Politika 20 Maj 2025, 18:12 Nga VNA

Kush janë 10 kandidatët më të votuar të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit?

Ndaje në Whatsapp
Kush janë 10 kandidatët më të votuar të Partisë

Partia Socialiste korri një rezultat spektakolar në zgjedhjet e 11 majit, aq sa mund të quhet befasues për një forcë politike që do qeverisë mandatin e katërt të saj. Nga 83 deputetët që do të përfaësojnë qeverinë në parlament, pati edhe nga ata që surprizuan me votat preferenciale. Një pjesë e madhe prej tyre fytyra të reja, pa eksperiencë politike apo publike, si dhe figura në hije brenda PS që në këto zgjedhje dolën më të preferuarit e socialistëve.

VNA sjell më poshtë 10 nga deputetët e majtë më të votuar të këtyre zgjedhjeve.

 

Listën e kryeson Blendi Gonxhja i cili mblodhi në Tiranë rekord votash prej 24.802. Rezultati i tij konsiderohet i papritur, pasi Gonxhja nuk ka qenë një emër shumë i zëshëm në Partinë Socialiste, duke tejkaluar edhe emra me peshë të kësaj force politike. Ai madje nuk ka mbajtur poste të larta në qeveri deri kur, një vit më parë, u emërua ministër, pas një periudhe në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Megjithatë, ai njihet si një nga bashkëpunëtorët më besnik të kryeministrit. Që nga koha kur Rama ishte ministër i Kulturës në vitin 1998, Gonxhja shërbeu si Shef i Kabinetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më vonë, në kohën kur Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës, Gonxhja u emërua nënkryetar. Pas një pauze të gjatë në politikë, ai u rikthye në skenën publike pas vitit 2013, kur Rama mori mandatin e parë si kryeministër.

Një pjesë e opinionit publik e arsyeton numrin e lartë të votave të tij si një mbështetje tjetër e kryeministrit, për ta projektuar si kryebashkiakun e ardhshëm të Tiranës. Por kjo mbetet për t’u parë.

 

Kandidati i dytë më i votuar është Erion Braçe me 23.864 vota. Braçe është një emër i vjetër në PS dhe tepër aktiv si brenda partisë edhe në detyrat që ka mbajtur si deputet i PS apo dhe si zëvendëskryeministër për tre vite në mandatin e dytë qeverisë së Edi Ramës. Për të qenë ndër më të votuarit edhe ishte e pritshme, por rezultati i lartë mund të quhet surprizë vetëm për faktin se në këto zgjedhje, pak muaj para fushatës u caktua të kandidonte në Tiranë. Kryeqyteti mund të quhej një zonë e re për të, duke qenë se u hoq nga zona tradicionale e tij siç ka qenë Lushnja dhe Divjaka që ka vepruar në mandatet e mëparshme, por që sërish arriti të konfirmohet si një nga të preferuarit i socialistëve.

 

I treti në radhë është kandidati i Durrësit Arkend Balla me 20.650 vota. Balla mund të quhet një nga surprizat e këtyre zgjedhjeve, pasi përveçse është emër i panjohur më parë, nuk rezulton që të ketë pasur aktivitet të madh në degën e PS në Durrës. Këtë tregon edhe CV-ja e tij, që ka punuar si nënpunës në administratën e Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës. Por Balla ka qenë kandidat për deputet në listën e PS edhe në zgjedhjet e 2021-it, ku siguroi vetëm 2400 vota. Ai hyri në parlament në vitin 2023 duke marrë mandatin e deputetit Rrahman Rraja, kur ky i fundit u largua pas skenave të frikshme ku familjarë të tij rrihnin dy qytetarë.

Balla nuk rezulton që të ketë qenë aktiv në media apo në intervista. Në një kërkim të thjesht në rrjetet sociale të tij, është e vështirë të gjesh një artikulim publik, përveç disa videove nga takimet në fushatë të shoqëruar me muzikë në sfond. Megjithatë Arkend Balla do të duhet ta shpalos aftësitë apo cilësitë e tij edhe në Parlament për të justifikuar besimin e madh që ka marrë nga socialistët e Durrësit, të cilët për katër vite nga 2400 i bëri 20.600 veta për ta votuar.

 

Vendin e katërt për numrin e votave e mban ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, me 19.151 të tilla. Hoxha u shfaq në sferën e politikës publike në korrik të vitit 2024 kur mori detyrën e ministrit të Brendshëm, që është edhe posti më i lartë që ka mbajtur në karrierën e tij. Deri para një viti ai nuk njihej, madje emërimi i tij ishte një nga risitë e qeverisë Rama 3.

Ai ka shërbyer në administratën shtetërore si drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, drejtor i Policisë Rrugore, drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave.

Për një vit në politikën aktive, Hoxha nuk rezulton që të ketë shënuar një sukses të veçantë për të qenë një yll në rritje në PS. Madje ndaj ministrit ka pasur akuza nga përfaqësues të PD se vëllai i tij në OSHEE abuzon me paratë e qytetarëve.

 

Sara Mila gjithashtu është një nga surprizat e këtyre zgjedhjeve me mbështetjen që ka marrë. 29-vjeçarja që ishte një nga fytyrat e reja që kandidonte në qarkun e elbasanit, ka siguruar 19.845 vota. Mungesa e karrierës politike apo publike dhe votat e shumta që ka marrë e kanë vendosur atë në qendër të vëmendjes edhe gjatë fushatës zgjedhore. Sidomos pasi kreu i PD, Sali Berisha e akuzoi se mbështetet nga Suel Çela, një drejtues i krimit të organizuar në Elbasan, i shpallur në kërkim për një listë të gjatë veprash penale.

Sa i përketë karrierës së saj, Mila ka filluar të punojë në moshën 24-vjeçare në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare pranë Kryeministrisë dhe në vitin 2022 u emërua drejtoreshë e njërit prej sektorëve të Shërbimit Social Shtetëror, të dyja punë të nivelit teknik.Përtej karrierës si nëpunëse, ajo është vajza e një biznesmeni me aksione në dy kompani tregtie me qendër në Tiranë si dhe bashkëshorte e pronarit të një fabrike të përpunimit të aluminit.

 

Ceno Klosi është kandidati më i votuar në listën e hapur në qarkun e Fierit dhe i gjashti nga socialistët në të gjithë Shqipërinë me 19.290 vota. Klosi është një prej emrave që nuk ka pasur aktivitet politik, por që ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën shtetëore. Ai ka mbajtur më parë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve (2021 – 2024), përgjegjës për mbledhjen efektive dhe efikase të të ardhurave tatimore, kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe taksave, me qëllim garantimin e mbulimit të shpenzimeve publike. Ndërsa prej një viti mban pozicionin e Zëvendës Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë që nga muaji qershor i vitit 2024.

Me gjasë besimi që i ka dhënë në detyrat e mëparshme ministrja Belind Balluku, njëherësh edhe drejtuese politike e qarkut ku Klosi kandidoi për deputet, do të ketë ndikuar edhe në rezultatin e votave preferenciale.

Kujtojmë se Ceno Klosi është nën hetim nga SPAK për për 4 vepra penale, “korrupsion”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumentave”.

 

Pothuajse në të njëjtën linjë të karrierës politike është edhe kandidati tjetër i qarkut të Fierit, Klevis Jahaj, i cili ka siguruar 15.680 vota. Një emër tërrësisht i ri, i panjohur publikisht ai ka arritur që të jetë kandidati i shtat më i votuar i PS.

Në CV-në e tij rezulton se që nga tetori 2021, Jahaj mban postin e drejtorit të Agjencisë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të drejtuar nga Belind Balluku.

 

Ndër më të votuarit është edhe kandidati i qarkut të Dibrës, Agron Malaj që mori 14.744 vota personale. Ish-gardisti i 21 janarit 2011, ka shënuar një karierë politike në ngjtje gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste. Në vitin 2014, pas 6 vitesh shërbim në Gardën e Republikës, Malaj merr postin e Drejtorit Rajional të Zonës Veri – Lindore në OSHEE. Nga vitit 2015 deri në nëntor 2016 ka qenë Kryetar i Partisë Socialiste në Bashkinë Mat, ndërsa nga nëntori 2016 e në vazhdim është Koordinator elektoral për Bashkitë Mat dhe Klos.

