Bota 8 November 2026, 15:35 Nga VNA

Europa nuk pranon të mbetet jashtë negociatave për paqen në Ukrainë! Franca konfirmon pjesëmarrjen në bisedimet e Abu Dhabit

Ndaje në Whatsapp
Europa nuk pranon të mbetet jashtë negociatave për paqen në

Vendet europiane do të jenë pjesë e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, të cilat pritet të nisin të martën në Abu Dhabi, nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Franca ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në këto bisedime, duke theksuar se asnjë marrëveshje që prek sigurinë e kontinentit nuk mund të negociohet pa përfshirjen e europianëve.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, gjatë një interviste për RTL dhe Public Sénat, ku ai theksoi se Europa ka arritur të sigurojë një vend në procesin diplomatik, i cili fillimisht ishte konceptuar si një negociatë trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së.

“Europianët do të përfaqësohen dhe Franca do të jetë në Abu Dhabi për të marrë pjesë në këto bisedime”, deklaroi Barrot, duke sqaruar se ai personalisht nuk do të marrë pjesë në tryezën e negociatave.

“Nuk mund t'ju them ende se kush do ta përfaqësojë Francën në këtë rast, por patjetër që do të jetë atje”, shtoi ai.

Sipas kryediplomatit francez, gjatë javëve të fundit vendet europiane kanë zhvilluar diskutime intensive me administratën amerikane, duke kërkuar që interesat e tyre të merren parasysh në çdo marrëveshje të mundshme me Moskën.

“Në javët e fundit, europianët kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet. Ata u kanë shpjeguar ndërmjetësve amerikanë se asnjë diskutim në lidhje me të ardhmen e këtij kontinenti nuk mund të injorojë pritshmëritë dhe kërkesat tona”, u shpreh Barrot.

Deklaratat vijnë pas takimit të presidentit amerikan Donald Trump me të dërguarin rus Kirill Dmitriev, të enjten. Pas këtij takimi, Trump paralajmëroi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të madhe me Rusinë për Ukrainën, duke sugjeruar se ajo mund të ketë pasoja më të gjera për të gjithë kontinentin europian.

Presidenti amerikan deklaroi se një marrëveshje e tillë mund të arrihet së shpejti, se ajo “mund të mbulojë të gjithë Europën” dhe se “të gjithë do të jenë të kënaqur”, por nuk dha hollësi mbi përmbajtjen e saj.

 

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme