
Në 100-vjetorin e lindjes së tij, kënaqësitë e Kastros rrëfehen nga Norberto Fuentes, miku i tij personal. Shkrimtari dhe gazetari mori pjesë në ngjitjen në pushtet të politikanit kuban, më pas zgjodhi mërgimin dhe sot jeton në Miami.
Nga Norberto Fuentes
26 korrik 2006. Ishte një skenë danteske. Ai gjigant me uniformë kamuflazhi përpëlitej nga dhimbjet në dyshemenë e avionit të tij privat An-26, gjatë fluturimit nga Holguín drejt Havanës. Dhe në bord nuk kishte asnjë mjek.
Pjesa tjetër është histori. Asnjë rrëfim nuk përmend dëshpërimin e tij dhe mënyrën se si qau me hidhërim kur zbuloi se i kishin vendosur atë qese të urryer kolostomie. Akoma më pak dihet se si, i dorëzuar përballë fatit të tij, ia kushtoi gjithë kohën që mundej – dhe në fshehtësinë më absolute – përgatitjes së gruas së tij, Dalias, dhe fëmijëve. Për herë të parë në jetën e tij, do t’i qëndronte besnik një gruaje. Duhej ta mbronte.
Vite më parë, më 10 maj 1969, ndërsa shtypte me makinë testamentin e tij, Ho Chi Minh citoi një varg të Tu Fu-së: “Në të gjitha epokat, pak njerëz arrijnë moshën 70-vjeçare”. Dhe shtoi: “Këtë vit mbush 79 vjeç. Tashmë jam një nga ata njerëz ‘të rrallë në çdo epokë’”.
Fidelit, pavarësisht admirimit të deklaruar për “xhaxha Ho-në”, nuk i kishte pëlqyer kurrë ai kufi i 80 viteve. Kështu, ndërsa afrohej me atë datë fatale, me këshillën e mjekut të tij personal, Eugenio Selman, themeloi Klubin e 120 viteve. Ideja ishte se qeniet njerëzore ishin biologjikisht të programuara për të jetuar kaq gjatë. Nisën kështu, duke u përdorur vetë si kavie, të ushqeheshin pothuajse vetëm me perime, duke shmangur yndyrnat shtazore dhe duke kontrolluar konsumin e sheqerit. Më vonë i lejuan vetes peshk të pjekur në skarë dhe ndonjë gllënjkë vere.
Në fund, Fidelit i munguan 30 vjet për ta arritur objektivin. Por përpjekja gjithsesi dha rezultat: jetoi deri në 90 vjeç.
Amerikanët, të cilët priren të jenë disi të përafërt në parashikimet e tyre, shpesh u hodhën në spekulime të nxituara. Ho Chi Minh-i largpamës vdiq dy vjet pasi kishte cituar poetin Tu Fu dhe, në fakt, nuk arriti të mbushte 80 vjeç. Pak ditë pas krizës shumë të rëndë të zorrëve të Fidelit dhe tri ndërhyrjeve kirurgjikale, CIA nxori informacionin, më 6 tetor 2006: “Castro vuan nga një kancer në fazë terminale”, për t’u lëshuar më pas, për dhjetë vjet, në parashikime nga më të ndryshmet. Me urdhër të presidentit Bush u ngrit menjëherë edhe komisioni i pashmangshëm për monitorimin e situatës kubane, në mënyrë që SHBA të ishte gati në rast të një ndryshimi qeverie.
Diplomacia e dhuratave
Në shtëpinë modeste mbi shtylla që Ho Chi Minh kishte ndërtuar në një cep të qetë të kopshteve të pallatit presidencial në Hanoi, mobilimi përbëhej nga një vitrinë e vogël, një shtrat vietnamez pa dyshek dhe një tavolinë prej druri kuban, dhuratë e Fidel Kastros.
Pra, në anën tjetër të planetit, ai njeri, dëshirat e të cilit nuk njihnin kufij – ashtu si edhe lukset që i lejonte vetes – mund të tregonte ende finesën për të zgjedhur një dhuratë që me siguri do ta kënaqte udhëheqësin e moshuar. Rreth asaj tavoline të vogël, duke pirë çaj, Ho Chi Minh mund t’u kushtonte kohë vizitorëve të paktë që priste, duke i ftuar të uleshin në dysheme.
Pothuajse në mënyrë të padukshme, mes dy udhëheqësve revolucionarë hapej një humnerë: nga njëra anë një burrë i vogël, i përkorë dhe pak i dhënë pas kënaqësive të kësaj bote; nga ana tjetër, djali i bëshëm i një pronari tokash kreol, pa kufij në ambiciet e tij dhe për të cilin e vetmja masë ishte teprimi.
Megjithatë, pikërisht përmes këtyre dallimeve ata u shndërruan në simbole të popujve të tyre, secili produkt i kulturave dhe traditave rrënjësisht të ndryshme.
Dhuratat që Fidel kishte zakon të bënte përzgjidheshin me kujdes sipas shijeve të marrësve dhe bazoheshin në raportet e shërbimit të tij të shkëlqyer të inteligjencës. Për të mos fyer figura me prirje modeste si Ho Chi Minh, ai mbrohej pas legjendës së ndërtuar me kujdes të gladiatorit antiimperialist.
Thelbësore ishte të pengohej çdo rrjedhje informacioni për atë që ai e quante “jeta private”.
Çdo muaj, me përpikëri absolute, i dërgonte Nasserit një kuti me 150 puro të holla, të preferuarat e tij. Në jahtin e Nasserit, të ankoruar në Nil, askush nuk ishte më i mirëpritur se Luis García Guitar, ambasadori kuban, kur mbërrinte me ngarkesën e çmuar. Në kapakët e kutive prej cedri ndërthureshin stemat e Kubës dhe Egjiptit.
Peruanin Velasco Alvarado dhe kilianin Salvador Allende i mbulonte me kuti akulloreje me kokos, shija e preferuar e tyre.
Dashuritë
Fidel e hipte Lupe Veliz, gruan e Antonio Núñez Jiménezit, ambasadorit kuban në Lima, në një Ilyushin-62 të Cubana de Aviación. Çdo dy javë, me përpikëri, ajo shfaqej duke sistemuar termuset që kullonin nga kondensimi.
Ndërsa Núñez ishte i zënë me çështjet e ndërlikuara diplomatike në Lima, Fidel përfitonte nga rasti për të kultivuar takimet e tij romantike me Lupen në një prej strehëve të tij në ishull.
Por shpenzimet justifikoheshin nga përfitimet e makinerisë së tij të vajosur mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në pritjen që organizoi në janar 1989 për delegacionet e armiqve të tij më të egër, amerikanët dhe afrikano-jugorët, me rastin e mbledhjes së parë të komisionit katërpalësh që i dha fund konfliktit në Afrikën Jugore, Fideli, mikpritës i shkëlqyer, u tha të ftuarve:
“Pse nuk bëni një xhiro nëpër vend? Mos u shqetësoni për shpenzimet. Gjithsesi jemi të falimentuar”.
Po sovjetikëve? Atje purot kubane nuk vlerësoheshin shumë dhe rumi kuban vështirë se mund të konkurronte me shishet e vodkës së kristaltë. Vetëm shkrimtari Ilya Ehrenburg ishte konsumator i rregullt i duhanit të çmuar Criollo, por ai nuk frekuentonte Kremlinin dhe për këtë arsye ishte lënë jashtë listave zyrtare kubane. Megjithatë, ishte ndër ata që pritën me entuziazmin më të madh vendosjen e marrëdhënieve me “Ishullin e Lirisë” dhe sidomos hapjen e dyqaneve kubane të duhanit që papritur nisën të shfaqeshin në Moskë.
Miqtë dhe armiqtë
Gabriel García Márquez ishte më me fat. Rreth vitit 1995, Fidel Castro solli nga Zimbabveja dy impala të mrekullueshme, secila me peshë mbi 70 kilogramë. Duke shfrytëzuar aleancën me Robert Mugaben, dërgoi Ilyushin-62-shin e zakonshëm të kompanisë Cubana, me synimin që ajo mish të piqej në skarë më 6 mars, për ditëlindjen e Gabrielit, apo “Grabrielit”, siç e quante ai.
Një impala ishte për Gabo-n, tjetra për kopshtin zoologjik të qytetit.
Por kjo e fundit duhej të therej, sepse impala e destinuar fillimisht për festën e Gabo-s, e cila kulloste në tokat e komandantit Guillermo García – një prej të ashtuquajturve “komandantë historikë” – në periferi të Havanës, ishte therur nga persona të paskrupullt në prag të datës së përcaktuar për sakrifikimin e saj zyrtar. Mishi ishte shpërndarë dhe konsumuar në fshatrat përreth përmes rrjetit të tregut të zi të lidhur me mjeshtrit e thertores.
Por Fidel shpesh mbante një qëndrim krejt tjetër ndaj personazheve më pak të pëlqyer.
Më 20 prill 1961, ndërsa shkonte dhe kthehej nga Gjiri i Derrave, ku luftohej kundër brigadës së CIA-s, Fidel u shfaq në qelinë ku mbahej Eufemio Fernández, një njohje e vjetër nga koha e përplasjeve universitare, tashmë i akuzuar si agjent amerikan.
Ndërsa kërkonte në xhepat e uniformës, i tha:
“Dreqi ta hajë, Eufemio, erdha të të sillja disa puro, por i lashë në makinë. Gjithsesi, bëhu gati, sepse sonte do të pushkatohesh”.
Pasi kapi në flagrancë Carlos Aldanën, sekretarin e tij ideologjik në fund të viteve ’80, me disa karta krediti, dërgoi dy agjentë trupmëdhenj të Sigurisë Personale për t’i çuar një mesazh:
“Komandanti thotë se nuk dëshiron të të shohë pranë Pallatit të Revolucionit dhe as publikisht në ndonjë manifestim”.
Fideli nuk njihte kufij.
Por ai vetë, familja, shtëpitë, dashnoret, shijet, lëvizjet dhe hyrje-daljet e tij në Pallat mbaheshin të gjitha nën një sekret të rreptë, i cili e verboi CIA-n dhe bëri që të dështonin mbi 600 tentativa për ta vrarë.
Për aq kohë sa ia lejoi shëndeti, proshuta që konsumonte ishte Cinco Jotas, e prodhuar ekskluzivisht në Jabugo. Mishi i tij i preferuar ishte ai i drerit të veriut, i importuar posaçërisht për të nga Finlanda. Në shtratin e tij kishte çarçafë dhe këllëfë jastëkësh jashtëzakonisht të shtrenjtë prej pambuku egjiptian të markës Pratesi.
Jo shumë larg një kthese të Havanës, pasi kalohet ura e hekurt mbi lumin Almendárez në drejtim të perëndimit, ndodhet ende shtëpia ku mbante, në një ambient të frigoriferuar, çokollatat dhe verërat e tij “më të shtrenjta në botë”.
Sa i përket atij lloj haremi lundrues që e rrethonte, thuhet se pjesë e tij ishte edhe gazetarja legjendare amerikane Barbara Walters – “Fjala karizëm është krijuar për të”, pati thënë ajo – si edhe fatkeqja Lisa Howard, me të cilën Fidel, sipas bashkëpunëtorit të tij Manuel Piñeiro, ishte dashuruar “si qen”.
Ajo u gjet e vdekur pranë një farmacie në Shtetet e Bashkuara – versioni zyrtar është se kreu vetëvrasje – pasi dyshohej se kishte shkuar tepër larg në rolin e saj si ndërmjetëse sekrete mes Fidelit dhe presidentit Kennedy.
Në kujtimet e saj të pabotuara, ajo tregonte se, përpara se të shkonte për herë të parë në shtrat me të, Fideli e kishte pyetur se çfarë i pëlqente më shumë tek ai: mendja apo trupi. Lisa nuk tregoi se çfarë iu përgjigj.
Dhe të mos harrojmë përkthyesen e anglishtes Juanita Vera, me të cilën pati një djalë, me dijeninë e plotë të bashkëshortit të saj, edhe ai pjesëtar i ekipit të përkthyesve.
