Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga masakra që goditi qytetin e Krakovës në Poloni, ku nëntë persona humbën jetën si pasojë e dy sulmeve me armë zjarri. Autori i dyshuar, 24-vjeçari Michal Oksinski, fillimisht vrau prindërit dhe motrën e tij në banesën familjare, përpara se të udhëtonte rreth 200 kilometra drejt Krakovës dhe të hapte zjarr ndaj kalimtarëve në një prej shesheve më të frekuentuara të qytetit.
Sipas raportimeve të mediave polake, tre anëtarët e familjes së autorit u gjetën të pajetë në apartamentin e tyre në Ostrowiec Świętokrzyski. Viktimat janë babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 21-vjeçare e autorit, që u vrane teksa flinin. Trupat u gjetën në shtretërit e tyre, ndërsa nga këqyrja paraprake rezultoi se kishin plagë me armë zjarri në kokë.
Pas vrasjes së familjarëve, 24-vjeçari dyshohet se mori një automjet të regjistruar në emër të babait të tij dhe u nis drejt Krakovës. Pak pas orës 15:00 të së shtunës, 7 nëntor, ai mbërriti në sheshin kryesor Rynek Główny, një prej atraksioneve turistike më të njohura të Polonisë.
Aty, sipas raportimeve, i riu nxori armën dhe nisi të qëllonte në drejtim të qytetarëve që ndodheshin në shesh. Të shtënat shkaktuan panik mes banorëve dhe turistëve, të cilët vrapuan për t'u strehuar në dyqane, restorante dhe ndërtesat përreth.
Gjashtë persona mbetën të vrarë gjatë sulmit, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën dhe u transportuan në spitale. Mes të plagosurve raportohet se janë edhe dy efektivë policie.
Forcat e rendit ndërhynë menjëherë dhe u përfshinë në një shkëmbim zjarri me autorin. Gjatë përplasjes, 24-vjeçari mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua.
Kontrollet e mëvonshme në banesën e familjes zbuluan një arsenal armësh. Sipas autoriteteve polake, në apartament u gjetën shtatë armë zjarri, ndërsa katër të tjera u sekuestruan në vendin e sulmit në Krakov.
Michal Oksinski ishte me origjinë nga Ostrowiec Świętokrzyski dhe, sipas raportimeve, ishte shkolluar për mekanik. Fqinjët e përshkruajnë si një person të qetë, i cili përshëndeste banorët dhe nuk kishte shkaktuar më parë shqetësime në lagje. Disa prej tyre kanë deklaruar se nuk kishin vënë re sjellje që mund të paralajmëronin një akt të tillë dhune.
Një tjetër pistë që po shqyrtohet nga hetuesit lidhet me bindjet ideologjike të autorit. Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, ka bërë të ditur se janë identifikuar elemente që tregojnë ndikim nga ideologjitë e ekstremit të djathtë dhe ultranacionalizmit. Megjithatë, motivi i saktë i sulmit mbetet ende objekt hetimi.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në Poloni, ku sulmet masive me armë zjarri janë të rralla. Kryeministri Donald Tusk e ka cilësuar sulmin si akt terrorizmi, ndërsa vendi ka shpallur dy ditë zie kombëtare në nderim të viktimave.






















