Dy panda gjigante, Ping Ping dhe Fu Shuang, janë larguar nga Kina me një fluturim charter drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të vendosen për 10 vjet në kopshtin zoologjik të Atlantës.
Dy kafshët u nisën të dielën nga aeroporti ndërkombëtar Shuangliu i Chengdu-t, në provincën Sichuan, në orën 02:55 të mëngjesit sipas kohës lokale. Fluturimi drejt Atlantës pritet të zgjasë rreth 15 orë.
Pas mbërritjes në SHBA, Ping Ping dhe Fu Shuang do të kalojnë një periudhë karantine dhe do të monitorohen nga veterinerë dhe kujdestarë. Një ekip kinez do të qëndrojë përkohësisht në Atlanta për t'u kujdesur për pandat dhe për të ndihmuar në përshtatjen e tyre me ambientin e ri.
Përpara udhëtimit, pandat iu nënshtruan një periudhe përgatitore për transportin. Ato u mësuan me kafazet e posaçme të udhëtimit dhe me zhurmat që do të përballonin gjatë fluturimit, ndërsa për udhëtimin u përgatitën edhe ushqime të freskëta, përfshirë bambu dhe fruta.
Transferimi i tyre është pjesë e së ashtuquajturës “diplomaci e pandave”, një traditë përmes së cilës Kina ka përdorur prej dekadash huazimin e pandave për të forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me vende të tjera. Tradita mes Kinës dhe SHBA-së nisi në vitin 1972, pas vizitës historike të presidentit amerikan Richard Nixon në Kinë.
Ping Ping është mashkull dhe ka lindur më 17 mars 2020, ndërsa Fu Shuang është femër dhe ka lindur më 18 tetor të të njëjtit vit. Të dyja janë lindur në Chengdu Research Base of Giant Panda Breeding dhe janë përzgjedhur për transferimin në Atlanta duke marrë në konsideratë moshën, shëndetin, gjenetikën dhe karakterin e tyre.






















