Editorial 24 July 2025, 18:25 Nga VNA

Fatmir Xhafaj nuk e fsheh dot mllefin që ka me SPAK

Ndaje në Whatsapp
Fatmir Xhafaj nuk e fsheh dot mllefin që ka me SPAK

Nga Desada Metaj

Fatmir Xhafaj ka vulosur sot mbylljen e parlamentit me një konferencë për shtyp ku ka folur për arritjet e komisionit të tij. Pa u ndalur te retorika burokratike e një komisioni që nuk arriti të bënte asnjë propozim konkret për ndonjë ligj të veçantë, ish-ministri i Brendshëm i hodhi dorashkën gazetarëve kur tha se: “më gjeni një rast kur ky komision ka ndërhyrë në punët e SPAK”.

Në fakt, Xhafaj ende në moshën kur memoria është e qartë ka harruar se vetëm në muajin shkurt të këtij viti bëri një reagim të gjatë për procedurat e ndalimit të Erion Veliajt.

“Duke lexuar vendimin gjyqësor që ka pranuar e certifikuar kërkesën e prokurorit për masë sigurie ‘arrest me burg’ bindem edhe më shumë për një proces jo të drejtë në aspektin procedurial”, shkruan Xhafaj në shkurt të vitit 2025, duke ngritur pikëpyetje për punën e prokurorëve dhe duke shkruar të zezë mbi të bardhë se “Druaj se jemi para rastit ku investigohet e hetohet personi dhe jeta e tij, për të gjetur fakte penale në ngarkim të tij dhe jo përpara asaj çfarë ligji lejon e kërkon, pra që hetohet vepra penale konkrete dhe prej saj shkohet te përgjegjësia e personit konkret të cilin gjithsesi të fajshëm apo jo e përcakton vendimmarrja gjyqësore e të dy shkallëve dhe jo hetuesi e prokurori”, shkruante Xhafaj në analizën e tij të gjatë.

Vendimet e dy shkallëve të tjera të gjyqësorit janë të njohura për publikun, por Fatmir Xhafaj, veshur me xhaketën e personit që do të reformojë drejtësinë si dikush që nuk ndikon në punët e saj, duhet t’i përgjigjet vetëm një pyetje: pse shqetësimi i tij për shkeljet e supozuara të SPAK është për Erion Veliajn? Pse nuk shqetësohet zoti Xhafaj edhe për të tjerë kolegë dhe ish-kolegë të tij që hetohen apo janë pas hekurave nga hetimet e SPAK?

Përtej të gjithës, vetë Fatmir Xhafaj është i përfshirë (me ose pa dëshirën e tij) në një proces që ka të bëjë me sulmin kibernetik ndaj disa kompjuterave në SPAK. Të gjitha kritikat për punën e komisionit të drejtuar prej tij, kryesisht ato që kanë të bëjnë me ndërhyrjen në punët e SPAK dhe GJKKO, Fatmir Xhafaj i konsideroi “furtunë në gotë”. Sepse sipas tij gjithçka ka ndodhur në Komisionin Special të drejtuar prej tij ka qenë profesionale.

Por mesa duket, profesionalizmin e tij e ka keqkuptuar edhe Komisioni Europian, që në raportin e fundit nënvizonte se “Ka mangësi në punën, transparencën, gjithëpërfshirjen si dhe në metodologjinë e Komisionit”. Përveç mungesës së transparencës, raporti i Komisionit Europian në muajin qershor të këtij viti theksonte se shumica e institucioneve të drejtësisë nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë realisht me komisionin, duke kufizuar komunikimin vetëm në nivel formal dhe me shkrim – gjë të cilën sot vetë Xhafaj e anashkaloi duke mos i dhënë shumë rëndësi.

Me gjasë komisioni i drejtuar prej tij do të rinisë punën në shtator. Tashmë bezdisja që SPAK u ka dhënë mazhorancës dhe segmenteve të opozitës është e qartë dhe asnjë nga drejtuesit e PS dhe PD nuk përpiqet më as ta fshehë këtë. Sigurisht që reforma në drejtësi dhe puna e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme ka probleme që janë evidentuar dhe duhet të ndreqen. Dhe për to duhet punuar me seriozitet.

Por këtë punë nuk mund ta bëjë as Fatmir Xhafaj dhe as të tjerë të ngjashëm me të që kanë ca “hesape” personale me SPAK. Përndryshe hallexhinjtë e PS dhe ata të PD mund të bëhen bashkë në çdo moment për të zhbërë një punë të mirë që është bërë me shumë sakrifica. Që ka sigurisht shumë gjëra për t’u përmirësuar, por asnjë motiv për t’u kthyer mbrapsht.

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme