Julian Alvarez mund të jetë një nga emrat më të nxehtë të merkatos së verës, pasi deklaratat e fundit të sulmuesit argjentinas kanë ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij te Atletico Madridi.
26-vjeçari, i cili është nën kontratë me klubin madrilen deri në vitin 2030, ka lënë të kuptohet se nuk e përjashton një largim, duke rikthyer menjëherë interesimin e Barcelonës për shërbimet e tij.
Sipas raportimeve nga Spanja, drejtuesit katalanas e shohin Alvarezin si profilin ideal për të udhëhequr repartin ofensiv në vitet e ardhshme. Sulmuesi jo vetëm që garanton gola, por vlerësohet edhe për lëvizjet pa top, presionin ndaj kundërshtarëve dhe aftësinë për të krijuar hapësira për shokët e skuadrës.
Që prej transferimit te Atletico Madridi në vitin 2024, Alvarez ka pasur një ndikim të menjëhershëm, duke realizuar 49 gola dhe duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Megjithatë, operacioni mbetet jashtëzakonisht i vështirë. Atletico nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej yjeve të saj dhe thuhet se ka refuzuar një ofertë prej 150 milionë eurosh nga Real Madridi. Për këtë arsye, Barcelona do të duhet të gjejë mënyra të tjera për të siguruar fondet e nevojshme.
Drejtori sportiv Deco po shqyrton disa opsione për të balancuar financat e klubit. Mes emrave që mund të sakrifikohen për të financuar një operacion të tillë përmenden Jules Kounde, Roony Bardghji dhe Marc Casado.
Një shitje e mundshme e këtyre lojtarëve do t'i jepte Barcelonës më shumë hapësirë financiare për të tentuar afrimin e Alvarezit, i cili konsiderohet një nga sulmuesit më të kompletuar dhe më vendimtarë të kampionatit spanjoll.






















