
Ndërsa vendi po digjet në çdo cep dhe flakët e zjarreve po i afrohen edhe kryeqytetit, nga Presidenca më në fund ka ardhur një sinjal jete. Presidenti Bajram Begaj ka vendosur të ndërpresë heshtjen administrative për t’u bërë pjesë e betejës me zjarrin, natyrisht, me armën e tij më të fuqishme: një status në rrjetet sociale.
Me një përkushtim që konkurron vetëm atë të zjarrfikësve në terren, Kreu i Shtetit ka shpërndarë një porosi thellësisht të mençur për popullin. Pasi zbuloi se punonjësit e emergjencave dhe ushtarakët "meritojnë mirënjohjen tonë" sepse po përballen me rrezikun në vijën e parë, Begaj nuk hezitoi të jepte edhe zgjidhjen përfundimtare për krizën: secili prej nesh duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mos i vërë flakën vendit.
Deklarata e Presidentit shkon edhe më tej në analizën e tij të hollësishme ligjore, duke zbuluar se keqbërësit që ndezin vatrat "duhet të ndëshkohen sipas ligjit", një mesazh i fortë ky që pa diskutim do t'i bëjë piromanët të mendohen dy herë para se të marrin shkrepësen.
Në fund, i ulur nën freskinë e kondicionerit presidencial, Begaj i kujtoi me realizëm shqiptarëve se sot vendi ka nevojë për solidaritet dhe përgjegjësi.
Sepse, siç dihet tashmë, kur natyra digjet dhe infrastruktura dështon, barra më e madhe bie gjithmonë mbi qytetarët që duhet të "bëjnë pjesën e tyre", ndërsa zyrtarët bëjnë pjesën më të vështirë, shkruajnë me solidaritet nga telefoni.






















