
Gjermania mund të ketë për herë të parë në historinë e saj një grua presidente. Dhe kandidatja që po mbështetet për postin më të lartë të shtetit nuk është një akademike apo diplomate karriere, por një ish-teknike elektronike që ka punuar në industrinë e helikopterëve dhe nuk ka diplomë gjimnazi apo universiteti.
Ajo është Ilse Aigner, 61 vjeçe, aktualisht presidente e Parlamentit të Bavarisë dhe një nga figurat me përvojë të gjatë politike në Unionin Kristiansocial (CSU).
Sipas raportimeve të mediave gjermane ARD dhe ZDF, drejtuesit e CDU-së dhe CSU-së kanë rënë dakord ta propozojnë si kandidate për të pasuar presidentin Frank-Walter Steinmeier. Nominimi zyrtar pritet të shpallet të hënën, më 9 nëntor.
Por historia personale e Aigner është po aq interesante sa kandidatura e saj.
E lindur më 7 dhjetor 1964 në Bavari, ajo përfundoi në vitin 1981 shkollën Realschule, pa marrë diplomën Abitur, e cila mundëson hyrjen e drejtpërdrejtë në universitetet gjermane.
Në vend të studimeve universitare, Aigner zgjodhi formimin profesional. Në vitin 1985 përfundoi kualifikimin si teknike radioje dhe televizioni, më pas punoi në biznesin familjar të pajisjeve elektrike dhe në vitin 1990 u diplomua si teknike elektroteknike e certifikuar nga shteti.
Nga viti 1990 deri në vitin 1994 punoi në kompaninë Eurocopter, ku merrej me zhvillimin e sistemeve elektrike për helikopterët.
Paralelisht kishte nisur karrierën politike në CSU. Në vitin 1994 u zgjodh në Parlamentin e Bavarisë, ndërsa në vitin 1998 hyri në Bundestagun gjerman.
Në vitin 2008, kancelarja Angela Merkel e emëroi ministre federale të Ushqimit, Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, detyrë që Aigner e mbajti deri në vitin 2013.
Më pas ajo u rikthye në politikën bavareze, ku shërbeu si zëvendëskryeministre dhe ministre në disa sektorë, përpara se të merrte drejtimin e Parlamentit të Bavarisë në vitin 2018.
Tashmë emri i saj është në qendër të diskutimeve për Presidencën gjermane. Kandidatura mbështetet nga CSU-ja e Markus Söderit dhe ka marrë sinjale pozitive edhe nga përfaqësues të socialdemokratëve dhe të Gjelbërve.
Presidenti i ri do të zgjidhet më 30 janar 2027 nga Asambleja Federale, ku CDU/CSU dhe SPD disponojnë së bashku shumicën.
Nëse zgjidhet, Aigner do të bëhet gruaja e parë presidente në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë.
Nga sistemet elektrike të helikopterëve te drejtimi i shtetit gjerman, rrugëtimi i saj dëshmon se një karrierë politike mund të nisë edhe nga një profesion i mësuar në praktikë, pa kaluar nëpër auditoret universitare.






