Kur një prej kolonelëve të eskortës së tij u pyet pse “shefi” frekuentonte kaq shumë gratë e stafit të vet, ai u përgjigj:
“E shihni, ai nuk mund të dalë vetëm në rrugë”.
Diçka të ngjashme shpjegoi edhe vetë Fideli kur tregoi se çfarë i mungonte më shumë në jetë:
“Të mund të rri ulur në një cep rruge”.
Magjepsja e përjetshme e revolucionit
Asnjë nga këto aventura apo shthurje nuk e ka zbehur magjepsjen me të cilën kujtohet ende sot.
Fideli la gjurmë në histori.
Në një botë që në vitin 1959 ishte nën pushtetin e dy burrave të moshuar dhe tullacë, Eisenhowerit dhe Hrushovit, papritur, duke zbritur nga malet, u shfaq kjo hordhi luftëtarësh të rinj, me flokë të gjatë dhe mjekra të dendura.
Në më pak se dy vjet, ata zbatuan një reformë radikale agrare, morën nën kontroll të gjitha industritë e ngritura në Kubë nga amerikanët, mposhtën ushtarakisht amerikanët në Gjirin e Derrave, çrrënjosën analfabetizmin në më pak se një vit, e çuan botën në prag të holokaustit bërthamor, mbushën kontinentin me guerrilje dhe nuk u ndalën derisa dislokuan pothuajse gjysmë milioni njerëz në Afrikë dhe fituan një tjetër luftë – këtë herë kundër një Afrike të Jugut të armatosur me bomba bërthamore – duke kontribuar ndërkohë në çlirimin e Namibisë, eliminimin e aparteidit në Afrikën e Jugut dhe garantimin e integritetit territorial të Angolës.
Dimë se në orën 22:45, sipas orës lokale kubane, të premten e 25 nëntorit 2016, në rezidencën e tij në Havanë, ajo jetë e kaluar mbi tehun e thikës, mes kënaqësisë dhe kërcënimit të vazhdueshëm të vrasjes, u shua në një çast.
Ai ishte tashmë në ambulancë kur vdiq.
Në pritje të fundit të afërt, urdhrat e Raúl Castros ishin dhënë dhe ishin kategorikë. Duhej të njoftohej menjëherë vetëm ai; ambulanca duhej të shkonte në klinikën CIMEQ, Qendra e Kërkimeve Mjekësore-Kirurgjikale, pa e nxjerrë trupin deri në mbërritjen e Raúlit. Më pas, në praninë e tij, trupi do të dërgohej drejtpërdrejt në qendrën e kremimit.
Tani Kuba feston 100-vjetorin e lindjes së tij.
Por çfarë mund të festohet në një vend të rrënuar dhe nën bllokadën brutale energjetike të vendosur nga Donald Trump? Ditëlindja e një të vdekuri. Këtë 13 gusht.
Qeveria kubane, e dobësuar dhe e rraskapitur, nuk arrin të përmbushë pritshmëritë e një vendi të farkëtuar në gjëmimin e Revolucionit.
Megjithatë, disa gjëra duket se nuk ndryshojnë: amerikanët vazhdojnë të krijojnë komisione dhe ekipe për të bashkëvepruar me Kubën e së nesërmes, ndërsa banorët e atij ishulli vazhdojnë të sillen sikur Fideli të ishte ende në pushtet. Ose, të paktën, kështu do të donin.
Është e ligjshme të pyesësh se si e shihte vetë Fidel Castro një jetë kaq intensive.
Një herë, në fillim të viteve ’80, ndërsa shikonte fotografitë e një prej operacioneve të tij të para ushtarake – kapjen, në verën e vitit 1959, të disa ushtarakëve të dërguar nga Trujillo pranë aeroportit të Trinidadit – Fideli dukej se njihte vetëm veten.
Nuk arrinte të identifikonte askënd tjetër.
Në fund, me zhgënjimin të stampuar në fytyrë, tha:
“Shoku im, problemi është se nuk mbaj mend asgjë”.






















