Politika 23 June 2025, 22:15 Nga VNA

Një kompani londineze po kujdeset për reputacionin e Erion Veliaj

Ndaje në Whatsapp
Një kompani londineze po kujdeset për reputacionin e Erion Veliaj

Nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash, Veliaj i drejtohet një kompanie elitare britanike për të shpëtuar imazhin publik ndërsa qëndron në paraburgim prej shkurtit 2025.

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës që prej vitit 2015, është duke u mbrojtur nga një kompani londineze e marrëdhënieve me publikun, “Kendal Global Advisory”, e cila po përpiqet të ruajë dhe forcojë reputacionin e tij ndërsa ai qëndron i izoluar në paraburgim prej 10 shkurtit 2025.

Në një komunikim me “shteg.org”, kompania pranoi se Veliaj është klienti i tyre, ndërkohë që në faqen zyrtare të saj prezantohen projekte suksesi të ndryshme me klientë nga qeveri dhe korporata globale, deri te investitorë strategjikë në Gjirin Persik.

Sipas raportimeve të “The PR Insider”, tarifat mujore për shërbimet e kompanive të mëdha të PR-it si “Kendal Global Advisory” arrijnë deri në 25 mijë paund, rreth 29 mijë euro. Një analizë e bërë nga “Essential Content” tregon se mesatarisht këto shërbime kushtojnë rreth 4,672 paund në muaj, ose rreth 5,465 euro.

Përveç kontaktimit me kompanitë e PR-it, sipas analistit Indrit Vokshi, politikanët shqiptarë që kanë probleme me ligjin krijojnë operacione propagande duke dëmtuar imazhin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Rikthimi i Lali Erit

Në epokën e informacionit të shpejtë dhe rrjeteve sociale, reputacioni politik është bërë një aset shumë i brishtë dhe vendimtar për karrierën e çdo figure publike. Ekspertët e komunikimit theksojnë se “menaxhimi i kujdesshëm dhe strategjik i reputacionit shpeshherë përbën çelësin për mbijetesën politike, sidomos kur politikanët përballen me sfida ligjore dhe presion mediatik”. Në këtë kontekst, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që nga 10 shkurti 2025, pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, vepra penale këto që dyshohet t’i ketë kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën, duket se nuk ka tjetër rrugë veçse të përpiqet të ruajë dhe të shpëtojë emrin e “mirë të Lali Erit”.

Ndonëse për 4 muaj ai i ka qëndruar deklaratës së tij se ndodhet i izoluar padrejtësisht, Veliaj i është drejtuar një kompanie angleze të strategjisë së komunikimit dhe marrëdhënies me publikun (PR) për të mbrojtur reputacionin.

Me anë të një e-maili të ardhur pranë redaksisë së “shteg.org”, përfaqësues të “Kendal Global Advisory” pranojnë se kryebashkiaku Erion Veliaj është klienti i kësaj shoqërie.

Sipas tyre, është e rëndësishme të theksohet se Veliaj është i arrestuar në bazë të dyshimeve, por ende nuk ka një tregues se kur, apo nëse do të ngrihet akuza ndaj tij.

“Zoti Veliaj i mohon kategorikisht këto akuza dhe paraburgimi i tij para gjykimit është një element që mund të rrezikojë vetë aspiratën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian” – shkruajnë përfaqësues të Kendal Global Advisory.

Ndërkohë, pyetjet e “shteg.org” se kush është nënshkruesi i kontratës dhe sa ka kushtuar kjo kontratë nuk morën një përgjigje as nga kompania, as nga vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj.

Por, sipas një analize të bërë nga “Essential Content” me tarifat mujore fikse të 61 agjencive të pavarura të PR-it në Mbretërinë e Bashkuar, siç është ajo e përzgjedhur nga Veliaj, mesatarisht tarifa mujore që duhet të paguajë klienti për të marrë shërbimin, konsultimin është 4,672.55 paund, ose thënë ndryshe 5,464.63 euro.

Megjithatë, kompania e përzgjedhur prej Veliajt ofron shërbime në shtete të ndryshme të botës në fusha të ndryshme, ku përveç personave fizikë, përfshihet: mbrojtja e reputacionit të personave me përgjegjësi shoqërore, çështje gjyqësore të klientëve, këshillim strategjik për korporata të mëdha, si dhe forcim i reputacionit të klientëve në disa nga ngjarjet më të mëdha në botë.

“Në Kendal, ne jemi të përqendruar ekskluzivisht në ofrimin e këshillave me ndikim, që ndihmojnë klientët të menaxhojnë reputacionin e tyre, një faktor kyç i vlerës në botën e sotme”, – kjo është fjalia e parë që lexojnë vizitorët e faqes web të kompanisë së PR-it “Kendal Global Advisory”.

Sipas të dhënave publike “Kendal” rezulton me vendndodhje në Londër dhe zhvillon veprimtarinë e saj në një gamë të gjerë klientësh në mbarë botën.

“Ne punojmë me një gamë të gjerë klientësh, nga korporata të mëdha deri te biznese të reja (start-up), organizata joqeveritare (OJQ), qeveri, zyra familjare dhe individë me pasuri të konsiderueshme” – thuhet në rubrikën “Rreth Nesh”, ndërkohë që si sukses së saj kompania ndan rastet ku strategjia e ndjekur prej tyre kanë ndihmuar klientët të rrisin reputacionin e tyre, madje dhe të kthehen në investitorë të besueshëm strategjikë.

“Një zyrë familjare e vetme në Lindjen e Mesme na kërkoi ndihmë për të mbrojtur dhe zgjeruar reputacionin e tyre në sektorë të rinj ku po fillonin të bënin investime strategjike”, – shkruhet në Kendal, ku pasi tregohet se si familja është ndihmuar me anë të përgatitjes së fjalimeve në konferenca dhe artikujve të rëndësishëm për investitorët, është bërë e mundur ndërtimi i imazhit të një investitori të besueshëm, çka është reflektuar dhe në pasurimin më të madh financiar të kësaj familjeje.

Analisti politik Indrit Vokshi vë në dukje se në Shqipëri, kur politikanët përballen me akuza ligjore, shpesh përdorin strategji të avancuara propagandistike, për të ndikuar opinionin publik dhe për të minuar besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë.

“Madje kanë tentuar të krijojnë mendimin sikur politikanët janë të ndershëm por ata janë viktima të përndjekjes nga prokuroria e gjykata”, – thotë gjatë intervistës për “shteg.org” analisti Voksi.

Një nga strategjitë e ndjekura nga kompanitë e PR-it është dhe publikimi i “punëve të mira” të bëra nga klientët, të cilët duhet tua rikujtojnë vazhdimisht ndjekësve apo audiencës së tyre për të arritur në qëllimin e tyre, fitimin apo rifitimin e besueshmërisë.

Një strategji e tillë, nga hulumtimi në rrjetin social “Instagram” rezulton të jetë ndjekur edhe nga Kryebashkiaku Veliaj, cili ndonëse prej 4 muajsh rezulton i izoluar fizikisht, në hapësirën online vazhdon të mbetet aktiv.

Ai ka qëndruar aktiv më shpërndarjen e përmbajtjeve të ndryshme në rrjetet sociale, duke nisur nga rrëfimet e përditshme për arrestimin e padrejtë, sipas tij, tek ngjarjet kulturore të Tiranës, ndërtimi i objeketeve publike të Tiranës gjatë kohës së drejtimit të bashkisë nga ai, ndarja nga jeta e artistëve të kinematografisë dhe Papa Françeskut e të tjerë.

Nga data 10 shkurt deri më 23 qershor Veliaj numëron të publikuar në rrjetin social “Instagam” 156 postime. Thënë ndryshe, 156 postime janë publikuar në 134 ditë, çka do të thotë se mesatarisht Kryebashkiaku poston për ndjekësit e tij 1 ose 2 herë në ditë.

“Prioritet kryesor i një shoqërie duhet të jetë mbajtja përgjegjësise dhe nën kontroll gjyqësor e politikanëve të cilët duke menaxhuar pushtet dhe financa kanë mundësi edhe të pasurohen e të krijojnë “shtete private”, struktura të infiltruara brenda shtetit të cilat shmangin ligjin dhe interesin publik dhe marrin vendime për interesa okulte” – përfundon Vokshi.

Nuk është hera e parë që Erion Veliaj, kryebashkiaku i pezulluar i Tiranës, firmos një kontratë me kompani të huaja për të menaxhuar betejat ligjore dhe imazhin publik. Në mars të vitit 2025, në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë u publikua kontrata mes Veliajt dhe studios ligjore elitare “Kasowitz Benson Torres”, firmosur prej tij dhe vëllait të tij, Arbër Veliaj. Dokumenti përfshin ofrimin e shërbimeve ligjore, strategjike dhe komunikative për procesin penal që ai po përballon në Shqipëri. Pagesat për orë pune variojnë nga 500 deri në 1,950 dollarë, ndërsa marrëveshja përfshin gjithashtu lobim pranë Departamentit Amerikan të Shtetit dhe institucioneve të tjera qeveritare në SHBA.

Studioja ligjore e angazhuar do të ofrojë gjithashtu konsulencë mbi marrëdhëniet me publikun në raport me qeverinë dhe legjislacionin shqiptar. Një përfaqësues i saj mbërriti në Tiranë në fillim të marsit për të ndjekur nga afër seancën në Gjykatën e Apelit për masën e sigurisë ndaj Veliajt, por nuk u lejua të marrë pjesë për shkak të kufizimeve të legjislacionit vendas. Veliaj, i arrestuar më 10 shkurt nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), përballet me akuza për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, të cilat dyshohet t’i ketë kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Sipas SPAK, nëntë episode korruptive janë identifikuar ku ai dyshohet se ka përfituar personalisht ose përmes të afërmve./Shteg.org

 

Video

Këto janë momentet e betimit të Presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, para deputetëve të Kuvendit. Në një seancë të jashtëzakonshme, të mbajtur në momentet e fundit të afatit kushtetues, Kuvendi votoi me 81 vota zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit. Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

San Marino ka befasuar Shqipërinë në Tiranë, duke gjetur golin e barazimit në minutën e 66-të të sfidës së vlefshme për Nations League. Kuqezinjtë kryesonin 1-0 që prej minutës së 11-të, falë një goditjeje të fuqishme nga distanca të Kristjan Asllanit, por miqtë shfrytëzuan një moment pakujdesie të mbrojtjes shqiptare për të vendosur baraspeshën. Pas një krosimi në zonën e Shqipërisë, Lazzari u gjend i lirë dhe goditi me të djathtën, duke mposhtur portierin Dajsinani dhe duke shënuar për 1-1. Goli i San Marinos erdhi në një moment kur Shqipëria po kërkonte të shtonte avantazhin. Trajneri kishte ndërhyrë edhe nga stoli, duke aktivizuar Mehmetin në vend të Muçit dhe Uzunin në vend të Hoxhës.

Shqipëria fiton me dramë ndaj San Marinos, Asllani vendos ndeshjen në minutën e 93-të Shqipëria ka triumfuar 2-1 ndaj San Marinos në Tiranë, duke siguruar fitoren vetëm në minutat shtesë. Kristjan Asllani kaloi kuqezinjtë në avantazh në minutën e 11-të me një goditje të fuqishme nga distanca, ndërsa Lazzari barazoi për San Marinon në minutën e 66-të. Kur sfida po shkonte drejt barazimit, pas ndërhyrjes së VAR-it Shqipëria fitoi një penallti. Asllani u tregua i saktë në minutën e 93-të, duke vulosur rezultatin 2-1. Një fitore e vuajtur për kuqezinjtë, të cilët marrin tri pikët dhe vendin e parë në Grupin C1.

Shqipëria ka kaluar në avantazh 1-0 ndaj San Marinos, në sfidën e vlefshme për Nations League. Goli i kuqezinjve u realizua në minutën e 11-të nga Kristjan Asllani, i cili lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e dërguar topin në rrjetë. Kombëtarja shqiptare e nisi në sulm takimin dhe krijoi disa raste të tjera për shënim. Në minutën e 22-të, Rey Manaj iu afrua golit të dytë, por goditja e tij brenda zonës u ndal nga shtylla. Kuqezinjtë kërkojnë fitoren dhe një rezultat bindës ndaj San Marinos, skuadër të cilën e kanë mposhtur në të pesta përballjet e mëparshme.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme