së masës së sigurisë dhe administrimit gjyqësor të dosjes, SHISH u ekspozua ndaj një dëmi që “mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht”, ndërsa të dhënat hetimore, sipas tij, “vërshuan nëpër kanale sociale” përpara se gjykata të kufizonte publikimin e tyre.

Kryeministri e çoi kështu një pjesë të përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar ndaj imazhit të SHISH te mënyra se si organet e drejtësisë administruan informacionin hetimor. Por pikërisht këtu deklarata e Ramës ka një kontradiktë të pastër: kush kishte përgjegjësinë politike dhe institucionale për ta mbrojtur SHISH-in përpara se çështja të mbërrinte në SPAK dhe në gjykatë?

Ergys Agasi ishte prej muajsh nën hetim dhe në kërkim, ndërsa në qarqe politike dhe mes njerëzve pranë Kryeministrisë flitej prej kohësh për një raport të papërshtatshëm mes tij dhe drejtueses së SHISH. Është e vështirë të besohet se zëra që qarkullonin në këto nivele nuk kishin mbërritur edhe te kryeministri, aq më tepër kur bëhej fjalë për drejtuesen e Shërbimit Informativ dhe një ish-këshilltare të tij.

Dhe pikërisht këtu fillon përgjegjësia që Rama sot ia kërkon drejtësisë.

Nëse prej muajsh ekzistonin sinjale dhe informacione që ngrinin pikëpyetje mbi raportet e drejtueses së SHISH me një person nën hetim dhe në kërkim, çështja nuk ishte më vetëm penale. Ishte edhe institucionale. Kryeministri nuk kishte nevojë të dinte çfarë kishte në dosjen e SPAK dhe as të shpallte Vlora Hysenin fajtore për të kuptuar se institucioni që ajo drejtonte po hynte në një zonë rreziku.

Në atë moment mund të merrej një masë politike dhe institucionale: largimi i Hysenit nga drejtimi i SHISH. Jo si dënim dhe as si paragjykim i një çështjeje penale që i takon drejtësisë, por pikërisht për arsyen që Rama përdori sot: mbrojtjen e institucionit.

Kjo nuk ndodhi.

Vlora Hyseni vazhdoi të drejtonte Shërbimin Informativ ndërsa dyshimet dhe zërat rreth marrëdhënies së saj me Agasin shtoheshin. Kryeministri, i cili sot kërkon të dijë përse institucionit nuk iu kursye dëmi gjatë procedurave të drejtësisë, nuk mori më herët një masë që mund ta kishte ndarë institucionin nga problemi i drejtueses së tij.

Dhe kjo është thelbësore, sepse SHISH nuk është një drejtori periferike e administratës. Është institucioni që administron informacionin më sensitiv të sigurisë kombëtare. Kur mbi drejtuesin e tij ngrihen dyshime serioze për marrëdhënie të papërshtatshme me një person nën hetim dhe në kërkim, mbrojtja e institucionit nuk mund të fillojë vetëm ditën kur SPAK kërkon masë sigurie.

Sot Rama tha se “mbrojtja e SHISH nga çdo dëm i panevojshëm kolateral është detyrë e gjithë shtetit”.

E vërtetë. Vetëm se për ta mbrojtur SHISH-in nuk duhej pritur SPAK-u. Rama kishte muaj për të larguar Hysenin dhe për ta mbajtur institucionin jashtë historisë së saj. Nuk e bëri. Tani është pak vonë t’i kërkojë drejtësisë të ruajë atë që qeveria nuk e ruajti siç duhet.

Video

Një e ftuar si Dua Lipa dhe dasma merr tjetër atmosferë! Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka festuar në dasmën e një të afërmi në Shqipëri, ku është shfaqur duke kërcyer e shijuar festën mes të ftuarve. Pamjet kanë bërë xhiron e rrjetit, duke i bërë të gjithë të dëshirojnë një të ftuar si ajo në dasmën e tyre.

Johnny Depp ka dhuruar një moment që askush nuk e priste gjatë një feste në Las Vegas. Teksa pozonte para fotografëve, aktori iu afrua murit të dekoruar me bimë dhe… kafshoi një prej gjetheve! Depp e përtypi për disa sekonda, përpara se ta pështynte dhe të vazhdonte pozimin sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Një moment interesant është regjistruar gjatë aktivitetit Oil Wrestling Presidential Cup, ku Osman Ali Davutoğlu, i prezantuar si “djali shpirtëror” nga Tanzania i ish-ambasadorit Ali Davutoğlu, përshëndeti spektatorët e pranishëm. Prania e tij tërhoqi vëmendjen e publikut gjatë aktivitetit tradicional të mundjes me vaj.

Kryebashkiaku Mamdani është shfaqur në një video me tone satirike, si reagim ndaj deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në OKB. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ai shfaqet me komedianin Ramy Youssef, të dy me shalle palestineze. Postimi shoqërohet me mesazhin: “Duhej t’u përgjigjeshim deklaratave të Netanyahut në OKB në mënyrën tonë”, si dhe me flamurin palestinez.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme