
Spitalet vijojnë të kenë mangësi në pajisje, përveç mungesëa së konstatuar dhe të ngritur si problematikë të barnave dhe trajtimeve sidomos për sëmundjet e rënda. Një auditim i fundit i KLSH, lidhur me rekomandimet e lëna më parë, konfirmon këto mungesa.
Shintigrafia pranë “Shefqet Ndroqit” vijon të jetë jashtë funksionit që prej 16 marsit 2020 për shkak të mungesës së lëndës radioaktive, ndërsa në Shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT Akseleratori Linear nuk funksionon prej dhjetorit 2023. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se rekomandimet e mëparshme për zgjidhjen e këtyre problemeve nuk janë zbatuar dhe ka vendosur një afat të ri, deri më 30 shtator 2026, për ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Në auditimin e mëparshëm, Ministrisë i ishte kërkuar të merrte masa për sigurimin e lëndës brenda vitit 2024. Ministria ishte shprehur se do të vepronte, por kontrolli i zbatimit e klasifikoi rekomandimin si të pranuar dhe të pazbatuar.
Për këtë arsye, KLSH e ka përsëritur rekomandimin në raportin e ri. Ministrisë së Shëndetësisë i kërkohet sërish të sigurojë lëndën radioaktive të nevojshme për vënien në funksion të shintigrafisë, këtë herë me afat deri më 30 shtator 2026.
Po kështu edhe në Shërbimin e Neurokirurgjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, akseleratori linear rezulton jashtë funksionit prej 12 dhjetorit 2023. KLSH thekson se përmes kësaj pajisjeje kryhen trajtime me radioterapi dhe radiokirurgji stereotaksike për patologji beninje dhe malinje të trurit. Raporti shton se standardet ndërkombëtare përcaktojnë një jetë mesatare prej 10-12 vitesh për një akselerator linear.
Situata në Neurokirurgji nuk kufizohet vetëm tek akseleratori linear. Sipas KLSH-së, edhe angiografia pranë këtij shërbimi është jashtë funksionit, ndërsa mikroskopët e sallave operatore janë të vjetër. Auditimi i kishte kërkuar QSUT-së që të vlerësonte mundësinë e zëvendësimit të të tria pajisjeve, në mënyrë që shërbimi ndaj pacientëve të Neurokirurgjisë të vijonte normalisht.
Edhe ky rekomandim kishte një afat të mëparshëm që nuk u respektua. QSUT kishte bërë të ditur se Sektori i Biomedikalit i kishte dërguar Ministrisë së Shëndetësisë shkresa lidhur me zëvendësimin e Akseleratorit Linear, por KLSH vlerësoi se dokumentacioni i paraqitur nuk provonte zbatimin e masës. Rekomandimi, i cili fillimisht duhej të realizohej deri në mars 2025, u klasifikua si i pazbatuar.
Në raportin përfundimtar, KLSH rikërkon që QSUT të vlerësojë zëvendësimin e akseleratorit Linear, angiografit dhe mikroskopëve të sallave operatore, duke vendosur si afat të ri 30 shtatorin 2026.

Problemet me pajisjet shoqërohen edhe me mangësi në kapacitetet për mirëmbajtjen e tyre. KLSH konstaton se stafet teknike të Qendrës Kombëtare Teknike Bio-Mjekësore, QSUT-së, Spitalit Universitar të Traumës dhe “Shefqet Ndroqit” nuk janë të trajnuara dhe certifikuara për të punuar në fushën e pajisjeve mjekësore. Për periudhën e audituar, asnjë nga këto institucione nuk kishte planifikuar fonde buxhetore për trajnimin e stafit teknik që mirëmban pajisjet. Për këtë masë është vendosur një afat deri më 31 dhjetor 2026.
Në përfundim, KLSH-ja konstaton se 18 nga 20 rekomandimet e auditimit për pajisjet mjekësore mbeten të pazbatuara, duke e çuar nivelin e zbatimit në vetëm 10%. Sipas institucionit, zbatimi i masave është i domosdoshëm për garantimin e shërbimit shëndetësor dhe mbrojtjen e interesit publik./ekofin.al/






















