
Në qytetin e Cërrikut ka nisur firmosja e një peticioni kundër propozimit për riorganizimin e ri territorial.
Banorët kundërshtojnë bashkimin e Cërrikut me Bashkinë Elbasan, duke kërkuar që qyteti të vijojë të funksionojë si bashki më vete.
Sipas organizatorëve, peticioni do t’u përcillet institucioneve vendase, si dhe atyre ndërkombëtare, në kuadër të kundërshtimit të ndarjes së propozuar territoriale.
Në qarkun e Elbasanit, Partia Socialiste ka propozuar shkrirjen e tre bashkive. Sipas propozimit, Cërriku dhe Belshi do t’i bashkohen Elbasanit, ndërsa Përrenjasi do të bashkohet me Librazhdin.
Propozimet kanë hasur kundërshtime nga qytetarët në disa bashki të qarkut. Ndërkohë, vetë bashkitë kanë nisur zhvillimin e dëgjesave publike me banorët për të diskutuar ndryshimet e propozuara në ndarjen territoriale.






















