Politika 8 November 2026, 16:20 Nga VNA

Të rinjtë kërkojnë largimin e kastës së vjetër, PS-PD ulen të shkruajnë rregullat e lojës politike! Rikthehen në tryezë për Reformën Zgjedhore

Ndaje në Whatsapp
Të rinjtë kërkojnë largimin e kastës së

Në një kohë kur të rinjtë kanë dalë në rrugë duke kërkuar largimin e klasës së vjetër politike, dy partitë që kanë dominuar politikën shqiptare për më shumë se tri dekada rikthehen në të njëjtën tryezë për të përcaktuar rregullat e zgjedhjeve të ardhshme. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, të cilat përplasen çdo ditë në Parlament dhe në deklarata publike, do të ulen nesër të bisedojnë për Reformën Zgjedhore për të diskutuar rregullat e garës elektorale.

Pas një periudhe të gjatë pa mbledhje, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore pritet të rikthehet në aktivitet të hënën, më 9 nëntor.

Takimi vjen para zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, kur qytetarët do të zgjedhin drejtuesit e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë. Në qendër të diskutimeve do të jetë përshtatja e legjislacionit zgjedhor me ndryshimet që lidhen me organizimin territorial dhe vetëqeverisjen vendore.

Megjithatë, përtej çështjeve teknike, reforma mbart një peshë të rëndësishme politike. Në një klimë ku besimi ndaj partive tradicionale po vihet në diskutim nga protestat studentore, PS dhe PD mbeten dy aktorët kryesorë që negociojnë ndryshimet në rregullat e sistemit zgjedhor.

Një nga çështjet që pritet të shkaktojë debat është mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë. Partia Demokratike kërkon lista plotësisht të hapura, në mënyrë që qytetarët të votojnë drejtpërdrejt kandidatët e preferuar, duke shmangur përcaktimin e renditjes së tyre vetëm nga drejtuesit e partive.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, ka deklaruar se PD synon një sistem të ri zgjedhor që garanton përfaqësimin proporcional të forcave politike në nivel kombëtar. Sipas tij, parimi i listave të hapura duhet të zbatohet edhe për këshillat bashkiakë, duke ndryshuar modelin aktual të listave të mbyllura.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk ka paraqitur ende një propozim konkret për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Përfaqësues të mazhorancës kanë lënë të hapur mundësinë që procesi të vijojë edhe pa konsensusin e opozitës, në rast se diskutimet nuk prodhojnë një marrëveshje.

Reforma Zgjedhore është kthyer gjithashtu në një kërkesë të përsëritur të institucioneve ndërkombëtare. Në raportin e fundit të progresit për Shqipërinë, Komisioni Evropian ka evidentuar se një pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias vijojnë të mbeten të pazbatuara. Brukseli kërkon një reformë gjithëpërfshirëse përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, duke theksuar nevojën për trajtimin e problemeve të evidentuara ndër vite në proceset zgjedhore. Kjo përfshin edhe pjesëmarrjen e forcave të tjera politike në diskutime, përtej PS-së dhe PD-së.

Por koha për të realizuar ndryshimet është e kufizuar. Mandati i Komisionit të Posaçëm përfundon në fund të nëntorit, ndërsa mazhoranca ka sinjalizuar se nuk parashikon një tjetër shtyrje të afatit. I ngritur në nëntor të vitit të kaluar, komisioni ka arritur deri tani të hartojë vetëm një projektligj të posaçëm për financimin e partive politike, ndërsa çështjet kryesore që lidhen me sistemin zgjedhor mbeten ende të pazgjidhura.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme