Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani ka denoncuar publikimin e të dhënave të tij personale në “dark web”, duke deklaruar se ai dhe familja e tij janë ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe frikësimeve. Kryeministrja Giorgia Meloni ka fajësuar hakerët pro-rusë për këtë veprim.
Sipas agjencive mediatike ndërkombëtare, Tajani bëri të ditur të shtunën, më 7 nëntor, se prej disa ditësh kriminelët kibernetikë po shpërndajnë informacione personale për të, ndërsa po kërkojnë të sigurojnë të dhëna të tjera edhe për familjarët e tij.
Ministri italian deklaroi se personat përgjegjës janë të gatshëm të paguajnë për informacione shtesë, duke shtuar se këto veprime përbëjnë kërcënim për sigurinë e tij dhe të njerëzve të afërt.
Sipas mediave italiane Rai News dhe Euronews, pas sulmeve dyshohet se qëndron grupi i hakerëve pro-rusë “NoName057(16)”, i cili dyshohet se ka publikuar të dhëna edhe për zyrtarë të tjerë italianë, përfshirë prokurorin e Romës, Francesco Lo Voi, dhe drejtuesin e Policisë Postare, Ivano Gabrielli.
Raportimet bëjnë të ditur se informacionet e publikuara mund të përfshijnë numra telefoni privatë, adresa elektronike dhe të dhëna mbi vendbanimet. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende plotësisht përmbajtjen e materialeve të ekspozuara.
Tajani e ka lidhur sulmin me qëndrimin e qeverisë italiane në mbështetje të Ukrainës, duke theksuar se nuk do të lejojë që kërcënimet ta pengojnë në ushtrimin e detyrës.
Nga ana e saj, kryeministrja Giorgia Meloni shprehu solidaritet të plotë me ministrin, duke e cilësuar shitjen e informacioneve konfidenciale për përfaqësuesit e institucioneve shtetërore si një çështje shumë shqetësuese që kërkon reagim të vendosur.
Ndërkohë, Prokuroria e Romës ka nisur hetimet për rastin, ndërsa autoritetet italiane të sigurisë kibernetike po punojnë për të identifikuar përgjegjësit.
Ministria e Jashtme italiane konfirmoi se materialet janë identifikuar në një pjesë të “dark web” të aksesueshme përmes rrjetit Tor, i cili mundëson anonimitet të lartë për përdoruesit.
Përballë shtimit të kërcënimeve kibernetike në Evropë, Tajani ka kërkuar që kjo çështje të përfshihet në axhendën e takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të G7, që do të zhvillohet më 9 dhe 10 nëntor në Paris.
Ministri kujtoi gjithashtu se Italia ka krijuar që prej 1 janarit një drejtori të posaçme për sigurinë kibernetike pranë Ministrisë së Jashtme, me qëllim forcimin e mbrojtjes ndaj sulmeve informatike.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar origjinën dhe përmasat e sulmit, ndërsa autoritetet italiane paralajmërojnë për rritjen e kërcënimeve kibernetike ndaj institucioneve shtetërore.






