Në vitin 2019, Malaj kandidoi për Bashkinë Mat dhe duke mos pasur konkurrent tjetër për shkak të bojkotit të opozitës, ai u zgjodh kryebashkiak. Edhe në vitin 2023 ai u rizgjodh në krye të bashkisë Mat, detyrë që e ka mbajtur deri në mars të këtij viti kur dha dorëheqje për të kandiduar për deputet. Mesa duket funksioni i kryebashkiakut i ka kthyer Malajn në një makineri votash edhe në qarkë.

Malaj gjithashtu është nën hetim nga SPAK, ndërsa është akuzuar vazhdimisht nga PD se ka përdorur pushtetin për të përfituar kontrata me para publike në favor të familjarëve të tij.

 

Një kandidat tjetër që është në 10 më të votuarit të PS, është edhe Ani Dyrmishi në Durrës me 13.716 vota. Ndonëse është një emër i ri që do të futet në parlament, Dyrmyshi ka pasur disa poste të rëndësishme në qytetin bregdetar. Nga viti 2016 deri në qershor të 2017-ës ka drejtor i Hipotekës në Durrës. Nga 2017 deri në vitin 2022, ai ka qenë drejtor i Hekurudhës Shqiptare, ndërsa që nga viti 2019 e deri më sot është kryetar i Këshillit Bashkiak të bashkisë Durrës, gjithashtu nga shtatori i vitit 2023 ka qenë drejtor i Spitalit Rajonal të Durrësit.

Dyrmishit i janë bërë 2 atentate, edhe pse ai ka mohuar te të dyja që të kishin lidhje me të.

Rasti i parë ishte në 19 nëntor të 2018, ku Dyrmishit iu vendos një sasi tritoli në makinën e tij, por lënda plasëse nuk arriti të shpërthente duke u konceptuar vetëm si mesazh kërcënimi. Vetë Dyrmishi tha se nuk kishte konflikt dhe se ngjarja nuk kishte lidhje me të.

Ndërsa atentati i dytë ishte 15 tetor 2019 kur PD denoncoi se persona të paidentifikuar kishin hapur zjarr në drejtim të mjetit të Dyrmishit, por që sipas kësaj partie, ngjarja u fsheh nga policia. Edhe në këtë rast Dyrmishi tha se atentati nuk ishte bërë ndaj tij, por makina e cila ishte qëlluar është e shoferit të tij dhe se ka hipur vetëm disa herë në të.

 

Dhjetëshen e kandidatëve të PS më të votuar në 11 maj, e mbyll një nga figurat e vjetra dhe me shumë ndikim të kësaj force politike Fatmir Xhafaj. Ish-ministri i Brendshëm ia arriti edhe në këto zgjedhje që të sigurojë votat e nevojshme për të qenë në parlament, duke marrë 13.673 vota personale. Me një karrierë të gjatë në politikën aktive të vendit dhe me poste të rëndësishme në të gjitha qeverisjet e socialistëve, Xhafaj rikonfirmohet si një nga të vjetrit e PS që gëzon ende mbështetje.

Kujtojmë se Xhafaj gjatë periudhës shkurt-shtator të qeverisë Nano ka qenë ministër i rregullimit të territorit dhe turizmit. Ndërsa nga viti 2003 deri në vitin 2005 ka mbajtur postin e ministrit të Drejtësisë. Ndërsa në mandatin e dytë të qeverisë Rama, Xhafaj ka mbajtur postin e ministrit të Brendshëm. Ai gjithashtu ka pasur disa funksione drejtuese në Partinë Socialiste.

 

Video

Kur emërohesh ministër dhe fillon e ndjen direkte lakun në fyt

Kur zëvendëson ish-bashkëpunëtorin kryesor…

Tradhëtia ka emër. Apo jo Elisa Spiropali?!

Rama paralajmëron: parlamenti do të ketë 101 deputetë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme