
RENEA zbarkoi këtë mbrëmje në Vlorë dhe organizoi një aksion me qëllim arrestimin e Inez Hajrullës, i shpallur në kërkim nga SPAK për vrasje dhe grup kriminal. Burimet thanë se, pavarësisht kontrolleve në zonën e Ujit të Ftohtë, që njihet si baza e Hajrullës, nuk u bë i mundur arrestimi i tij.
Hajrulla, që mori drejtimin e grupit kriminal pas vrasjes së Edison Arizajt, i njohur si Edison Faqedjeguri, akuzohet për vrasjen e Gentian Qarrit, i njohur si Gecja, më 6 shkurt 2021. Qarri është kushëri i Fatmir Hysenit, i njohur si Doqja, që dyshohet për përfshirje në atentatin ndaj Edison Faqedjegurit.
Hajrulla dyshohet se e ekzekutoi Qarrin në shenjë hakmarrjeje, pasi Doqjen e konsideron kundërshtar. Ai akuzohet edhe për krijim të kushteve për të kryer vrasjen e Bledar Bircajt. Hajrulla u ka mbijetuar disa atentateve dhe është në kërkim bashkë me mikun e tij, Ervis Matodoshaj.
Në total, SPAK firmosi shtatë urdhër-arreste, kur çeli hetimet për grupin e Inez Hajrullës.






















