Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mundësinë e krijimit të një force të re politike nga studentët protestues, e cila do të synonte të sfidonte jo vetëm qeverinë e Edi Ramës, por edhe opozitën tradicionale. Përballë krahasimeve me Serbinë, ku Lista e Studentëve ka sfiduar partitë e vjetra opozitare, Berisha ka nxituar të mbrojë peshën politike të PD-së, duke këmbëngulur se situata në Shqipëri është krejtësisht ndryshe.
Gjatë një komunikimi online me qytetarët, kreu demokrat u pyet nëse lëvizja studentore në Shqipëri mund të ndjekë modelin serb, duke krijuar një alternativë të re që do të linte jashtë si Partinë Socialiste, ashtu edhe Partinë Demokratike.
Berisha deklaroi se nuk është kundër krijimit të forcave të reja politike, duke e cilësuar pluralizmin si një nga shtyllat themelore të demokracisë.
“Unë kurrë nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik. Për mua, pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij”, u shpreh, ndersa nxitoi të nxirrte në pah sipas tij rolin e PD-së, duke argumentuar se opozita shqiptare nuk mund të krahasohet me partitë opozitare serbe.
Sipas tij, lëvizja studentore në Serbi ishte mbështetur nga strukturat universitare, përfshirë rektorin e Universitetit të Beogradit dhe dekanët, ndërsa protestat kishin vijuar për më shumë se 700 ditë. Ai pretendoi se partitë opozitare në Serbi ishin të fragmentuara dhe se mbështetja e tyre e përbashkët nuk i kalonte 7-8 për qind.
“Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike”, theksoi Berisha.
Berisha u ndal edhe te përplasjet e protestës së djeshme, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përdorur mjete të rënda policore për të shtypur revoltën studentore.
“Rama nuk ka sjellë vetëm autobotët, po ai ka sjellë mjetet nga më të kushtueshmet kundër studentëve. Makinat thuhet se i ka marrë nga Turqia dhe thuhet që ato janë të ndaluara të përdoren kundër protestuesve për shkak të fuqisë së jashtëzakonshme që ka goditja e ujit”, deklaroi Berisha.
Berisha pretendoi gjithashtu se qeveria ka siguruar pajisje që prodhojnë zhurmë me intensitet të lartë dhe sasi të mëdha gazi nga Serbia, të cilat, sipas tij, janë përdorur kundër protestuesve.
“Por ky ka sjellë, siç e dini ju, makinat e zhurmës së tmerrshme shurdhuese për protestuesit, i ka marrë si Vuçiçi në Beograd. Ka marrë nga Serbia sasi kolosale gazi të skaduar, të ndaluar me të gjitha konventat për t’u përdorur kundër protestuesve”, u shpreh ai.






















