
Në Bashkinë e Tropojës, ku çdo lek i taksapaguesve duhet të përkthehet në infrastrukturë dhe investim për banorët, paratë publike duket se po ndjekin një rrugë shumë më private, atë që të çon drejt e te familjarët e drejtuesit të bashkisë. Përmes një skeme të përsëritur skualifikimesh të ofertave më ekonomike dhe favorizimit të të afërmve, Bashkia e Tropojës, nën drejtimin e Rexhë Byberit, ngre pikëpyetje të mëdha mbi zbatimin e ligjit për konfliktin e interesit dhe garën në prokurimet që bën.
Tenderi më i fundit ka si objekt ndërtimin e mureve mbajtëse dhe drenazhimin për mbrojtjen e tokave e shtëpive në fshatrat Gri dhe Dojan, me një fond prej më shumë se 68 milionë lekësh të vjetra.

Edhe pse në garë morën pjesë katër kompani, institucioni i udhëhequr nga Byberi skualifikoi dy prej tyre. Mes të larguarave ishte edhe kompania “ASI INVEST”, e cila kishte paraqitur ofertën më të mirë ekonomike, plot 9 milionë lekë më lirë se fituesi.

Me skualifikimin e ofertës më të favorshme për buxhetin e shtetit, kontrata iu dha kompanisë “Vllaznimi sh.p.k”, në pronësi të Bashkim Byberit, ose djalit të xhaxhait të vetë kryebashkiakut.

Kjo histori nuk përbën një rastësi apo një episod të izoluar procedurash. Vetëm një muaj më parë, më 5 qershor, VNA denoncoi një tjetër rast pothuajse identik, ku Bashkia Tropojë çeli procedurën për rikonstruksionin dhe asfaltimin e disa akseve rrugore me një fond limit prej 52 milionë lekësh. Në garë morën pjesë tre kompani, nga të cilat dy rezultonin të lidhura me rrethin familjar të kryetarit, “Vllaznimi sh.p.k” e kushëririt të tij dhe “Trajler sh.p.k”, në pronësi të Anila Byberit.
Sipas dokumenteve të tenderit të qershorit, “Trajler sh.p.k” nuk kishte paraqitur fare ofertë ekonomike, duke ngritur dyshime të forta se prania e saj shërbeu thjesht si një fasadë për të krijuar përshtypjen e një gare formale. Megjithatë, skema u trazua nga hyrja në garë e kompanisë “Florida sh.p.k”, e cila ofroi ta kryente punën me rreth 5 mijë euro më pak se kompania e familjarit të kryebashkiakut. Përfundimi ishte i njëjtë, kompania me ofertën më të ulët u skualifikua nga gara, ndërsa tenderi iu besua sërish subjektit në pronësi të djalit të xhaxhait të Byberit.
Cenimi i barazisë në gara bëhet edhe më shqetësues kur shikon se cilët zyrtarë marrin vendime mbi këto fondet publike. Dokumentet tregojnë se këto kontrata vazhdojnë të firmosen nga zëvendëskryetarja e bashkisë, Zyra Islamaj (Koka), e cila është dënuar nga GJKKO me 2 vite e 1 muaj burgim për korrupsion pasiv. Ajo u ndëshkua nga drejtësia pasi shfrytëzoi funksionin publik gjatë kohës që komandohej në krye të bashkisë për të ndërtuar një urë pa projekt pranë banesës së motrës së saj.
Ironia e kësaj situate thellohet edhe më tej kur kujton se vetë kryebashkiaku Rexhë Byberi është marrë më parë i pandehur nga SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës, i dyshuar se i shkaktoi shtetit një dëm prej 277 milionë lekësh përmes shkeljeve në ndërtimin e dy rrugëve rurale. Çështja e tij ndodhet tashmë në dyert e GJKKO-së, ndërsa ndaj tij janë aplikuar më parë edhe masa sigurie nga gjykata.
Kur ofertat më ekonomike fshihen nga tryeza dhe paratë e taksapaguesve derdhen në mënyrë sistematike te kompanitë e familjes, pyetja nuk është më vetëm procedurale. A po funksionon Bashkia e Tropojës si një institucion i shtetit shqiptar në shërbim të qytetarëve, apo po kthehet në një feudalizëm lokal ku ligji për konfliktin e interesit nuk ka më asnjë fuqi?
Pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme të publikuara nga VNA, deri më tani nuk rezulton ndonjë reagim apo hetim i ri për tenderat e fundit, duke ia lënë përgjigjen përfundimtare në dorë SPAK-ut dhe qeverisë e cila duket se nuk ka ndërmend të monitoroj kryebashkiakun Byberi.






















