
Gjykata e Breshias në Itali ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 21-vjeçarin me origjinë shqiptare, Eduart Xhani, i akuzuar për vrasjen me thikë të nënës së tij, 39-vjeçares Meleqe Lusha.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Mauro Ernesto Macca, i cili ka konfirmuar ndalimin e të riut pas marrjes në pyetje. Megjithatë, Xhani vijon të qëndrojë i shtruar në repartin e Neuropsikiatrisë në Spitalin Civil të Breshias, nën mbikëqyrjen e forcave të rendit, për shkak të shqetësimeve se mund të dëmtojë veten.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 2 nëntorit, në banesën ku nënë e bir jetonin në qytetin Chiari, në provincën e Breshias. Sipas hetimeve, 39-vjeçarja është goditur disa herë me thikë në pjesën e sipërme të trupit, duke humbur jetën.
Pas ngjarjes, 21-vjeçari është larguar me automjetin e tij, ndërsa mëngjesin e 3 nëntorit është paraqitur vullnetarisht në një komisariat të karabinierëve në Kremona, ku ka pranuar se kishte vrarë nënën.
Gjatë marrjes në pyetje në spital, Xhani ka deklaruar se përpara krimit kishte tentuar t'i jepte fund jetës, por pa sukses. Sipas dëshmisë së tij, pas këtij momenti ai kishte drejtuar thikën ndaj nënës, duke e goditur për vdekje.
Megjithatë, i riu nuk ka arritur të japë një shpjegim të qartë për motivin e vrasjes. Nga të dhënat e deritanishme të hetimit nuk rezultojnë konflikte të mëparshme mes tij dhe viktimës.
Ndërkohë, më 6 nëntor është kryer autopsia e trupit të 39-vjeçares, rezultatet e së cilës pritet të përcaktojnë numrin e saktë të goditjeve dhe të ndihmojnë në rindërtimin e plotë të ngjarjes.
Eduart Xhani ka lindur në Itali, në një familje me origjinë shqiptare. Pas ndarjes së prindërve, ai ishte rritur nga nëna, me mbështetjen e familjarëve të saj. Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Chiari, ku familja njihej prej vitesh.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivin e krimit, ndërsa gjendja e të riut dhe rrethanat e ngjarjes pritet të jenë objekt i vlerësimeve të mëtejshme gjatë procesit gjyqësor.






















