
Në një kohë kur ekspertët e mjedisit dhe emergjencave civile përpiqen të kuptojnë faktorët klimatikë apo neglizhencën teknike pas vatravë të zjarrit në vend, deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si Neomalësorja, ka arritur të zbërthejë gjeopolitikën e flakëve pas fabrikës së çimentos në Krujë.
Përmes një analize në rrjetet sociale, ish-deputetja e Partisë Socialiste ka paralajmëruar se tri vatrat aktive në zonën e guroreve nuk janë thjesht një fatkeqësi natyrore, por një skenar i mirëmenduar.
"Jo rastësisht... Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik dhe mjet për me zaptu territore të reja", shkruan Koçeku, duke i dhënë kështu zjarrit një profil të ri ideologjik dhe një agjendë të qartë expansioniste.
Sipas teorisë së saj, malet nuk po digjen nga vapë apo shkëndijat e pakujdesshme, por nga një plan strategjik për të lehtësuar “depërtime që, në kushte normale, nuk do mundeshin me u realizu”.
Në optikën e Koçekut, flakët shërbejnë si avantgardë diplomacie për bizneset lokale, të cilat, me sa duket, kanë zbuluar se mënyra më e shpejtë për të zgjeruar aktivitetin është t'i vënë flakën ambientit rrethues.
Për më tepër, analiza nuk ndalet vetëm te bizneset e gurit. Zjarri në Krujë, sipas saj, është gjithashtu viktimë e reformave administrative.
Koçeku ngre shqetësimin se duke shkrirë bashkitë e vogla, po zbehet edhe lidhja emocionale e qytetarit me tokën, çka lë hapësirë për shkretim.
"Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin... Kthehen në marrëdhanie të thata e të shkretueme", argumenton ajo.
Mbetet për t'u parë nëse institucionet e emergjencave do të përfshijnë tani e tutje edhe analizat e teorive politiko-territoriale në strategjinë e tyre të fikjes së zjarreve, apo nëse thjesht do të vazhdojnë të përdorin ujë.






















