Politika 18 May 2025, 18:43 Nga VNA

Gonxhja përsërit mesazhin për 22.500 votat e Tiranës. A duhet SPAK të sekuestrojë librin e hyrje-daljeve gjatë fushatës në zyrën e Ministrit?

Ndaje në Whatsapp
Gonxhja përsërit mesazhin për 22.500 votat e Tiranës. A

Ministri Blendi Gonxhja, siç rezulton nga tabela e rezultateve paraprake në faqen e KQZ ka një rezultat deri më tani prej rreth 22.500 vota në gjithë qarkun Tiranë.

Shifrat e Ministrit nuk kanë asnjë shpjegim tjetër përveçse përdorimit prej tij të rrjetit të administratës së punësuar në piramidën e superministrisë që ai drejton.

Shifrat nuk shpjegohen dot as me staturën politike të Zotit Gonxhja dhe as me të folurën publike të Ministrit të Qeverisë Rama.

Kaq i panegociueshëm është ky konkluzion saqë së fundmi, Ministri ka marrë pozicion mbrojte dhe ka nisur daljet mediatike që të justifikojë rezultatin.

Por e vërteta ështe se vetëm ka përforcuar konkluzionin që Ministri Gonxhja ka përdorur postin e Minisrrit per të mbledhur vota personale. Për ta bërë këtë më të qartë për lexuesit po shkëpusim disa fjali të Ministrit, nga një dalje në Televizionin EuronewsAlbania.

"Nuk besoj se do dalë një person që të thotë se ka qenë i detyruar në zonë  time që të votojë për ministrin Gonxhja. Nuk kam dalë në trotuare a dyqane duke iu hyrë njerëzve në privatësinë e tyre. Jam përpjekur të kem një takt të edukuar për të bërë që të kuptohet se qasja është serioze.

Kam bërë takime me shumë njerëz për të dëgjuar problemet e tyre. Kur shkon edhe si ministër përgjegjësia është edhe më e madhe.

Të shkosh si ministër nuk është favor, se ai presupozohet të zgjidhë çështje të shumta duke qenë edhe si pjesë e kabinetit. Ky është presion më i madh se ai ndaj një kandidati që nuk ka asnjë përgjegjësi” - deklaroi ministri i supervotuar i qeverisë Rama.

Nëse je aq torollak saqë të besosh çfarë thotë Ministri, atëherë do duhet të besosh se Ministri Gonxhja nuk paska bërë fare fushatë. 22.500 votat i ka marrë sepse qytetarët e Qarkut Tiranë janë të gjithë fansa te Gonxhes dhe elokuencës së tij brilante.

Nëse je naiv mund të besosh se Gonxhja paska pasur një hall më të madh se te tjeret kandidatë. Bile pasi e dëgjon mund të nisesh ti qash edhe hallin.

Gonxhja na tha që “ata të tjerët” mund t'i takojnë njerëzit se ata thjesht u premtojnë veresie, kurse Gonxhja nuk i takon si ata. Ai duke qenë Ministër i nënshtrohet një presioni më të madh sesa të tjerët sepse Gonxhja ka gjëra në dorë që kandidatët e tjerë nuk i kanë.

Por fakt mbetet që Blendi Gonxhja e di më mirë se për çfarë flet! E sigurisht që e di më mirë edhe sesa kandidatët e tjerë të partisë aë tij pa pushtet ekzekutiv. Ai e pranon se nuk u ka hyrë njerëzve në dyqane e biznese. Diçka që e kanë bërë publikisht të gjithë kandidatët e tjerë, përfshirë dhe kryeministrin.

Por siç Blendi Gonxhja pretendon, ai paska zgjedhur një takt më të edukuar që personat me të cilët fliste ta kuptonin që ministri kishte qëllime serioze. E duke e marrë të mirëqenë se me “qëllimet serioze” nuk ka qenë duke na folur për propozime për martesë, Gonxhja duhet të shpjegojë ku kanë ndodhur këto "sqarime me takt"? Në zyrën e Ministrit?

"Nuk kam dalë në trotuare a dyqane duke iu hyrë njerëzve në privatësinë e tyre" thotë Gonxhja. Po në cilin ambjent që nuk prekte privatësinë e njerzve i ka zhvilluar bisedimet me qasje serioze?

Kjo pyetje është legjitime sa kohë që vetë Gonxhja na thotë: "kam bërë takime me shumë njerëz për të dëgjuar problemet e tyre".

Ku janë zhvilluar takimet me qasje serioze?

A duhet SPAK të sekuestrojë regjistrat e hyrjeve dhe takimeve të Ministrit Gonxhja, të paktën që prej ditës kur ai publikua lista e hapur për Qarkun Tiranë?

Pastaj këta të tjerët, që paskan bërë takime pa takt dhe me qasje aspak serioze, sipas kutit të Gonxhes, ku duhet t'i takonin njerëzit? Te zyra e Ministrit të Ramës?

Po a mos është vepër penale kjo?

Edi Rama gjatë fushatës ka vizituar biznese dhe ka takuar njerëz pa fund, duke qenë dhe kryeministër. Dhe si i tillë ai ka dhe më shumë pushtet se çdo ministër i tij. Pa i analizuar Ramës taktin dhe qasjen jo serioze (sipas kutit të Gonxhjes), Rama në këndvështrimin e Ministrit të tij, hyn tek ata që shkon serbes të takojë njerezit sepse nuk ka gjë në dorë?

Sipas Gonxhes në intervistën e sotme, ministrat kanë presion dhe përgjegjësi të madhe, nuk janë si ata të tjerët e tufës. Po Rama është aq i “madh” sa Gonxhja?

E meqë Blendi Gonxhja, ky i këtyre fjalive që cituam më lart, arrin të marrë 22.500 vota vetëm duke ndenjur në zyrë, pse shefi i madh i ra përqark Shqipërisë disa herë duke bërë fushatë? A mos vallë Blendi Gonxhja paska një formulë magjike që nuk e ka ndarë me Edi Ramën?

Por tahmaja e madhe për votat e Tiranës tashmë duket se po i shndërrohet në bumerang “rekordmenit” që del çdo ditë për të sqaruar publikun se ai nuk i lypi, por votat i ngecën në derë. Por Blendi Gonxhja ndoshta se ka kuptuar ende se justifikimin për votat nuk e bën dot në TV apo rrjete sociale. Për to diku tjetër jepet llogari. Dhe në atë derë tashmë kanë hyrë për të qëndruar gjatë kolegët e Gonxhes që as votat dhe Rama nuk i kanë bërë dot derman.

Video

Këto janë pamjet e momentit kur Kristian Sterjo, i dyshuari për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë, shoqërohet nga policia drejt furgonit të uniformave blu. Pas disa orësh kërkime, policia ka bërë të mundur kapjen e tij në afërsi të banesës. Sterjo po shoqërohet në komisariat, ku pritet të vijojnë procedurat e mëtejshme hetimore dhe ligjore. Vrasja ndodhi pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.

Këto janë pamjet e arrestimit të Renardo Nallbanit, i shpallur në kërkim prej rreth dy vitesh në kuadër të hetimeve për dosjen e inceneratorit të Tiranës. Nallbani u lokalizua nga shërbimet e Policisë së Vlorës në vilën e tij në Palasë, ku edhe u bë arrestimi. Ai akuzohet për disa vepra penale në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, ndërsa pas arrestimit pritet të transferohet në Tiranë për vijimin e procedurave ligjore.

Pamje nga vendi i ngjarjes në Korçë, aty ku u vra 20-vjeçari Johan Zuko Këto janë pamjet nga pallati në lagjen 14 të Korçës, ku ndodhi vrasja e 20-vjeçarit Johan Zuko. Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se ishte duke u ndjekur nga autori dhe tentoi të fshihej brenda pallatit, por u kap nga autori dhe u qëllua me armë zjarri.

Zjarri i fuqishëm në Krujë, ndërhyrje nga ajri për të ndalur flakët! Këto janë pamjet nga ndërhyrja e një helikopteri që po hedh ujë mbi vatrat e zjarrit në malin e Krujës, në përpjekje për të lokalizuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre. Situata mbetet kritike në lagjen Abaze, ku rrezikohen rreth 30 banesa. Terreni i vështirë e ka bërë të pamundur ndërhyrjen me mjete në disa zona, ndaj operacioni po vijon nga ajri.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme