Një konflikt mes dy personave në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë rrezikoi të përshkallëzohej në një ngjarje të rëndë kriminale, pasi njëri prej tyre dyshohet se tentoi të përdorte armë zjarri. Ndërhyrja e menjëhershme e policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës dhe arrestimin e 34-vjeçarit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:50, në vendin e quajtur “Rrapi”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku patrullat e policisë konstatuan një konflikt për motive të dobëta mes Mario Meçanajt, 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe shtetasit E. H., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë konfliktit 34-vjeçari dyshohet se ka tentuar të përdorë një pistoletë, por ndërhyrja e efektivëve ka penguar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Në momentin që ka konstatuar praninë e policisë, Meçanaj ka tentuar të largohet me vrap, por është ndjekur, kapur dhe neutralizuar nga efektivët.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se 34-vjeçari e ka hedhur pistoletën në rërë, pranë vendit ku u arrestua, në përpjekje për ta larguar nga vetja. Arma u gjet nga policia dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, efektivët gjetën edhe një përforcues metalik grushti, i cili gjithashtu u sekuestrua.






















