
Ka përfunduar pas rreth katër orësh e 30 minutash takimi i thirrur nga kryeministri Edi Rama me drejtuesit e bashkive në rang qarku dhe kryetarët e bashkive që parashikohet të shkrihen në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.
Takimi u zhvillua në Kuç, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte riorganizimi i pushtetit vendor dhe e ardhmja e bashkive që mund të mos jenë pjesë e hartës së re.
Sipas burimeve, kryetarët e bashkive të prekura nga ndryshimet kanë paraqitur qëndrimet dhe argumentet e tyre se përse njësitë vendore që drejtojnë duhet të vijojnë të ekzistojnë. Gjatë mbledhjes janë diskutuar gjithashtu argumentet në favor të bashkimit të disa bashkive.
Diskutime ka pasur me të gjithë kryebashkiakët e pranishëm, ndërsa reforma pritet të vijojë përmes konsultimeve me pushtetin vendor, komunitetet dhe aktorët e tjerë të përfshirë. Synimi i deklaruar është krijimi i një organizimi vendor më funksional, më efikas dhe më pranë qytetarëve.
Në takim morën pjesë drejtuesit e bashkive Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Cërrik, Belsh dhe Libohovë.






















