Një 41-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale, është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Bëhet fjalë për Arnold Jahon, 41 vjeç, lindur në Vlorë, i cili u ekstradua nga Barcelona pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve spanjolle.
Sipas Policisë së Shtetit, Jaho rezulton i dënuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2026 me 6 vite burgim për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dhe fshehje të të ardhurave.
Por problemet e tij me drejtësinë nuk kufizohen vetëm te këto akuza. Në vitin 2024, ai është dënuar gjithashtu me 1 vit burgim për veprën penale të mashtrimit.
Ndërkohë, ndaj 41-vjeçarit rëndojnë edhe akuza të tjera. Në vitin 2025, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar një urdhër ndalimi ndaj tij për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.






















