Rajoni 8 November 2026, 16:08 Nga VNA

Korrupsion dhe pastrim parash! Rrëzimi i Vuçiç “zhbllokon” drejtësinë serbe? Të tjerë zyrtarë të arrestuar

Ndaje në Whatsapp
Korrupsion dhe pastrim parash! Rrëzimi i Vuçiç

Një tjetër goditje ndaj korrupsionit në Serbi ka çuar në arrestimin e kryetarit të komunës së Inxhijës, Marko Gašić, dhe pesë personave të tjerë, të dyshuar për shpërdorim detyre, manipulim të tenderëve publikë dhe pastrim parash. Operacioni është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Novi Sad, ndërsa një person i shtatë është shpallur në kërkim.

Arrestimet vijnë në një periudhë ndryshimesh dhe zhvillimesh të rëndësishme politike në Serbi, ku çështja e korrupsionit dhe përgjegjësisë së zyrtarëve publikë ka qenë në qendër të debatit.

Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, hetimi përfshin një skemë të dyshuar abuzimi me fondet publike gjatë viteve 2023–2025, përmes kontratave për vendosjen e sinjalistikës rrugore në territorin e komunës së Inxhijës.

Në qendër të dosjes janë Marko Gašić dhe një tjetër i dyshuar me inicialet U.T., të cilët, sipas prokurorisë, në cilësinë e drejtuesve të ndërmarrjes publike “Inđija put”, dyshohet se kanë favorizuar një kompani të paracaktuar në procedurat e prokurimit.

Hetuesit pretendojnë se tenderët janë organizuar në kundërshtim me kriteret ligjore, ndërsa kontratat janë lidhur me një operator ekonomik të përzgjedhur paraprakisht. Më pas janë autorizuar pagesa për punime që, sipas dyshimeve të prokurorisë, nuk janë realizuar.

Vlera e përgjithshme e fondeve të paguara arrin në 26,961,059 dinarë serbë, ose rreth 230 mijë euro.

Në skemën e dyshuar janë përfshirë edhe tre persona të tjerë, me inicialet Đ.V., Đ.D. dhe D.M., të cilët akuzohen se kanë ndihmuar në realizimin e abuzimit përmes përgatitjes, nënshkrimit dhe certifikimit të dokumentacionit teknik me përmbajtje të pavërtetë.

Sipas prokurorisë, dokumentet janë përdorur për të justifikuar pagesat nga fondet publike, pavarësisht se punimet e kontraktuara nuk ishin kryer.

Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, me inicialet T.J., po hetohet për pastrim parash. Autoritetet dyshojnë se fondet e përfituara përmes kontratave fiktive janë qarkulluar duke përdorur fatura për shërbime ndërtimi të pretenduara, me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.

Të gjashtë të arrestuarit janë ndaluar për një periudhë deri në 48 orë, gjatë së cilës do të merren në pyetje nga Departamenti Special për Luftimin e Korrupsionit pranë Prokurorisë së Lartë Publike në Novi Sad. Hetimet vijojnë edhe për identifikimin dhe kapjen e personit të shtatë, i cili ende nuk është arrestuar.

Operacioni zhvillohet vetëm pak ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, të cilat shënuan humbjen e forcës politike të Aleksandar Vuçiçit. Lista e Studentëve siguroi 140 nga 250 vendet në Parlament, ndërsa koalicioni i Vuçiçit mori 103 mandate. Vuçiç kishte dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit në fund të shtatorit për të garuar në zgjedhjet parlamentare.

Fitorja e lëvizjes studentore, e cila u ngrit mbi protestat kundër korrupsionit dhe kërkesat për llogaridhënie, ka hapur një kapitull të ri politik në Serbi. Drejtuesit e saj kanë premtuar rikthimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa në ditët e fundit janë raportuar edhe ndalime të zyrtarëve të tjerë në hetime për abuzime dhe sulme ndaj protestuesve.

Pas humbjes së pushtetit nga Aleksandar Vuçiç, në Serbi janë arrestuar edhe drejtues të lartë të policisë, të dyshuar për dhunën ndaj studentëve gjatë protestave kundër qeverisë. Mes emrave kryesorë janë Marko Kričak, kreu i Drejtorisë së Policisë Kriminale, Igor Žmirić, komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ), Boško Sekulović, drejtues i Shërbimit për Luftën kundër Krimit, si dhe Milan Vuković, ish-punonjës policie dhe drejtues i një njësie paraburgimi.

Hetimet lidhen me dhunën e ushtruar ndaj studentes Nikolina Sinđelić dhe protestuesve të tjerë në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, gjatë natës së 14–15 gushtit 2025. Gjykata e Beogradit ka caktuar paraburgim deri në 30 ditë për nëntë të dyshuar në këtë dosje.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme