Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur një ndryshim të rëndësishëm në drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Zëvendësshefi aktual i kabinetit, Stephen Miller, do të marrë detyrën e shefit të kabinetit presidencial, duke zëvendësuar Susie Wiles, e cila do të largohet nga ky post për t’iu bashkuar një strukture tjetër politike të presidentit.
Trump njoftoi se Miller do të nisë detyrën të hënën, ndërsa për Wiles pati vlerësime publike, duke e cilësuar punën e saj në krye të kabinetit si të shkëlqyer. “Dua ta falënderoj për shërbimin e saj si shefe e kabinetit, ajo ka bërë një punë të shkëlqyer!”, shkroi presidenti në platformën Truth Social.
Ndryshimi vjen vetëm pak ditë pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, ku demokratët morën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit. Emërimi i Millerit shihet si një lëvizje e rëndësishme në një moment kur administrata Trump po përballet me presion politik dhe kritika brenda kampit republikan për rezultatet zgjedhore.
Stephen Miller është një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe më jetëgjatë të Trumpit. Ai ka qenë pjesë e rrethit të tij politik që prej fushatës presidenciale të vitit 2016 dhe konsiderohet një prej arkitektëve kryesorë të politikave të ashpra të administratës për emigracionin, përfshirë dëbimet masive dhe forcimin e kontrollit kufitar. Deri tani, ai ka ushtruar detyrën e zëvendësshefit të kabinetit, me përgjegjësi të gjera në politikat e brendshme dhe sigurinë kombëtare.
Nga ana e saj, Susie Wiles konfirmoi largimin nga posti, duke deklaruar se kjo nuk do të ndikojë në mbështetjen e saj për presidentin. “Edhe pse roli im mund të ndryshojë, përkushtimi im ndaj presidentit dhe misionit nuk do të ndryshojë kurrë”, shkroi ajo në platformën X.
Wiles ishte gruaja e parë që drejtoi kabinetin e Shtëpisë së Bardhë dhe një prej bashkëpunëtoreve më të besuara të Trumpit. Ajo kishte luajtur një rol të rëndësishëm në organizimin e fushatës së tij fituese të vitit 2024 dhe ishte shefja e kabinetit që prej ditës së parë të mandatit aktual. Pas largimit nga detyra, ajo do të vijojë angazhimin në strukturën politike të presidentit.
Emërimi i Millerit pritet të forcojë ndikimin e një prej figurave më të linjës së ashpër në rrethin e Trumpit, veçanërisht në çështjet e emigracionit dhe sigurisë kufitare. Ky ndryshim në drejtimin e Shtëpisë së Bardhë vjen në një moment të vështirë për presidentin, pas humbjes së shumicës republikane në Kongres dhe paralajmërimeve të demokratëve për një kontroll më të fortë ndaj administrates.






















