Bota 8 November 2026, 16:49 Nga VNA

Tre të moshuar gjenden pa jetë mes pellgut të gjakut! Shënimi misterioz në derën e shtëpisë zbulon tragjedinë në SHBA

Ndaje në Whatsapp
Tre të moshuar gjenden pa jetë mes pellgut të gjakut!

Një shënim i pazakontë, i ngjitur në derën e një shtëpie në New Jersey të Shteteve të Bashkuara, ka çuar në zbulimin e një ngjarjeje tragjike. Tre persona të moshuar janë gjetur të vdekur brenda banesës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së tyre.

Ngjarja është zbuluar në qarkun Burlington, pasi një punonjës i shërbimit postar vuri re një mesazh shqetësues pranë hyrjes së banesës.

Në një copë letër të ngjitur me shirit transparent shkruhej “9-1-1 Brenda”, ndërsa poshtë mesazhit ishin vizatuar dy fytyra me shprehje të trishtuara dhe me shkronjën “X” në vend të syve.

Postieri Dom Clements, i cili po shpërndante korrespondencën në zonë, tregoi se fillimisht kishte vënë re diçka të pazakontë te kutia postare e banesës.

“Shkova te shtëpia, si zakonisht, për të dorëzuar postën. Kutia postare ishte e mbështjellë me shirit ngjitës transparent. Mendova se ishte diçka e çuditshme. Pastaj, pranë derës, pashë një letër të ngjitur me të njëjtin shirit. Në të shkruhej ‘911 Brenda’, së bashku me dy vizatime të thjeshta fytyrash”, tregoi ai për New York Post.

Clements u përpoq të trokiste në derë, por askush nuk iu përgjigj. I alarmuar nga mesazhi, ai telefonoi menjëherë shërbimet e emergjencës.

“U përpoqa të trokitja, por nuk mora asnjë përgjigje. Telefonova policinë dhe brenda pesë minutash mbërritën disa makina patrullimi”, rrëfeu postieri.

Kur efektivët hynë në banesë, zbuluan trupat e pajetë të tre personave. Sipas dëshmive të fqinjëve, të cilët thanë se kishin marrë informacion nga policia, viktimat u gjetën në një ambient ku kishte një sasi të konsiderueshme gjaku.

Punonjësi postar u shpreh se shënimi mund të ishte vendosur qëllimisht në atë pozicion për t'u parë prej tij, pasi ai ishte ndër të paktët persona që afroheshin rregullisht te dera e banesës.

“Mendova se ishte e çuditshme, sepse i vetmi person që mund ta shihte atë shënim isha unë. Unë jam ai që shkoj çdo ditë te ajo shtëpi. E gjithë situata ishte shumë e pazakontë. Nuk dua ta përjetoj më diçka të tillë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, banorët e lagjes janë tronditur nga ngjarja. Një prej fqinjëve, David Babcock, tregoi për NBC10 se në banesë jetonin dy vëllezër dhe një motër, të cilët besohet se ishin rreth të 60-ave.

“Ishin njerëz shumë të sjellshëm dhe nuk shqetësonin askënd”, tha ai.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse tre personat e përmendur nga fqinji janë viktimat e gjetura brenda banesës.

Fqinjë të tjerë treguan se gjatë viteve kishin parë shumë rrallë lëvizje në shtëpi. Një grua tha se kishte vënë re vetëm një burrë që hynte dhe dilte nga banesa, ndaj kishte menduar se ai jetonte i vetëm.

Një tjetër banore rrëfeu se të martën, tri ditë përpara zbulimit të trupave, kishte parë një person të dilte nga shtëpia me një qese të vogël të zezë.

“Ishte dita kur nxjerrim mbeturinat. Pashë dikë që doli nga shtëpia me një qese në dorë. E vendosi pranë një kontejneri dhe më pas u largua në këmbë. Gjatë gjithë viteve që kam jetuar këtu, nuk kisha parë persona të tjerë të hynin apo të dilnin nga ajo shtëpi”, tregoi ajo.

Ende nuk dihet nëse kjo dëshmi ka lidhje me ngjarjen që po hetohet.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme