Politika 21 Dhjetor 2024, 22:15 Nga VNA

Analizë/ Kryeministri shpall mbylljen e Tik Tok pa sqaruar se si

Ndaje në Whatsapp
Analizë/ Kryeministri shpall mbylljen e Tik Tok pa sqaruar se si

Kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën se “do të mbyllë Tik Tok”, rrjetin social, përdorimi masiv i të cilit prej fëmijëve ka ngritur shqetësime të shumta, por që, pavarësisht kësaj, asnjë vend demokratik nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për ta mbyllur. Rama foli në një aktivitet për sigurinë në shkolla pasi qeveria e tij u vu nën presion publik pas vrasjes së një fëmije në një shkollë në Tiranë. Ai hodhi poshtë sugjerimet se qeveria e tij është përgjegjëse për mungesën e sigurisë në shkolla dhe më gjerësisht në Shqipëri ndërsa muajin e kaluar deklaroi se do të niste një diskutim publik për mbylljen e Tik Tok dhe Snap Chat, dy rrjete sociale. Të shtunën më 21 dhjetor, Rama e deklaroi konsultimin e mbyllur duke njoftuar vendimin. “Ne TikTok-un do e mbyllim për një vit. Kini parasysh që ne kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6-8 javë nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit do e mbyllim TikTok-un. TikTok nuk do ketë në Republikën e Shqipërisë,” deklaroi ai. Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu ishte vetëm pak më konkrete për mënyrën se si duke deklaruar “bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentash që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI.” Opozita deklaroi menjëherë pozicionin e saj kundër, duke e cilësuar masën si “censurë”. Rama nga ana e tij  nuk sqaroi se mbi çfarë baze ligjore dhe mbi çfarë kriteresh kushtetuese do të mundet të ndërmarrë një masë të tillë dhe as se në cilin vend tjetër të botës demokratike ka marrë frymëzim. “Të shfrytëzosh vrasjen e një 14 vjeçari për të zgjidhur hallet personale me rrjetet sociale që nuk kontrollon dot, është vrasje e dyfishtë dhe akt i rëndë ndaj lirisë,” deklaroi Ina Zhupa, një deputete e opozitës. Azmer Duleviç, një aktivist i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, komentoi pas deklaratës së Ramës se Tik Tok, sipas opinionit të tij, është e vetmja media që Rama nuk kontrollon dot ndërsa e cilësoi masën e Ramës të kotë sepse mbyllje të tilla mundet të shmangen lehtë me VNP, një hile teknologjike që përdoret nëpër vende diktatoriale ku qeveritë bllokojnë aksesin në internet në çdo faqe kritike. “A do të mbyllni Tik Tok, të vetmen mendia që nuk kontrolloni dot deri sa të mbarojnë zgjedhjet?” komentoi ai. “Mos harro se ne kemi edhe VNP,” shtoi ai. Plani i Ramës për të mbyllur Tik Tok mundet në instancë finale të jetë antikushtetues dhe në kundërshti me një vendim referencë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas Flutura Kusarit, një eksperte e lirisë së shprehjes pranë organizatës European Center for Press and Media Freedom, “mbyllja e tërësishme e platformave të mediave sociale është joproporcionale, është masë ekstreme dhe vështirë e justifikueshme”. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut tashmë ka vendosur në disa raste që mbyllja e tërësishme e platformave të tilla përbën shkelje të lirisë së shprehjes. Nëse unë jam hulumtuese në akademi, aktiviste apo gazetare dhe përdor vetëm Tik Tok për të shpërndarë informacione me tema për interes publik, mbyllja e platformës do të përbënte cënim të drejtëpërdrejtë të lirisë dhe të drejtës time për të marrë dhe shpërndarë informacione. Prandaj qeveria shqiptare duhet të balancojë mbrojtjen e fëmijëve dhe publikut me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe jo të gjejë forma të shpejta që do te kenë pasoja negative në ushtrimin e lirisë së shprehjes,” shtoi Kusari. Sipas Kusarit, shqetësimi është që “mbyllja e Tik Tok do të krijoë precedent që mund të përdoret më vonë për të mbyllur edhe Facebook, Instagram apo Twitter.” Shqipëria debatoi gjerësisht katër vite më parë një nismë tjetër kontroverse të Ramës, ligjin për kontrollin e medias online, të prezantuar prej tij si “paketa antishpifje”, një nga aspektet e të cilës ishte kërcënimi që një media mund të mbyllet në rast se nuk i bindej një urdhri administrativ për të cilën kishte një ankesë. Një nga argumentet se pse këto ligje ishin  antikushtetuese, dhe në instancë finale nuk u miratuan  dot pavarësisht këmbënguljes shumëvjeçare të Ramës, ishte se në një faqe interneti ka informacione të shumëllojshme dhe, ndonëse një prej këtyre informacioneve mund të jetë i paligjshëm, pjesa tjetër e faqes nuk mund të bllokohet. Turqia është vendi që ka pasur bllokuar në të shkuarën rrjetin social You Tube dhe u dënua nga një vendim i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut pikërisht për shkak se disa aktivistë u ankuan se u ishte mohuar liria e shprehjes. Vendi me lëvizjen më ekstreme deri më sot në këtë fushë është Australia, ku një ligj vendosi ndalimin e medias sociale në tërësi dhe jo një plaftorme të caktuar, për fëmijët nën 16 vjeç ndërsa pikëpyetjet janë ngritur se si mundet ta zbatojë Australia këtë ligj. Në asnjë rast, Australia nuk ka bllokuar ndonjë media sociale për të rriturit./Reporter.al

Video

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka përshkallëzuar retorikën ndaj Kubës, duke thënë se pret të ketë “nderin” për ta “marrë Kubën”. Duke folur me gazetarët, Trump la të kuptohet se beson që Shtetet e Bashkuara “mund të bëjnë çfarë të duan” me Kubën. Këto deklarata vijnë në një kohë kur Uashingtoni dhe Havana kanë nisur bisedime me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve të tyre kryesisht të tensionuara, të cilat kanë arritur një nga momentet më të kontestuara në 67 vite, që nga rrëzimi i një aleati të ngushtë të ShBA-së nga Fidel Castro.

Pas 35 vitesh ja kush sfidon seriozisht Sali Berishën për postin e kryetarit të PD…

Ish numri dy i AKSHIT Hava Delibashi i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për zëvendësimin e masës së sigurisë. Delibashi ndodhet aktualisht në arrest shtëpie pasi dyshohet si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Kryeministri Rama ka qenë sot në Vlorë, ku është takuar me deputetët e zonës dhe kryetaren e bashkisë. Pamjet e siguruara nga VNA flasin qartë për nota nervozizmi në bisedën mes tyre, në dalje të një lokali ku u zhvillua takimi.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme