Dita e 22-të e protestës qytetare ka nisur me marshimin e qytetarëve drejt Kryeministrisë, i cili filloi rreth orës 19:30. Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin drejt bulevardit, për t’u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama e bëri të qartë edhe sot se nuk ka ndërmend të largohet. Pas algoritmit të rrjeteve sociale, të cilin e ka cilësuar si një nga faktorët kryesorë të protestave masive, kreu i qeverisë identifikoi një tjetër shkak, atë që e konsideron si “dorën e fshehur” të partive të reja, të cilat sipas tij po e përdorin lëvizjen për karrierën e tyre politike. Megjithatë, Rama nuk iu përgjigj në asnjë moment kërkesës kryesore të protestuesve, dorëheqjes së tij, ndërsa protesta sot shënoi ditën e 22-të radhazi.
Edhe këtë mbrëmje në protestë dominuan simbolet kombëtare, të cilat prej disa ditësh kanë lënë në hije flamingot rozë që shënuan fillimet e lëvizjes. Sërish, pjesa më e madhe e fjalimeve në podium u mbajt nga emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme, të cilët përsëritën mesazhin e tyre për ndryshim politik dhe mbështetje për protestën.
Nuk munguan as thirrjet më të forta, teksa disa prej pjesëmarrësve paralajmëruan se nëse Edi Rama nuk jep dorëheqjen, do të qëndrojnë të ulur në sheshin përballë Kryeministrisë.
Grupi organizator dënoi gjithashtu incidentin e regjistruar gjatë mbrëmjes së kaluar, ku një protestuese hoqi flamurin izraelit pranë rezidencës së ambasadorit të Izraelit, duke u distancuar nga ky veprim.
Pas qëndrimit para Kryeministrisë, protesta u mbyll me një marshim në rrugët e Tiranës, i cili këtë herë kaloi edhe pranë godinës së Bashkisë së Tiranës.






















