Politika 10 Dhjetor 2024, 21:17 Nga VNA

Mandati i Xhaçkës, Venecia: Vendimet e Kushtetueses të detyrueshme për zbatim

Ndaje në Whatsapp
Mandati i Xhaçkës, Venecia: Vendimet e Kushtetueses të

Komisioni i Venecias publikoi sot opinionin e tij mbi përplasjen mes parlamentit shqiptar dhe Gjykatës Kushtetutese lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Në disa paragrafë Komisioni e thekson qartazi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t'u zbatuar dhe nuk mund të kushtëzohen me votimin në parlament. Ndërsa në përgjigje të pyetjes që i është dërguar nga parlamenti, nëse deputetët mund të detyrohen të votojnë pro ose kundër një çështjeje, ndonëse thekson qartë se deputeti nuk mund të detyrohet se si të votojë, për rastin konkret, po ashtu nënvizon se vendimi i Gjykata Kushtetuese, i cili është i detyrueshëm për t'u zbatuar, kishte dalë para se deputetët të votonin për të. Shumica socialiste dhe opozita e interpretuan në kahe tërësisht të kundërta këtë opinion.

Çështja e mandatit të deputetes Xhaçka e ka zanafillën që në qershor të vitit 2022, kur deputetë të opozitës, iu drejtuan parlamentit me një mocion për konstatimin e pavlefshmërisë dhe përfundimin e mandatit të ish ministres. Sipas tyre zonja Xhaçka ishte në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut. Vetë zonja Xhaçka ka këmbëngulur se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi i dhënë bashkëshortit të saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë. Socialistët po ashtu, votuan kundër dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Dy vendime të kësaj Gjykate, sipas të cilave parlamenti duhet t’ja përcillte asaj rastin, hasën në pengesën e votave të shumicës, pasi ajo vlerësoi deputeti nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar dhe se këtë liri atij ia njeh kushtetuta.

Pas votimit të fundit në shtator, kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali, njoftoi dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias. Në opinionin e publikuar sot nga ky Komision përcaktohet se “zbatimi nga të gjitha autoriteteve i vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë ndaj Kushtetutës si element i shtetit të së drejtës. Një detyrim i tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë jetike e shtetit të së drejtës”, vlerëson Komisioni i Venecias duke shtuar se “kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen specifike, siç përcaktohet nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo edhe për mundësinë për t'ia referuar çështjen Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mënyrë, Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një formë të caktuar, por është në gjendje të votojë vetëm për çështje që janë në kompetencën e tij”.

Socialistët e kanë interpretuar këtë fjali të fundit si një mbështetje të qëndrimit të mbajtur prej tyre. “Eshtë e qartë se pikëpyetjet e ngritura në lidhje me votimin për zbatimin e evendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastin në fjalë, kanë qenë të drejta e të bazuara në argumenta tërësisht kushtetuese dhe ligjore. Dhe ato lidhen me integritetin e autonomisë parlamentare, të drejtën e pakicës parlamentare që t’i drejtohet direkt Gjykatës Kushtetuese në rastin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, rolet kushtetuese të Kuvendit dhe Gjykatës sipas përcaktimeve në ligj dhe në kushtetutë”, deklaroi kryetarja e Komisionit të Ligjeve, socialistja Klotilda Bushka.

Ndërkohë opozita shprehet e sigurt se Komisioni i ka dhënë të drejtë asaj. Sipas kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi “qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias - shkruan më tej zoti Bardhi - i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë”.

Qëndrimi i opozitës mbështetet nga disa momente të tjera në Opinionin e Komisionit të Venecias, ku thuhet se në rastin konkret “Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e kishte vendosur tashmë që Parlamenti ishte i detyruar ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit” Olta Xhaçka.

Komisioni i Venecias nënvizon më tej se “parimi themelor i shtetit të së Drejtës, është plotfuqishmëria e Kushtetutës dhe respektimi, nga të gjitha pushtetet dhe autoritetet shtetërore, i efektit detyrues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kur ka një të tillë. Detyrimi për t'iu përmbajtur kushtetutës dhe legjislacionit ekzistues, si dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk është një formë mandati detyrues i cili ia nënshtron votën e deputetëve vullnetit politik të partisë, dhe që ndalohet nga standartet ndërkombëtare”.

Në tekstin e Opinionit vihet në dukje se “vetë qëllimi i ekzistencës së Gjykatës Kushtetuese, është të kufizojë shklejet e mundshme nga legjislativi ose aktorët e tjerë shtetërorë. Parlamenti nuk mund t'i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar zbatimin dhe respektimin e vendimeve të GjK në kuadër të kompetencave që i jep Kushtetuta”. Për këtë arsye, sipas Komisionit të Venecias, pyetjet e drejtuara nga parlamenti shqiptar për këtë rast “nuk mund të shihen si çështje të mandatit të lirë, pasi respektimi ose jo i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të jetë çështje dëshire politike. Në rastin konkret për të cilin u paraqit kjo kërkesë, Gjykata kishte dhënë dy vendime, dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk mund të kushtëzohet nga votimi ose shumica parlamentare”.

Por dy leximet tërësisht të kundërta të Opinionit, nga ana e shumicës dhe opozitë, duket nuk ofrojnë shpresë se në çështjen e mandatit të zonjës Xhaçka do të mund të shkohet drejt një zgjidhjeje./VOA/

 

Video

Kulla në themele të kopshtit 43 e çerdhes 26 në Tiranë Me këtë zhurmë nga kantieri i punimeve, vogëlushët duhet të përqëndrohen të përgatiten apo të flejnë gjumin e drekës. Punimet e pallatit sipas lejes janë për 5 vjet, dhe fëmijët duhet të durojnë 5 vjet këtë gjendje. Pavarësisht ankesave të prindërve, Drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve nuk ka marrë masa për të spostuar fëmijët në ambiente të tjera gjatë kohës së ndërtimit, dhe aq më pak të detyrojë kompaninë të bëjë punime pas orarit mësimor.

Cigarja e Monës për t'a ndarë helmin me të tjerët.

Pasi mbyllën kompleksin e Xhamisë Al-Aksa më 28 shkurt, forcat izraelite tani po sulmojnë myslimanët që po falin namazin e teravisë në trotuarin jashtë tij. Më 17 mars, forcat izraelite përdorën gaz lotsjellës, bomba zanore dhe shkopinj gome për të shpërndarë me dhunë myslimanët palestinezë që po luteshin në mënyrë paqësore pranë Portës së Luanëve dhe Portës Sahira në Jeruzalemin Lindor të pushtuar.

E ka thënë seriozisht…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme