
Mbështetës dhe përfaqësues të Partisë Demokratike kanë nisur këtë të shtunë marshimin nga selia blu drejt Kryeministrisë, në kuadër të protestës kombëtare të paralajmëruar kundër qeverisë së Edi Ramës. Megjithatë, në tubim bie në sy mungesa e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili më herët kishte bërë thirrje për pjesëmarrje masive.
Berisha u kishte kërkuar qytetarëve, pavarësisht moshës apo bindjeve politike, t'i bashkoheshin protestës në mbështetje të studentëve, të cilët prej muajsh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Por ndërsa demokratët kanë dalë në rrugë, kreu i opozitës nuk është shfaqur mes protestuesve.
Ndërkohë, studentët kanë thirrur një tjetër protestë kombëtare për sot, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Pas më shumë se 160 ditësh tubimesh, të rinjtë vijojnë të këmbëngulin në largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë, duke paralajmëruar vazhdimin e protestave deri në përmbushjen e kërkesës së tyre.






















