Një ekspert i sigurisë kibernetike ka zbuluar një dobësi serioze në infrastrukturën digjitale të FIFA-s, e cila mundësonte qasje të paautorizuar në sisteme të ndjeshme, përfshirë menaxhimin e transmetimit të ndeshjeve të Kupës së Botës dhe dokumente konfidenciale të organizatës.
Sipas raportimeve, studiuesi i njohur me nofkën “BobDaHacker” identifikoi problemin gjatë javës së parë të Kupës së Botës 2026, e cila po zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Dobësia ishte e lidhur me një portal publik për regjistrimin e agjentëve të futbollit, përmes të cilit mund të sigurohej qasje në sistemin Microsoft Entra të FIFA-s. Edhe pse përdoruesve u shfaqej një mesazh që mohonte aksesin, sistemet e prapavijës nuk kryenin verifikimin e duhur të autorizimit, duke lejuar hyrjen në platforma të brendshme.
Sipas hakerit etik, kjo dobësi mundësonte qasje në panelin e kontrollit të transmetimeve të të gjitha ndeshjeve të Kupës së Botës, duke përfshirë lidhjet e transmetimit të drejtpërdrejtë dhe disa funksione që lidhen me kamerat e prodhimit televiziv.
Përveç kësaj, ishin të aksesueshme edhe platforma që përpunojnë statistikat e ndeshjeve në kohë reale, sistemet e përdorura nga komentatorët sportivë, si dhe dokumente të brendshme me karakter konfidencial.
Më shqetësuesja, sipas raportit, ishte fakti se një person me këtë nivel qasjeje mund të ndryshonte të dhënat e ndeshjeve, duke ndikuar drejtpërdrejt në informacionin që përdorej gjatë transmetimeve televizive.
BobDaHacker dokumentoi të gjithë procesin në blogun e tij, duke theksuar gjithashtu vështirësitë që hasi për të raportuar problemin për shkak të mungesës së kanaleve të qarta të komunikimit nga FIFA për çështjet e sigurisë kibernetike.
Pas përpjekjeve të pasuksesshme për të kontaktuar FIFA-n, ai iu drejtua kompanisë MediaKind, përgjegjëse për teknologjinë e transmetimit, si dhe Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kibernetike (CISA) dhe FBI-së.
Sipas raportimeve, FIFA reagoi shpejt dhe e korrigjoi dobësinë brenda një dite, duke bllokuar qasjen e paautorizuar në sistemet e saj. Megjithatë, organizata nuk ka bërë ende një koment zyrtar lidhur me incidentin.






















