
Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me deklaratat e fundit nga Serbia për një plan të mundshëm për devijimin e lumit Ibër, i cili kalon edhe në territorin e Kosovës.
Përmes një reagimi në facebook, Berisha e ka cilësuar këtë si një kërcënim ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç për përdorimin e çështjes së ujit si një mjet presioni.
“Do t’ju shterojë ujin! Ky është kërcënimi i fundit i padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj”, shkruan Berisha.
Ai e cilësoi deklaratën si një akt destabilizues për paqen dhe stabilitetin në rajon, ndërsa tha se Partia Demokratike e dënon atë.
Reagimi i Berishës vjen pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, lidhur me çështjen e lumit Ibër dhe furnizimin me ujë të Kosovës.
Gjatë ditëve të fundit, kjo çështje ka shkaktuar edhe një përplasje publike në distancë mes autoriteteve shqiptare dhe serbe. Vuçiç deklaroi se Kosova nuk është territor i Shqipërisë dhe se Tirana nuk duhet të përfshihet në këtë çështje.
Në përgjigje, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë.






















