Politika 6 November 2026, 20:49 Nga VNA

Propagandë e paketuar si dialog/ Mirela Kumbaro takohet online me nxënësit e shkollave të mesme

Ndaje në Whatsapp
Propagandë e paketuar si dialog/ Mirela Kumbaro takohet online me

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka zhvilluar një takim online me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve, të cilin e ka promovuar në rrjetet sociale si një bashkëbisedim për problemet e arsimit, idetë e të rinjve dhe buxhetin e vitit 2027. Takimi vjen pas disa javësh protestash të studentëve dhe të rinjve përpara Ministrisë së Arsimit, ku kundërshtimi ndaj politikave të institucionit është shoqëruar edhe me përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Muret e ministrisë mbajnë ende gjurmët e përplasjeve. Aty janë dëgjuar thirrje për dorëheqje dhe janë shënuar episode tensioni mes protestuesve dhe forcave të rendit. Por ministrja ka zgjedhur të promovojë një tjetër pamje të marrëdhënies me të rinjtë: një ekran kompjuteri, përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve dhe një postim në Facebook të zbukuruar me emoji.

Kumbaro e përshkruan takimin si një bisedë të gjatë, me shumë kuriozitet, dialog dhe shkëmbim mendimesh. Ajo flet për një skuadër proaktive, ide, reflektime, zgjidhje problemesh dhe prezanton buxhetin e vitit 2027, tekstet falas, transportin dhe aktivitetet pas shkolle.

Gjithçka duket e bukur. Përveç realitetit që ndodhet pak metra larg zyrës së saj.

Sepse pyetja nuk është përse një ministre takohet online me përfaqësuesit e nxënësve. Kjo është pjesë e detyrës së saj. Pyetja është si mund të paraqitet një takim i tillë si dëshmi e dialogut, ndërkohë që institucioni që ajo drejton është kthyer prej javësh në një nga qendrat e protestës së të rinjve.

Çfarë e pengon ministren të dalë përpara atyre që protestojnë? Përse dialogu duhet të zhvillohet në ekran, kur pakënaqësia është në rrugë? Dhe mbi të gjitha, çfarë kuptimi ka të flasësh për dëgjimin e zërit të nxënësve, nëse zërat që kundërshtojnë politikat e tua mbeten jashtë këtij komunikimi publik?

Parlamenti i Nxënësve është një strukturë përfaqësuese dhe takimi me të nuk është në vetvete problem. Problemi fillon kur një aktivitet institucional përdoret për të krijuar pamjen e një normaliteti që ngjarjet përpara ministrisë e kanë vënë seriozisht në dyshim.

Nuk dihet çfarë përgjigjesh u janë dhënë nxënësve për problemet konkrete të arsimit. Nga postimi i ministres mësojmë vetëm se biseda ishte e gjatë, interesante dhe plot ide.

Ndërkohë, për protestat që kanë tronditur prej javësh institucionin e saj, në këtë rrëfim nuk ka vend.

Të organizosh dialog online me nxënësit, ndërkohë që prej javësh të rinjtë protestojnë përpara ministrisë, nuk mjafton për të dëshmuar se po zhvillohet një dialog i vërtetë. Është propagandë e paketuar si dialog, nëse takimi shërben për të shmangur përballjen me pakënaqësinë. Dhe kur një postim plot emoji zë vendin e përgjigjeve për problemet e ngritura në protesta, çështja nuk është më vetëm te politikat e arsimit, por edhe te mënyra se si ministrja e kupton përgjegjësinë e saj publike.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme