Mbrojtësi i Manchester Unitedit dhe i Kombëtares së Marokut, Noussair Mazraoui, ka lënë të kuptohet se Kupa e Botës 2026 mund të jetë turneu i fundit i karrierës së tij si futbollist profesionist.
28-vjeçari ka zbuluar se dëshiron të ndjekë një rrugë krejtësisht tjetër pas futbollit, duke iu përkushtuar studimit të fesë islame. Në një intervistë të dhënë më herët këtë vit, ai tha se synon të mësojë përmendësh Kuranin dhe në të ardhmen të shërbejë si imam.
“Mund të vendos të pensionohem pas Kupës së Botës. Jeta është e shkurtër. Dua ta mësoj përmendësh Kuranin dhe një ditë të bëhem hoxhë i një xhamie”, është shprehur Mazraoui.
Deklarata e tij ka rikthyer vëmendjen gjatë Botërorit 2026, ku Maroku po vazhdon paraqitjet e tij në turne. Megjithatë, futbollisti nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për të ardhmen dhe nuk ka konfirmuar një datë konkrete të tërheqjes nga futbolli.
Nëse zgjedh këtë rrugë, Mazraoui do të largohej nga futbolli në një moshë relativisht të re, për t’iu përkushtuar një misioni shpirtëror dhe edukativ larg fushave të blerta.






















