Politika 12 May 2025, 20:49 Nga VNA

Përmbysja në Dibër zhgënjen demokratët, ndërsa PS i hedh sytë nga lista e hapur

Ndaje në Whatsapp
Përmbysja në Dibër zhgënjen demokratët, ndërsa PS

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në KZAZ e qarkut të Dibrës janë të dëshpëruar nga rezultati dhe fajësojnë për këtë makinerinë elektorale të Partisë Socialiste, e cila nga ana e saj po rivalizon se cilët nga kandidatët e listës së hapur do të shkojnë në Kuvend.

“Kjo punë ka mbaruar. Është krijuar një sistem i atillë, që në këtë vend edhe Skënderbeu ose edhe ndonjë profet ta zbresësh, fiton sërish Edi Rama,” thotë me zhgënjim një anëtar i opozitës në KZAZ nr.18 në Bulqizë.

Lodhja nga orët e gjata të punës për zgjedhjet e 11 majit, por edhe rezultati përtej pritshmërive i lexohet në fytyrë. Komisioneri demokrat beson se socialistët fituan përmes një kombinimi mes kërcënimeve, blerjes së votës dhe një mekanizmi që ai e quajti “biskotë elektorale”. “Nuk ka bir nëne që jua ndal,” shtoi ai.

Dikur bastion i Partisë Demokratike, qarku i Dibrës në këto zgjedhje e mori drejtimin në favor të Partisë Socialiste. Pasditen e së hënës, kur ishin numëruar thuajse gjysma e 222 qendrave të votimit në të gjithë qarkun, rezultati sugjeron se ndarja e mandateve do jetë 2 me 3 në favor të partisë në pushtet.

Qarku i Dibrës është qarku i tretë më i vogël në Shqipëri pas Kukësit e Gjirokastrës dhe do të mandatojë 5 deputetë më 11 maj. Dibra është gjithashtu qarku që gjatë dy dekadave të fundit, ka njohur disa nga ndryshimet më trullosëse politike, ndryshime të cilat, larg të qenit pasojë e ndonjë temperamenti lokal për kërkim të larmishmërisë politike, janë produkt i disa prej krimeve zgjedhore më të mirëdokumentuara në historinë e re të Shqipërisë, përfshirë edhe atë që njihet gjerësisht si dosja 184.

Në ambientet e qendrave të numërimit në të katër KZAZ-të e Dibrës, gara duket se është zhvendosur tek kandidatët e listës së hapur. Përfaqësuesit e kandidatëve socialistë, Danjel Gjura, Murat Dani dhe Agron Malaj i gjen përballë monitorëve. Përpos shënimit të votave të partisë, puna e tyre është të mbajnë shënim votat e kandidatëve, për ta po aq e rëndësishme.

“I sheh, këta, duan ta hanë të gjallë njëri-tjetrin. Shifi. Këta të gjithë kanë një profil biznesi. Pushtetin e mjelin me tendera e koncesione,” thotë një tjetër përfaqësues i opozitës në sallën e numrimit të votave në Peshkopi.

Në këtë garë, Murat Dani është vetëm 24 vjeç. Në ato pak dalje publike, ai ka treguar me fjalë të kursyera se ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar për inxhinieri. Në zonën e Dibrës njihet më shumë i ati, Jeton Dani, biznesmen prej dy dekadash me aksione në fushën minerare, hidroenergjetike dhe së fundmi në energjinë solare.

Po kaq i përmendur në këto zgjedhje është edhe Agron Malaj, ish-kryetari i bashkisë së Matit, i cili e shtroi me asfalt elektoral ambicien e tij drejt Kuvendit të Shqipërisë. Persona të afërt me Malajn i gjen thuajse në çdo KZAZ, teksa mbajnë shënim votat për kandidatin.

Danjel Gjura, ish-drejtues i zyrës së Transportit Rrugor në Dibër dhe pretendent kryesor gjithashtu për një vend në parlamentin e ardhshëm, u vendos në qendër të vëmendjes mediatike gjatë ditëve të fundit, për shkak të tensioneve parazgjedhore me grupet e opozitës që quajtën veten struktura të mbrojtjes së votës. Në një incident në Maqellarë, Gjura u përfshi gjithashtu në një incident në garën brenda llojit.

Të dielën e zgjedhjeve, në të gjitha qendrat e votimit të KZAZ-ve Bulqizë dhe Dibër, në ambientet e jashtme dhe pa lidhje me administrimin zgjedhor, ishin persona që mbikëqyrin dhe sillnin persona për të votuar, shumica të identifikuar si punonjës të administratës publike. Gjithashtu në çdo qendër votimi, një person raportonte në kohë reale për personat që hynin dhe votonin. Nga këqyrja në distancë, aplikacioni mban në hapje logon e Partisë Socialiste dhe aty bëhet raportimi në kohë reale se për kë parti do të votoj personi./BIRN/

 

Video

Me vendim të GJKKO-së, hetuesit sekuestruan në ambientet e kompanisë Atelier 4 dokumente që lidhen me projektin e arredimit të një vile luksoze në Palasë. Vila ndodhet në kompleksin Green Coast dhe dyshohet nga hetuesit se mund të jetë pasuri e fshehur e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sekuestrimi i dokumenteve është kryer në kuadër të hetimeve të SPAK ndaj Ballukut për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa ajo është e pandehur edhe për çështjen e tenderave të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Balluku vijon të hetohet në gjendje të lirë, ndërsa ndaj saj janë në fuqi masat e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi largimin e flamurit të Ukrainës dhe mbishkrimit “Free Ukraine” nga një hotel në qendër të kryeqytetit. Vendimi vjen pas deklaratës së Volodymyr Zelenskyt në Beograd se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës. Rama tha se solidariteti me popujt në luftë nuk mund të jetë në kurriz të shtetësisë së Kosovës. “Kur Kosova nuk respektohet, përgjigjja jonë duhet të jetë gjithmonë e njëjtë: respekti është reciprok”, deklaroi ai.

Renardo Nallbani, i shpallur në kërkim nga SPAK prej rreth dy vitesh, u arrestua në vilën e tij në Palasë. Operacioni “Vila” u zhvillua nga Policia e Vlorës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kriminale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë. Nallbani akuzohet për pastrim të produkteve të veprës penale dhe vepra të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Emri i tij është përfshirë në hetimet e SPAK për inceneratorin e Tiranës, ndërsa në korrik 2024 GJKKO caktoi ndaj tij masën “arrest në burg”. Nallbani rezulton gjithashtu i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh dhe drejtim të organizatave kriminale.

Ky është momenti i arrestimit të Kristjan Sterjos, 20-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e Joan Zukos në Korçë. Sterjo u arrestua gjatë natës, pas disa orësh kërkime intensive nga forcat e Policisë. Sipas informacioneve paraprake, ai u lokalizua pranë zonës së banesës së tij, ku dyshohet se ishte rikthyer për të marrë para dhe më pas për të vijuar arratinë. Efektivët kishin ngritur kontrolle në disa zona të qytetit dhe, sapo konstatuan lëvizjen e të riut, ndërhynë duke e vënë në pranga përpara se ai të mund të largohej sërish.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme