
Dhënia e tenderave në mungesë të garës mbetet një plagë e hapur në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Ky institucion ka mbyllur së fundmi procedurën për përmirësimin e vijëzimeve, tabelave rrugore dhe elementeve të sigurisë në akset e Rajonit Qendër-Perëndim, Loti 2, duke çuar paratë publike në një rrugë pa asnjë rivalitet tregtar. Arka e shtetit ka vënë në dispozicion plot 191 milionë lekë, ose rreth 2 milionë euro, për një punë që kërkohet të përmbyllet brenda një afati 8-mujor.
Por aty ku pritej një garë e ethshme ofertash për një fond aq të majmë, çuditërisht në tryezën e komisionit mbërriti një subjekt. Në tender mori pjesë vetëm një kompania “R.S. & M”, e cila hyri në garë e vetme dhe fitoi me një ofertë sa 90% e fondit limit.

Në vend që ta anulonte procedurën dhe ta rishpallte garën për të mbrojtur interesin publik dhe për të nxitur konkurrencën, institucioni i drejtuar nga Ami Kozeli, zgjodhi rrugën më të shkurtër duke e dhënë kontratën pa garë.

Ligji për prokurimet publike e lejon procedurën pa konkurrencë vetëm si një përjashtim ekstrem, kryesisht në kushtet e emergjencave të paparashikuara kombëtare apo natyrore. Sidoqoftë, mbetet e pakuptueshme se çfarë "emergjence" kombëtare ka pasur Autoriteti Rrugor për të nxituar me vijëzimin e asfaltit apo vendosjen e tabelave në Rajonin Qendër-Perëndim, sa për të anashkaluar garën e hapur.
Sa herë që miliona euro jepen në këtë formë, hija e favorshëmrisë dhe paracaktimit të fituesit bie menjëherë mbi procedurën, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi përdorimin e parave të taksapaguesve. Ky prokurim i shtohet një liste të gjatë dosjesh që ngrenë hije të forta dyshimi, verifikimi i të cilave tani mbetet në dorën e institucioneve të drejtësisë.
Zyrat e ARRSH-së kanë parë muajt e fundit t’u mbyllen dyerve drejtues të njëpasnjëshëm, teksa hetimet për abuzime me fondet publike kanë marrë përmasa penale. Dy ish-titullartë e këtij institucioni, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli, përballen sot me procese të rënda ligjore të nisura nga SPAK pikërisht për tenderat e dyshimtë.
Urojmë që të njëjtin gabim mos ta bëj edhe pasuesi i tyre Ami Kozeli.






















