
Niveli rekord i ulët i ujit në lumin Danub, pas një periudhe të fortë thatësire, ka nxjerrë në dritë në Budapest trupat e dy ushtarëve gjermanë të Luftës së Dytë Botërore.
Pranë mbetjeve u gjetën etiketat e identifikimit të ushtarëve, një motor i ushtrisë gjermane Wehrmacht, një unazë martese dhe një mburojë “Kuban”. Zbulimi ka ngritur shpresat se, më shumë se 80 vjet pas përfundimit të luftës, mund të zbulohet identiteti i viktimave dhe familjet e tyre të mësojnë më në fund se çfarë u kishte ndodhur.
“Tani fillon një enigmë, në të cilën do të përpiqemi të përcaktojmë identitetin e dy të vdekurve”, deklaroi Arne Schrader, përfaqësues i Komisionit Gjerman të Varreve të Luftës, për gazetën “Bild”.
Zbulimi u bë më 2 gusht, pasi një kalimtar vuri re një pjesë të një motori që kishte dalë mbi shkëmbinjtë në bregun e Danubit, në qendër të Budapestit. Gjatë kërkimeve, ekipet gjetën gjithashtu mina antitank, çka solli mbylljen e përkohshme të zonës dhe ndërhyrjen e specialistëve për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese.
Motori besohet se është i modelit DKW NZ 350-1, i prodhuar posaçërisht për përdorim ushtarak duke nisur nga viti 1944.
Sipas Komisionit, njëra prej etiketave të identifikimit i përkiste një ushtari të Wehrmacht-it, ndërsa tjetra një anëtari të Waffen-SS. Kjo e fundit u shpall organizatë kriminale në proceset e Nurembergut për rolin e saj në krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Tashmë autoritetet dhe ekspertët gjermanë do të përpiqen të rindërtojnë historinë e dy ushtarëve dhe të përcaktojnë identitetin e tyre, duke zgjidhur një mister që Danubi e ka mbajtur të fshehur për më shumë se tetë dekada.






















