
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin përmes të cilit ka rrëzuar ankesën e Saimir Çelës, një prej të dënuarve për grabitjen e 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit në vitin 2019. Çela pretendonte se dënimi ndaj tij ishte bazuar, ndër të tjera, te fjalia “Çfarë tersi, e dija”, e regjistruar gjatë një përgjimi ambiental.
Sipas vendimit, reagimi i Çelës u regjistrua në ambientet e paraburgimit ditën e arrestimit të tij, gjatë një bisede me të arrestuarin tjetër, Renaldo Sulaj. Duke vendosur të mos e kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare, Gjykata Kushtetuese vlerëson se biseda mes tyre tregonte se të dy kishin dijeni për arsyen e arrestimit.
Në argumentimin e saj, Kushtetuesja evidenton edhe prova të tjera të administruara gjatë procesit, mes të cilave 508 telefonata të kryera nga Çela me dy prej bashkëpunëtorëve të grabitjes.
Gjykata i referohet gjithashtu dëshmisë së të penduarit Alkond Bengasi, i cili ka treguar se përgatitja e grabitjes kishte nisur gjatë takimeve të shpeshta të anëtarëve të grupit. Sipas dëshmisë së tij, pjesë e planit ishte studimi i lëvizjeve të dërgesave monetare, përshtatja e automjeteve ku ishte vendosur mbishkrimi “Hetimi Tatimor”, sigurimi i mjeteve për hapjen e dyerve të emergjencës së aeroportit, si dhe sigurimi i armëve.
Grupi drejtohej nga Admir Murati, i cili mbeti i vrarë gjatë ndjekjes pas grabitjes.
Në total, gjykatat kanë dhënë 122 vite burgim për personat e përfshirë në grabitje. Përveç Saimir Çelës, Gjykatës Kushtetuese i janë drejtuar edhe vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, ndërsa në një proces të veçuar Talo Çela është dënuar me 18 vite burgim.
Ndërkohë që beteja ligjore vijon, autoritetet dyshojnë se grabitja e Rinasit mund të ketë sjellë edhe ngjarje të tjera kriminale, përfshirë vrasje.






















